Piktori durrsak që “inçizon”me penel
në ngjyra “klithmën e pulëbardhave”

Piktori durrsak që “inçizon”me penel<br />në ngjyra “klithmën e pulëbardhave”
Në studion e piktorit durrsak Bajram Sallaku ndjehesh kurdoherë i surprizuar. Është një kozmos ngjyrash, me të cilat piktori krijon nje botë sa reale pamjesh aq edhe fantastike impresionuese. Një ndijim shijesh që trokasin në këtë hapësirë studioje me ritmin e një zemre artistike, që është e pangopur në realizimin e ideve befasuese, gjithnjë të veçanta dhe gjithnjë novatore. Për të cilat artisti vlerësohet nga miqtë dhe kolegët.

Sallaku është i njohur si peizazhist, që ka trajtuar kryesisht peizazhet durrsake dhe me gjerë me një koncept të veçantë dhe mjaft të arrirë artistikisht. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ai është pjesëmarrës në disa ekspozita kolektive dhe tashmë punimet e tij ndodhen në koleksionet private që nga Brescia e Milano në Frakfurt dhe Boston. Dhe të gjitha këto tablo kanë marrë rrugë nga kjo studio e tij.

Punimet e tij mund të numërohen me mijëra. Studioja, ku zakonisht ai punon në disa tablo thuajse njëherësh, ngjan me një fonderi ku shkrihen idetë dhe ngjyrat në një konglomerat pamjesh nga më  impresionueset. Këtë ka vërejtur edhe një juri ndërkombëtare kur i dha çmimin e parë në një konkurs pikture ndërkombëtare të zhvilluar në Itali. Ai ka kredo të punës së tij konceptimin e krijimit të një tabloje si një betejë.

Në të cilën duhet hyrë që në fillim me koncepte të qarta, që nga ideimi dhe deri në përfundim. Piktori Bajram Sallaku është nga më punëtorët në studio. Punon me orë të tëra nga mëngjesi deri natën vonë. Bajram Sallaku ka lindur ne vitin 1964. Ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë per pikturë në vitin 1988. Preferon rrymat impresioniste. Dhe ka si qëllim që, duke bërë diçka kundër rrymave tradicionale, të japë një lloj pikture tip performance të pikturës durrsake.

Idetë që percepton me penel
Në qytetin e Durresit janë hapur ekspozita të tij disa herë. Vizitorët kanë mbetur të tërhequar  në tablotë e paraqitura, pas një sinkronizimi pamjesh impresionuese të lojës së  penelit dhe të dallgëve me lëvizjen e lirë të erës. Kuratori i njërës prej ekspozitave, skulptori i mirënjohur durrsak Qazim Kërtusha, 6 vite më parë tha në një intervistë për mediat se pikturat e Bajaramit në ekspozitën “Emocion 2011” përshkohen nga forca e ngjyrave dhe e emocionit. Veprat e kësaj ekspozite, solli në vëmendje Kërtusha, janë si hallka të të njëjtit zinxhir që bëjnë që ekspozita të dhurojë emocione të shumta... Dhe kjo përparësi e stilit të Bajramit është bërë më shumëplanëshe tashmë, për të mos thënë më agresive, në kërkimet dhe eksperimentimet e përditëshme që ai aplikon.

Poezia e detit në tablo
Bajrami, në bisedë me të, thotë se të jesh piktor i mirë dhe i ndjeshëm duhet të kesh kaluar peripeci në jetë. Duhet të jesh rritur në vlagën e dashurisë për tokën, natyrën që të rrethon dhe të kesh synime për t'i transformuar edhe nëpërmjet artit tënd. Kështu ai tregon edhe se si ka evoluar në artin e vet që e ka dashuruar që në fëmijeri. Për të cilën ka nostalgji, nostalgji, që shpërthen edhe sot në mijëra nuanca ngjyrash e pikturash, nën një koncept të ri modern dhe të një morie eksperimentimesh me ngjyrat dhe objektet. Pikturën e parë që kam bërë, kujton Bajrami, ka qenë një gjel. Kam qenë në klasën e dytë të fillores.

Më pas një kalë. Po këto kanë qenë figurat që u jam rikthyer më shumë ndër vite, natyrisht, me forma të reja artistike që çojnë në ikonizimin e të dyjave. Më pas kam pikturuar gjelin e thjeshtëzuar, thotë ai duke treguar një pikturë. Po realisht nuk është aq e thjeshtë, pasi në këtë formë unë kam konceptuar një peizazh fshati, po në përmbajtje është det. Po krahas këtyre impresioneve, peizazhet e mëvonshme të figurave konceptuale kanë detin. Deti është pjesë e jetës sime. Më pëlqente kur e shikoja në distancë. Deti është gjithnjë i ri. Deti është jeta. Ai është gjallesë!

Nuk mbaj mend se sa piktura kam bërë për detin. Dhe s'kam të ngopur. Kur përfundoj një pikturë me det, më duket vetja si eksplorator që kërkon të gjejë një det tjetër, një “tokë” të re artistike… Një ndër punimet më të bukura të Bajramit është tabloja “Zhurma e Pulëbardhave”. Një tablo e kompozuar në telajo me dimensione 1.5 m x 1.3m. Kur e pyet për këtë vepër artistike, Bajrami thotë: “Jam përpjekur mundimshëm që të kap zhurmën e flatrave të pulëbardhave në ngritje, përplasjen e tyre me dallgët dhe ajrin, klithmat e tyre me etjen për kaltërsi. Gjatë punës kisha ndjesinë që boja në telajo, ashtu si shiritat e dikurshëm të incizimit, do ta përthithnin këtë zhurme pulëbardhash, ta përjetonin në kuadrin e një himni për detin që e adhuroj”! Po deti, është ngado.

