Piktori Enkelejd Zonja: Im at
adhuronte Enverin

Piktori Enkelejd Zonja: Im at<br />adhuronte Enverin
TIRANE- Enkelejd Zonja, një nga piktorët e rinj më të talentuar një vit më parë u shpërblye me çmimin Live Art 2013 për veprën “Kabareja e shallit të kuq”. Kjo vepër është pjesë e një serie pikturash, të cilat kanë si motiv nostalgjinë për shallin e pionierit që mbahej si uniformë në shkollat komuniste. Piktori kujtimin e fëmijërisë e bën objekt të tablove gjigante. E intervistojmë Enkelejdin pranë ekspozitës së tij, çelur në galerinë Zeta, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 6 prill 2014. Ndërsa jemi pranë tablosë “Vizitë në Plagë”, piktura nga e cila ka marrë emrin ekspozita, mësojmë se janë dy personazhe lideri komunist Enver Hoxha dhe babai i piktorit që duket se “e ka sakrifikuar” nëpërmjet ironisë për veprën. I përdor shpesh këto figura familjare, si veten, babanë, nënën në tablo, por forca e imazhit estetik i kapërcen individët të cilëve iu është referuar si model. Janë tablo universale të mbarsura me detaje dhe fluks pikturash dinamike që të mbajnë “skllav” të meditimit. Piktori rrëfen disa nga ngacmimet e para që iu kanë hapur rrugën, jo vetëm veprave të arrira, por edhe trofeve e suksesit brenda jashtë Shqipërisë.   
 
Enkelejd, ka ardhur koha që pas një karriere të zhvilluar jashtë Shqipërisë të vish edhe me një ekspozitë në vendin tënd. Çfarë i tregon ti publikut?
-Në fakt, kjo është ekspozita ime e parë këtu në Shqipëri. Si tematikë, si koncept e ka marrë ngacmimin nga një punë që unë kam bërë para dy vitesh, që titullohet “Vizitë në plagë”. Dhe punë të tjera u provokuan nga kjo tematikë për të marrë jetë në tablo të tjera. I gjithë koncepti i ekspozitës mbështetet në një lloj nostalgjie personale nga fëmijëria ime, çastet më të bukura të jetës sime në sistemin komunist. Por ngacmimi vjen edhe si një lloj nostalgjie e tim ati për rininë për jetën e tij në rini, e sidomos për nostalgjinë e tij për liderin e asaj kohe (Enver Hoxhën). Pra, ekspozita është mbështetur; në nostalgjinë dhe kontradiktën midis botëkuptimit dhe mentalitetit tim të një të riu që ka lindur në atë kohë, pra në atë botën tjetër dhe që ka pasur shansin të udhëtojë nëpër botën perëndimore, të jetojë andej, të kuptojë diferencën dhe të kuptojë deri diku mentalitetin dhe këndvështrimin e familjes, e tim ati kryesisht. Kjo gjë është sigurisht kontradiktore me mua gjithmonë.
 
Jam kurioze të pyes se çfarë të shtyn të rriskosh, të vësh “në lojë” vetë figurat e arrira të tablosë tënde. I pikturon portretet shumë bukur, detajet përpikmërisht, kur...papritur ti e godet tablonë me një lloj detaji ironik. Pse ke dalë në këto vepra mbi veten, saktësinë teknike si dhunti?
-Unë e vë anën teknike në shërbim të subjektit. Gjithmonë më intereson të shpreh konceptin në tablo.

enkelejd zonja
(Foto: Piktura 'Vizitë në plagë')Foto të tjera
 
E megjithatë, është një luks për ty që zotëron teknikën...
-Unë jam përpjekur që ta studiojë, që të punojë për ta arritur këtë lloj teknike. Janë vite të tëra sakrifice që nga jeta shkollore, por edhe për shkak të dhuntisë. Mbase tipin artistik e kam trashëguar nga im at, edhe pse ai s’u mor kurrë me art. Kjo teknikë është shumë realiste. Unë kam bërë dy punë me një stil realist, gati hiperealist, jo rastësisht, por qëllimisht për t’i dhënë një lloj dramaticiteti subjektit, për të krijuar një lloj impakti dhe këtë  lloj impakti unë e gjej në teknikë edhe për t’u mbështetur tek një lloj natyralizmi, te natyralizmi i barokut. Teknikisht si proces në punën time është klasikja në marrëdhënie me modelin, me dritën, me kostumografinë, me bocetin, me kompozimin dhe me dinamikën që krijon kompozimi.
Për shembull, ajo “vënia e gishtit në plagë” nuk është se e kërkova unë, mbase  e kërkoi im atë ndërkohë, ose mbase ishte një tendencë për t’ia sjell unë atij në vëmendje se e kishte harruar nostalgjinë, se ai e përjetonte duke parë vetëm anën e mirë të asaj periudhe, domethënë periudhën e rinisë së tij. Mbase unë në një mënyrë pak inkoshiente doja ta bëja atë që të merrte këtë lloj ndjesie.
 
