Pjesëmarrja në Maratonën e Tiranës është kthyer edhe në një trend që po përqafohet edhe nga shumë prej figurave të njohura publike. Këngëtari Roland Hysi, i njohur për publikun si Landi i grupit “West Side Family” ishte një prej garuesve. E nëse jemi mësuar që t’i shohim si moderatore duke i dhënë shumë hijeshi ekranit, dy prezantueset bukuroshe Nevina Shtylla dhe Xhesika Trola vrapuan sot krahas atletëve profesionistë në rrugët e qytetit të Tiranës.
Nuk mungoi as prezantuesja e lajmeve Bruna Cifligu sëbashku me bashkëshortin e saj. Pjesë e garës së sotme ishte edheish-banori i Big Brother 3, Erion Zeqiraj që së fundmi do ta shohim si spiker.
Një nga pjesët më të bukura të Maratonës së Tiranës ka qenë dhe pjesëmarrja e djemve dhe e vajzave në uniformë. Mes ushtarakëve të shumtë pjesëmarrës në këtë garë, ishte edhe Gjeneralja e parë femër në Forcat e Armatosura të Shqipërisë në 106 vjet histori, gjeneral brigade Manushaqe Shehu si dhe shefi i Shtabit Bardhyl Kollcaku.
Pjesë e garës ishin edhe ambasadorë si dhe diplomatë të ndryshëm që punojnë në vendin tonë. Maratona e Tiranës rezultoi një sukses i vërtetë dhe një festë për kryeqytetin që e organizon për të tretin vit radhazi, duke e kthyer në një traditë të bukur zhvillimin e një prej garave më të vjetra dhe masive në botë. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, më shumë se 2500 vrapues, 350 nga të cilët të huaj, nga 40 shtete të ndryshme, garuan në tre kategori: “We too”, “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”.