Pikëpyetje: Çfarë do të ndodhë me LSI-në, tani?

Pikëpyetje: Çfarë do të ndodhë me LSI-në, tani?

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) u themelua më datë 6 shtator 2004, si “rebelim” i një grupi anëtarësh e funksionarësh të Partisë Socialiste me kryetarin e saj Fatos Nano. Nismëtari ishte ish-deputeti, ish-ministri, ish-kryeministri, Ilir Meta, aktualisht President i Republikës.

Kjo parti u mundua që të futet në politikë si një pol i tretë për të thyer binomin PS – PD. Dhe, në dy raste, ia ka arritur të jetë ajo që në gjuhën politike quhet kingmaker, pra përcaktuese për formimin e qeverisë nga njëra prej partive të mëdha.

Si PD e si PS, në kohë të ndryshme, kanë bashkëqeverisur me LSI-në. Mandatet e saj herë ishin të “arta” kur ishin pak, e herë pa asnjë vlerë politike ndonëse ishin shumë.

Po si është rrugëtimi i LSI-së në këto 17 vjet të ekzistencës së saj? Cili ka qenë rezultati i saj më i mirë elektoral: Kur ka garuar krah PD-së, krah PS-së, apo e pavarur nga të dyja? Ku ka vepruar me zgjuarsi e ku ka gabuar që, nga parti në pushtet, tashmë do i bëhen 8 vite opozitë.

Le të bëjmë një vështrim historik që nga zgjedhjet e para të saj, ato të vitit 2005, deri tek të fundit, të vitit 2021.

3 korrik 2005. LSI-ja garon për herë të parë në zgjedhje. Futet e vetme dhe është në opozitë me PS-në në pushtet. Fiton 1 mandat nga sistemi mazhoritar dhe 4 mandate nga sistemi proporcional, gjithsej 5 mandate. Merr 114.798 vota ose 8.4 për qind të numrit të votave të vlefshme. LSI-ja mbetet në opozitë, sepse PD-ja fituese nuk kishte nevojë për mandatet e saj.

28 qershor 2009. LSI-ja futet në koalicion me 5 parti të tjera të cilën e quajtën: “Aleanca Socialiste për Integrim”. Fiton 4 mandate nga sistemi proporcional rajonal. Merr e vetme 73.678 vota ose 4.85 për qind të votave të vlefshme.

Ndonëse paraprakisht bëri një fushatë të egër anti-Berishë me synim që të thithte sa më shumë vota nga elektorati i majtë, lidh koalicion bashkëqeverisës pikërisht me Sali Berishën duke i dhënë atij mundësinë për një mandat të dytë qeverisës. Kishte në dorë ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme duke mos e pranuar ofertën e Berishës, por tregohet pragmatiste dhe futet në qeveri, duke e lënë Partinë Socialiste në opozitë.

23 qershor 2013. LSI-ja vjen nga 4 vite bashkëqeverisje me PD-në. Lidh marrëveshje dhe futet në koalicion me Partinë Socialiste dhe me 35 parti të tjera që u quajt: “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Në këto zgjedhje fiton 16 mandate. Merr e vetme 180.470 vota ose 10.46 për qind të votave të vlefshme.

Bashkëpunimi parazgjedhor me Partinë Socialiste i katërfishon numrin e deputetëve, sepse në elektorat perceptohet se LSI-ja do qëndronte sërish në pushtet pas zgjedhjeve. Ky perceptim rezultoi i vërtetë sepse qeveria e re ishte pikërisht PS- LSI.

25 qershor 2017. LSI-ja refuzon për 3 muaj rresht ofertën e kryeministrit Rama për të vijuar koalicionin.. Fiton e vetme 19 mandate dhe merr 225.901 vota ose 14.28 për qind të votave të vlefshme.

Sulmin politik më të fortë në fushatën elektorale e pati nga Lulzim Basha i cili u betua se do ta çonte LSI-në për “skrap”. Edhe kryeministri Rama bëri akuza ndaj saj, por më së shumti me nënkuptime pa e përmendur me emër.

Deri ditën e zgjedhjeve LSI-ja pati ministrat e saj në kabinetin qeveritar dhe institucionet e varësisë. Në këto kushte, elektorati që e kishte votuar LSI-në 4 vjet më parë i qëndroi besnik duke besuar se ekzistonte mundësia që të kishte sërish një bashkëpunim PS – LSI, meqë PD-ja e deklaroi hapur se koalicion me LSI-në nuk do të ketë. Pas zgjedhjeve del në opozitë, sepse Partia Socialiste mori e vetme 74 mandate.

25 prill 2021. LSI-ja futet e vetme në zgjedhje dhe fiton 4 mandate. Merr 107.536 vota ose 6.81 për qind të votave të vlefshme. Përpara zgjedhjeve lidhi koalicion pas zgjedhor me PD-në me të cilën pati bashkëpunim të ngushtë gjatë 4 viteve në opozitë. Pati përplasje të forta me PS-në, kryetari i së cilës u angazhua se do ta çonte LSI-në për “skrap”. Ky sulm ndihmoi PD-në që të rritet duke iu rikthyer elektorati që i kishte marrë LSI-ja. Elektorati i PD-së i afruar te LSI-së e perceptoi qartë se pas zgjedhjeve nuk do të kishte koalicion PS – LSI, ndaj u kthye në bazë.

Sado që LSI-ja mbetet një formacion politik negativ në politikën shqiptare për shkak të mënyrës korruptive se si sillet në pushtet, në drejtimin institucional, të mënyrës së rekrutimit të burimeve njerëzore, etj., gjithsesi ajo është një realitet politik i cili nuk mund të nënvleftësohet.

LSI-ja luhatet midis një elektorati të qëndrueshëm prej 70 – 80 mijë votuesish i cili, në varësi të aleancave që lidh lidershipi i saj, shkon deri në 200 mijë votues. I takon këtij lidershipi që të gjejë mënyrat adekuate se si duhet të pozicionohet në përballjet e ardhshme elektorale me qëllim që të kthehet si një parti qeverisëse.

Gjithsesi, në zgjedhjet më të afërta, ato vendore 2023, PD dhe LSI janë të dënuara që të shkojnë së bashku. Në varësi të fuqisë së bashkëpunimit që do tregojë qendra dhe baza në këto zgjedhje dhe rezultatit që do arrihet, do të varet përfundimisht edhe e ardhmja e bashkëpunimit të këtyre dy formacioneve politike.

Kurse rikthimi i bashkëpunimit PS – LSI sot për sot konsiderohet i pamundur. Viti elektoral 2025, për momentin, është ende larg dhe deri atëherë vështirë që t’i parashikosh aleancat politike. Dinamika e ngjarjeve mund të jetë e tillë që e pamundura të duket lehtësisht e mundur, prandaj t’ia lëmë kohës t’i vërtetojë hap pas hapi aleancat tabu të së sotmes.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Rezultat historik për boksin shqiptar, Alban Bermeta mes 20 më të mirëve në botë (FOTO)

Rezultat historik për boksin shqiptar, Alban Bermeta mes 20 më të mirëve në botë (FOTO)