TIRANË, 3 Tetor / ATSH / - 20 piktorë nga Ballkani, të organizuar në një "koloni" profesionistësh, kanë mbërritur  në jugun shqiptar, në kërkim të motiveve të jetës. Pas Konispolit, stacioni i dytë ka qenë Saranda, ku ata kanë kërkuar të kontaktojnë  edhe me Kryetarin e Bashkisë, Stefan Çipa. Në takimin e realizuar, kreu i Bashkisë Çipa, ka "zbuluar" para krijuesve të penelit se çfarë është Saranda e sidomos se cili është vendi që i kanë bërë vetes artistët e çdo fushe të krijimtarisë. Çipa u tha piktorëve të huaj se Saranda, po aq sa është e këndshme dhe e kërkuar për të pushuar, është edhe frymëzuese për krijuesit e sidomos për piktorët, për të cilët ofron motive pa fund. Ai theksoi  se ka qenë një ndër sipërmarrjet më të vlerësuara të kësaj Bashkie ngritja e Galerisë "Art Saranda". Në të ekspozitat kanë ndjekur njera-tjeterën dhe brenda 3 vitesh numërohen më shumë se 20 autorë debutues  nga Saranda, nga emigracioni dhe diaspora, ndërkohë që kjo Galeri ka regjistruar më shumë se 12 mijë vizitorë.
Surpriza e grupit të piktorëve ballkanas ka qenë që dy prej punëve të këtij komunitetit piktorësh të mbeten njëra në mjediset e Bashkisë dhe tjetra në Galerinë "Art Saranda". U mirëprit kërkesa e tyre që në mjediset e Galerisë së Sarandës të çelet më  5 tetor ekspozita me punët e tyre më të reja nga inkursioni në jugun shqiptar./a.ke/