Përfshirja e djalit të Tom Doshit në një aksident rrugor disa javë më parë në superstradën Lezhë-Laç, për të cilin hetimet e prokurorisë konkluduan se ai ishte fajtor, por u tolerua nga policia rrugore, i ka kushtuar shtrenjtë shefit të qarkullimit rrugor të Lezhës, Ismet Sula dhe drejtuesve kryesorë të drejtorisë rajonale.

55-vjeçari Sula u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Lezhës, ndërsa në hetim nga organi i akuzës është kupola drejtuese. Report Tv ka mundur të sigurojë urdhrin e ekzekutimit të vendimit të pezullimit nga detyra të Sulës, ndërsa burimet bëjnë me dije se hetimet e prokurorisë nxorën fajtorë në aksident James Doshin, i cili po lëvizte me makinën e tij pranë fshatit Gajush, kur ka përplasur një automjet ku në të udhëtonin Lizë dhe Viktor Jushi, të cilët për fat të mirë nuk pësuan dëme si pasojë e përplasjes. Lizë Jushi thonë burime për Report Tv është gruaja e pronarit të hotel ‘Gjuetia’ në Lezhë, Viktor Jushit.

Pas këtij aksidenti, mësohet se policia favorizoi Doshin, duke mos kryer të gjitha veprimet konform ligjit, ndërsa vetë të riu e lejoi të largohet bashkë me automjetin. Në lidhje me këtë çështje organi i akuzës është vënë në lëvizje, duke regjistruar procedim penal për "shpërdorim detyre", pas referimit të materialeve të aksidentit nga policia në datën 19 mars 2023.

Krahas shefit të Qarkullimit Rrugor Ismet Sula, i cili u pezullua nga detyra, prokuroria po heton edhe drejtuesit e policisë Lezhë për të parë nga kush është dhënë urdhri për të mos kryer veprimet konform ligjit. Në funksion të këtij hetimi, organi i akuzës pritet të zbardh tabulatet telefonike mes drejtuesve dhe oficerëve të policisë për të zbardhur rolin dhe veprimet e tyre për këtë çështje, e më pas do të vendoset nëse ajo do t’i kalojë për kompetencë SPAK, apo do të mbetet në Lezhë.

 

Pezullimi i Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula

1713863646_121121.jpg

 

Shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula dhe James Doshi
 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:55
Pezullimi shefit të qarkullimit në Lezhë, djali i Tom Doshit përplasi me makinë gruan e një biznesmeni

1713863784_jamesdoshi.jpg

James Doshi, djali i ish-deputetit të PS-së, ka aksidentuar një çift bashkëshortesh rreth një muaj më parë më 17 mars.

Burime bëjnë me dije se 24-vjeçari ka përplasur makinën tip ‘Benz’ që drejtohej nga Lizë Jushi, e cila ka mbetur e plagosur nga aksidenti. Lizë Jushi thonë burime për Report Tv është gruaja e pronarit të hotel ‘Gjuetia’ në Lezhë Viktor Jushit.

Policia thotë se aksidenti është referuar dhe është pezulluar nga detyra Ismet Sula shef I Qarkullimit në Lezhë. Pezullimi i tij është kryer pasi ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar James Doshin, duke mos sekuestruar automjetin e tij të përfshirë në ngjarje, por duke ia lënë në ruajtje.

‘Në lidhje me pezullimin nga detyra, të Oficerit të Policisë Gjyqësore Nënkomisar I. S., me detyrë specialist/OPGJ në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, në DVP Lezhë, ju sqarojmë se: 

Më datë 17.03.2024, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, shtetasi J. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin tip “Lexus”, është përplasur me automjetin tip “Benz” me drejtuese shtetasen L. J., 55 vjeçe, banuese në fshatin Tresh, Lezhë, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, në spitalin e Lezhës, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.   

Në lidhje me këtë ngjarje rrugore, nga ana e Policisë Rrugore Lezhë janë kryer të gjitha veprimet  e para hetimore në vendngjare, konform ligjit, në konsultë me prokuroren e gatshme të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.  

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet janë referuar në Prokurori, më datë 18.03.2024, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore I. S., në ngarkim të shtetasit J. D., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ky rast është pasqyruar në komunikatën ditore  të datës 18.03.2024, në të cilën janë pasqyruar ngjarjet dhe aktivitetet ditore të strukturave të Policisë, përgjatë 24 orëve të datës 17.03.2024.

Më datë 15.04.2024, nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë është sjellë urdhri i ekzekutimit të vendimit penal të  Gjykatës së Lezhës, për caktimin e masës së sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të detyrës”, ndaj punonjësit të Policisë Nënkomisar I. S., pasi dyshohet se Nënkomisar I. S. ka shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasin J. D., duke mos sekuestruar automjetin e tij të përfshirë në ngjarje, por duke ia lënë në ruajtje.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka bërë pezullimin e mënjehershëm nga detyra, të punonjësit të Policisë I. S. dhe ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë të disiplinës.’- njofton policia.