Për pak minuta u pezullua numërimi në Himarë. Para se të hapeshin kutitë e fundit, Jorgo Goro ishte në avantazh me vetëm 179 vota diferencë përballë kandidatit të BF, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg për akuzën e shitblerjes së votës.

Kur u pezullua numërimi, pati edhe tensione jashtë Pallatit të Sportit. Një pjesë e qytetarëve, simpatizantë të Belerit janë të irrituar duke përdorur edhe fjalë ofenduese ndërsa një pjesë tjetër është gati që të festojë.

Gazetarja e Report Tv, Odeta Dume bën me dije se irritimi ka nisur pasi disa numërues u shkëputën nga puna për shkak të lodhjes. Një prej të pranishmëve thotë se është greke dhe mbështet Fredi Belerin që pretendon se do i kthejë pronën e gjyshërve e stërgjyshërve.

“Presim përfundimin e rezultatit. Ne jemi himariaotë dem babadem. Gjyshi stërgjyshi jemi grek. Për fat të keq kur u ndanë shtetet na mori Shqipëria. Jemi me shqiptarët tani, jemi miq, kemi miqësi, kemi krushqi. Edhe këta 2 djemtë që janë për Himarën janë djemtë tanë. Votat e Himarës nuk e di pse nuk janë realiteti që duhet. Qeveritë na kanë në sy të keq, nuk na duan. Na përfaqëson shoku Beleri. Dua të më kthehet prona e gjyshit e stërgjyshit”, tha e moshuara.

“Shqipëria ka mbetur karnaval”, tha një tjetër.

“Belerin duam. Atë kemi votuar dhe atë kemi mbështetur”, tha një tjetër.


Lajmi kryesor:

VIDEO/ Fredi Beleri kryebashkiak nga qelia për blerje votash, fiton në Himarë me vetëm 19 vota para Jorgo Goros! Simpatizantët e tij festojnë me flamuj grekë e thërrasin greqisht