Magjia emocionuese të shoqëron nga tabloja në tablo. “Një nudo në perëndim” është një tjetër nga gjërat e bukura e të shumta që sheh vizitori në studion e Bajramit. “Kam kërkuar të shkrij femrën nudo me perceptimin e rrezes së diellit në perendim dhe dihatjen e detit”, thotë Bajrami. “Është një nudo koncept e krijuar me frymën e ekspresionizmit. Çdokujt i pëlqen një nudo, por nuk mund ta shohë gjatë, si nuk mund të shohë gjatë as diellin në perendim kur puthet me horizontin dhe humbet në det, pasi zhduket shpejt... dhe shijon në heshtje më pas ëmbëlsinë e ngjyrave që dhuron ky spektakel”.
 
Bajram Sallaku piktori durrsak fituesi i çmimit të pare në Itali në konkursin “ngjyrat e kufijve”

Në vitin 2011, piktori Bajram Sallaku ka fituar trofeun e vendit të parë në konkursin e organizuar në sheshin qendror të qytetit historik të Mesanjës. Ka konkurruar me nje tablo të një tufe kuajsh konceptualë në revan... Mbase ishin kuajt e mbartur në subkoshiencë nga fëmijeria e hershme në brigjet e lagunave të mrekullueshme të Gjirit të Lalëzit, që një ditë artisti, i cili u rrit pranë tyre, vendosi t'i mobilizoje dhe t'i transformojë në art pa kufij dhe me këtë kavaleri paqësore të pushtojë Mesanjën... Kur u kthye nga Italia, tregonte se si fitoi çmimin e parë të pikturës në konkursin ndërkombëtar të zhvilluar në qytetin e Mesanjës "Ngjyrat e Kufijve". Ishte një konkurs i iniciuar nga Komuniteti Evropian për të promovuar turizmin mesdhetar.

Para pjesëmarrjes ai kishte paraqitur një CV, nga ku komisioni kishte përzgjedhur dy piktura, të cilat vetë piktori nuk i kishte vlerësuar aq shumë, pasi mendonte se kishte pasur të tjera me më shumë vlerë, por komisioni ato i kishte pëlqyer si nga ana konceptuale ashtu edhe nga teknika e realizimit artistik. Në konkursin e pikturimit live gara artistike kishte filluar paradite, ndërsa Sallaku thotë se kishte shkuar me vonesë pasdite dy orë para se të mbyllej eventi artistik. Edhe në këtë periudhë, kujtonte ai, për t'u ambientuar, sillesha sa tek hoteli tek sheshi, dhe kur u kërkua të dorëzonim punimet, unë kisha vetëm një afat 15 minutësh “për të marrë dhe për të dorëzuar telajon e bardhë”.

Në këto momente atij i vjen frymëzimi dhe hedh shpejt e shpejt sheshin e Mesanjës dhe portën hyrëse të kalasë me ngjyrat që kishte ideuar gjatë ecejakeve nga hoteli në Galeri dhe anasjelltas. Dëshiroja, thotë, që të fitoja, dhe atëherë konceptova një grumbull kuajsh dhe në mes të sheshit historik të Mesanjës ngrita tavalocin dhe lart kompozova një tufë kuajsh shumëngjyrësh që vraponin për të kapur trofeun e artistëve. Kërkova me urgjencë të bëja më të mirën si temë dhe në fund bëra veten time, duke e shoqëruar me simbolizëm mes artisteve të tjerë. “Për 15 minuta hodha në telajo gjithçka dhe në fund titullova:  “Triumfi i Artistëve”. Sot mendon se mbase ishte ai mobilizim “ kalorësiak” që e ndihmoi me një kapërcim vendimtar, i cili nuk zgjati veçse 15 minuta dhe që i siguroi fitoren.

 Dhe me kavalerinë e ngjyrave ai triumfoi: Juria e ka vlerësuar me çmim të parë. Dhe Sallaku pati jehonë në arritjen e trofeut. Puna u gjykua nga juria se "është shumë e mirë në drejtim të estetikës dhe konceptimit artistik". Shtypi vendas shkroi se “fituesi, z. Sallaku, Sheshin e Madh të qytetit tonë të vjetër e ka zgjedhur si një pikë e frymëzimit  dhe e ka konceptuar atë si një paletë, dhe të gjithë artistët pjesëmarrës në garë i ka përfaqësuar si ngjyra”... Bajram Sallaku është në kulmin e energjive krijuese. Pasi është rreth 55 vjeç. Kur ka arritur edhe pjekurinë e duhur artistike. Ai u ndie shumë krenar, siç rrëfen edhe sot, dhe mjaft i plotësuar shpirtërisht pasi atë çmim e kishte marrë në Itali, në një kryeqëndër të kulturës botërore. Ato ditë prof. italiane e pikturës dhe kuratore e konkursit të Mesanjës Rita Tondo ka thënë se “ Peisazhet në veprat e Bajram Sallakut janë të shprehura me penelata të shpejta dhe me një polikroni të ndezur dhe vibruese”.

bajram sallaku
Shtypi italian shkruan:
L’artista albanese Bajram Sallaku vince a Mesagne

L’artista albanese Bajram Sallaku ha vinto il primo premio della estemporanea di pittura “Arte in Centro” che si è svolta domenica 29 agosto per le vie del centro storico della Mesagne

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet klimatike, ekspertja në 'Studio Live': Shqipëria preket më shumë se çdo vend i Europës

Ndryshimet klimatike, ekspertja në 'Studio Live': Shqipëria preket më shumë se çdo vend i Europës