Pezullohet ndërtimi te
ish-shtatorja e Enver Hoxhës

Pezullohet ndërtimi te<br />ish-shtatorja e Enver Hoxhës
GJIROKASTER- Në vendin ku dikur ishte vendosur shtatorja e diktatorit komunist Enver Hoxha, në Gjirokastër, inspektorët e INUK kanë vendosur shiritat dhe iu kanë ndaluar pronarëve të truallit zhvillimin e punimeve. Bëhet fjalë për ndërtimin e një godine hotelerie, për të cilën është marrë leje nga sekretari i Këshillit Kombëtar të Restaurimit, Apollon Baçe. Sipas pronarëve, “bllokimi i pronës është bërë pa paralajmërim, në mënyrë selektive dhe të padrejtë”. Sipas pronarit, “projekti për gjallërimin e një hapësire që kufizohej me beton në vendin e quajtur si Kodra e Fantazisë, sjell në arkitekturën e vet një imitim të fasadës së shtëpisë së njohur të Angonatëve”. Por, nga 300 ndërtime pa leje në Gjirokastër deri tani është zgjedhur ky ndërtim për t’u shkatërruar.

Ndërtimet pa leje në Gjirokastër janë bërë shpesh objekt i raporteve të UNESKO-s, e cila ka paralajmëruar se qyteti mund të humbasë edhe statusin e fituar si pasuri e trashëgimisë botërore. Deri më sot asnjë aksion nuk është ndërmarrë në qytet për prishjen e ndërtimeve pa leje, në të cilat vihet re edhe zëvendësimi i çative të gurta nga betoni. Por pas seancës dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, ditën e hënë, dje janë pezulluar punimet. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka premtuar se do të marrë masa për këtë godinë. Pikënisja e parë ka qenë njohja me dosjen e UNESKO-s për Gjirokastrën. “Kemi që në mars të vitit 2013, që zyra e UNESKO-s nëpërmjet ambasadës tonë atje ka dërguar në mënyrë të vazhdueshme ankesa, letra dhe shkresa, duke kërkuar informacion lidhur me një objekte specifike që është edhe objekti i subjektit Kodra që me një leje rindërtimi nga Instituti i Monumenteve dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimit ka avancuar dhe është ndërtuar me të gjitha kërkesat për pezullim që janë bërë nga drejtoria rajonale.

Dhe për fat të keq nuk ka pasur reagim, nuk ka pasur përgjigje nga institucionet shtetërore shqiptare lidhur me këtë rast, aq sa ajo ka avancuar. Unë kam fotografitë nëse dëshironi. Ajo sot është një godinë e plotësuar dhe nuk bëhet fjalë sikurse është interpretuar nga IMK, por bëhet fjalë për ndërtim nga e para”, tha ministrja Kumbaro, duke argumentuar se “Restaurim është kur ka një objektet ekzistues dhe punohet me të. Aty ka një objekt të ndërtuar nga e para, jashtë kritereve të parashikuara për zonat e mbrojtura, siç është zona ku është ngritur kjo godinë”. Të hënën ministrja Kumbaro tregoi se ka marrë kontaktet me zyrën e UNESKO-s, sepse sipas saj “një nga ankesat e UNESKO-s është se nuk kan marrë asnjë përgjigje dhe jo më një informacion të plotë”.

Kumbaro premtoi të hënën se “ne do të gremë një grup të posaçëm për të rindërtuar marrëdhënie me UNESKO-n, sepse Gjirokastra dhe Berati janë plotësisht të monitoruara nga UNESKO, dhe jo vetëm të ndërtojmë marrëdhënie, por edhe për të shpëtuar zonën”. Kumbaro ka përfunduar përgjigjen e saj me premtimin se do të merrej konkretisht me godinën në Gjirokastër. “Ato ndërtesa që lihet të ecin dhe nuk ndërhyhet ne na shqetësojnë. Nga Bashkia e Gjirokastrës ajo pjesë nuk ka leje dhe do të shkoj vetë në Gjirokastër”, tha Ministrja Kumbaro. Një ditë pas fjalës së saj, mësojmë se është pezulluar edhe ndërtimi i godinës pranë ish-shtatores së Enver Hoxhës në Gjirokastër nga inspektorët e INUK-ut.
 
 Shkrimi u publikua sot (6.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore

Erlind Sulo emërohet drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore