Fredi Beleri, në burg për blerje votash, është shpallur fitues në bashkinë e Himarës me një rezultat shumë të ngushtë kundrejt kandidatit socialist Jorgo Goro. Fredi Beleri nga koalicioni i ‘Bashkë Fitojmë’ ka fituar me 19 vota para, ndërsa kutia e fundit vendosi fatin e fituesit. Fredi Beleri ka fituar 3837 vota në total, kundrejt 3818 vota që ka fituar Jorgo Goro.

Pas shpalljes së rezultatit, në Himarë ka shpërthyer festa nga mbështetësit e Belerit, por nga ana tjetër socialistët janë parë shumë të pikëlluar. Simpatizantët e Belerit u nisen drejt sheshit 'Omonia' duke valëvitur flamuj grekë nëpër makina, ndërsa kanë bërë thirrje edhe në greqisht.

Nga ana tjetër kreu i PBDNJ, Vangjel Dule në një prononcim për mediat tha se Fredi Beleri nuk kishte një kandidat rival, por të gjithë shtetin kundër tij, prandaj thotë se kjo fitore është mjaft e rëndësishme.

Fredi Beleri, i akuzuar për blerje të 8 votave për 40 mijë lekë, u la në burg nga gjykata e Vlorës, ndërsa pas vendimit shpalli mos kompetencë dhe dosja hetimore i kaloi SPAK. Ai u arrestua bashkë me truprojën e tij Panajot Kokoveshi, pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë për votat e 8 personave.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:32
Fitorja e Belerit/ Reagon Kryeministri grek Mitsotakis: I lumtur për lajmin, shpresoj që aventura e Shqipërisë të marrë fund

 

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka përshëndetur fitoren e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Belerin për Bashkinë e Himarës, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Në një fjalim nga Zografou, ai tha se ishte i lumtur për Belerin.

“Isha veçanërisht i lumtur kur u informova se në Himarë, Fredi Beleri ia doli dhe u zgjodh kryetar bashkie me një diferencë të vogël. Dhe uroj dhe shpresoj që kjo aventurë të marrë fund së shpejti. Rruga e Shqipërisë drejt Europës kalon përmes respektimit të të drejtave të pakicës kombëtare greke”, ka thënë Mitsotakis.

Me vetëm 19 vota para Fredi Bleri ka arritur që të fitojë kundrejt Jorgo Goros. Fredi Beleri ka fituar 3837 vota në total, kundrejt 3818 vota që ka fituar Jorgo Goro.

Ora 11:41
Fredi Beleri reagon nga qelia pas fitores: Mirënjohës për të gjithë ata që treguan burrëri, i mirëkuptoj të gjithë ata u nënshtruan terrorizmit

1684143753_3472360539988552246352591610672111531566976n.jpg

Fredi Beleri reagon nga qelia pas fitores.

"Demokracia fitoi! Himara fitoi! Mirënjohës për të gjithë ata që treguan burrëri. I mirëkuptoj të gjithë ata që terrorrizmi u mundua ti nënshtrojë. Sot nuk ka humbës dhe fitues, janë të gjithë qytetarë të Himarës dhe unë Kryebashkiaku i tyre dhe si i pari mes të barabartëve do të do të përparojmë së bashku që të bëhemi akoma më të fortë në mbrojtje të demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut!”, tha Beleri.

Ora 10:55
Shifrat/ Fredi Bleri fitoi me 19 vota para bashkinë e Himarës kundrejt Jorgo Goros

 

Me vetëm 19 vota para Fredi Bleri ka arritur që të fitojë kundrejt Jorgo Goros. Fredi Beleri ka fituar 3837 vota në total, kundrejt 3818 vota që ka fituar Jorgo Goro.

Ora 10:48
Dule: Ishte një triumf i Belerit, kishte kundër Ramën dhe gjithë shtetit

 

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule në një prononcim për mediat tha se Fredi Beleri nuk kishte një kandidat rival, por të gjithë shtetin kundër tij, prandaj thotë se kjo fitore është mjaft e rëndësishme.

“Dua të përsëris se e ndjej për detyrim që t’ju falënderoj për rolin tuaj që e kërkova që në momentin e parë, ishte pwrcaktues për të vërtetën. Nuk ishte thjesht një fitore, por një triumf për Fredi Belerin. Një padrejtësi ekstreme, më akuzonin se u braktisa në Himarë, ja rezultati, është një mësim i madh, duhet të jemi realist, është një mësim i madh kjo që po ndodh sot në Himarë, se nuk kishim përballë një forcë politike, një kandidat rival, kishte kryeministrin, qeverinë, strukturat shtetërore, gjithsesi fjala e fundit u takon qytetarëve. Fredi Beleri do jetë një shembull për bashkitë në vend, dhe kjo bashki do kthehet në një Bashki model”, tha Dule.

Ora 10:46
Mbështetësit e Fredi Belerit të ashpër me Ramën: Fituam me të, jo me Goron! S’jemi analfabet, flasim shumë mirë shqip

 

Mbështetësit e Fredi Belerit kanë dalë për të festuar në Himarë duke thënë se janë të gëzuar. Ata nuk kursejnë komentet për Edi Ramën duke thënë se e kishin betejën me të, jo me Jorgo Goron.

“Shyqyr që Perëndia ishte greke dhe jo shqiptare. E deshëm e votuam dhe jemi të gëzuar.

Flasim shumë mirë shqip. Nuk jemi analfabet. Ne fituam me Ramën, jo Goron. Fituam me atë që na thotë analfabet dhe na merret goja.

Vendos populli i Himarës se kë do, jo Edi Rama. Boll më, të njëjtën fjali cdo 4 vjet. Do vendosë populli i Himarës.

Jemi mikpritës. Duam vetëm zgjidhje për problemet tona”, thanë mbështetësit e Fredi Belerit.

Ora 10:28
VIDEO/ Mbështetësit e Fredi Belerit në festë, me flamuj grekë nëpër makina e duke thërritur greqisht shkojnë drejt sheshit Omonia

Mbështetësit e Fredi Belerit kanë shkuar në lokalit kur u arrestua për akuzat për blerje votash. Simpatizantët e Belerit u nisen drejt sheshit 'Omonia' për të festuar, ndërsa kanë bërë thirrje edhe greqisht. Me thirrjet në gjuhën greke ato tregojnë mbështetjen ndaj Belerit.

1684141864_himare.jpg

 

Festa me flamuj grek të mbështetësve Belerit
Ora 08:52
Pezullimi i numërimit në Himarë, mbështetësit e Belerit: E duam të na kthejë pronat e gjyshërve grek! Qeveritë na kanë me sy të keq, nuk na duan

Për pak minuta u pezullua numërimi në Himarë. Para se të hapeshin kutitë e fundit, Jorgo Goro ishte në avantazh me vetëm 179 vota diferencë përballë kandidatit të BF, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg për akuzën e shitblerjes së votës.

Kur u pezullua numërimi, pati edhe tensione jashtë Pallatit të Sportit. Një pjesë e qytetarëve, simpatizantë të Belerit janë të irrituar duke përdorur edhe fjalë ofenduese ndërsa një pjesë tjetër është gati që të festojë.

Gazetarja e Report Tv, Odeta Dume bën me dije se irritimi ka nisur pasi disa numërues u shkëputën nga puna për shkak të lodhjes. Një prej të pranishmëve thotë se është greke dhe mbështet Fredi Belerin që pretendon se do i kthejë pronën e gjyshërve e stërgjyshërve.

“Presim përfundimin e rezultatit. Ne jemi himariaotë dem babadem. Gjyshi stërgjyshi jemi grek. Për fat të keq kur u ndanë shtetet na mori Shqipëria. Jemi me shqiptarët tani, jemi miq, kemi miqësi, kemi krushqi. Edhe këta 2 djemtë që janë për Himarën janë djemtë tanë. Votat e Himarës nuk e di pse nuk janë realiteti që duhet. Qeveritë na kanë në sy të keq, nuk na duan. Na përfaqëson shoku Beleri. Dua të më kthehet prona e gjyshit e stërgjyshit”, tha e moshuara.

“Shqipëria ka mbetur karnaval”, tha një tjetër.

“Belerin duam. Atë kemi votuar dhe atë kemi mbështetur”, tha një tjetër.