Me pak humor, mund të themi se dashur pa dashur ngelet në histori diktatori dhe nostalgjiku. Si është ndjerë babai juaj pas kësaj performance?
-Shiko babai im është pak sportiv si natyrë. Ai në fillim e mori si shaka, megjithëse ishte ime më ajo që kur më pa se po filloja të pikturoja babanë tim me gishtin në plagën e liderit, sa herë kur kalonte në studio, më thoshte: “Shiko se po e tepron me këtë gjë që po bën”. Dhe unë me të qeshur i thosha: “një copë tablo është, mos beso tek fuqia e artit...”. Babait vërtet i pëlqente figura e liderit, por jo se ka pasur njohje nga afër me të.
 
Pse shkuan prindërit e tu nga Tirana në fshat, si ndëshkim nga sistemi apo për të kontribuuar?
-(Qesh). Prindërit e mi u shkolluan dhe u rritën në Tiranë dhe sistemi i dërgoi, siç ishte atëherë, për të kontribuar në fshatin Frakull të Fierit dhe aty ndodhi që lindëm ne fëmijët; unë vëllai e motra. Aty u rrita edhe unë deri në klasën e pestë. Pastaj ndryshoi sistemi dhe ne u kthyem përsëri në Tiranë.
 
Duket se tema e nostalgjive nga fëmijëria ka zënë shumë vend në veprën tënde...
-Kujtime e fëmijërisë i kam në blloqet e memorieve të mia, që më shfaqen sa herë me ato rrethinat kodrinat, ferrat, gjembat e Frakullës, me aventurat e fëmijërisë dhe në fund fare nuk më ndahet nga memoria shalli i kuq i pionierit. Ishte objekti që unë e ruaja më me fanatizëm. Ishte uniforma që kujdesesha me merak të madh. E ruaja të hekurosur dhe kur lozja ose laheshim në lumë unë e palosja me kujdes. Ishte lodra ime dhe unë vdisja për atë shall. Marrëdhënia me objektin lindi rastësisht. Unë nuk ia dija se çfarë simbolizonte..
 
Së fundi, le të bëjmë një rrugëtim në karrierën tënde. Si ike nga Shqipëria, çfarë more nga shkolla shqiptare dhe me çfarë sfidash u ndeshe kur shkove jashtë Shqipërisë?
-Unë kam një histori të larmishme rrugëtimesh, që nisin që nga mosha 15 vjeç, kur u regjistrova në skuadrën e futbollit me të rinjtë e Tiranës. Ëndrra ime ishte të bëhesha futbollist. Paralel kisha pasion edhe pikturën, por më shumë si hobi. Dështova me sukses tek ëndrra e parë. Për të mos ta zgjatur, ime më kishte parasysh që unë kisha disa vizatime në atë kohë dhe me tha “Me këto vizatime që ke, pse nuk aplikon për në Akademinë e Arteve?”. Aplikova me dyshim, kur e pashë veten që isha kualifikuar. Ishte një moment që unë duhet të vendosja, pasi kisha mbaruar edhe Akademinë e Sporteve; midis të punuarit për të sjellë fitime, apo për të filluar një rrugëtim të ri. Fillova Akademinë në Tiranë dhe pas dy vjetësh studimi pata fatin që të fitoja një bursë që të studioja në Akademinë Mbretërore të Suedisë dhe pastaj studimet i përfundova atje. U ktheva në Shqipëri, ku jetoj dhe punoj prej 7 vitesh. Gjatë kësaj periudhe më është dhënë mundësia që të jem i pranishëm në ekspozita e në rezidenca ndërkombëtare.

Shkrimi u publikua sot (1.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Të ardhurat nga doganat për korrikun 25 milionë euro më shumë se vjet, rritet konsumi produkteve të akcizës

Të ardhurat nga doganat për korrikun 25 milionë euro më shumë se vjet, rritet konsumi produkteve të akcizës