Piktori LLambi Blido rikthehet në
Galerinë Kombëtare me ekspozitë

Piktori LLambi Blido rikthehet në<br />Galerinë Kombëtare me ekspozitë
TIRANË - Pikturat e Llambi Blidos përfaqësojnë denjësisht zhvillimet e pikturës shqiptare, jo vetëm ato tematike që preferoheshin në periudhën e komunizmit, por edhe zhvillimet e nëndheshme që i jepnin një kahje të modernitetit pikturës shqiptare bashkë me Vilson Kilicën, Danish Junkiun, Edison Gjergon, Kel Kodhelin, Sali Shijakun, Abdurrahim Buzën e shumë të tjerë. LLambi Blido në moshën 75-vjeçare rikthehet pas shumë vitesh mungesë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ndërsa vuan fatkeqësinë e humbjes së shikimit, ai rikthehet si për t’i treguar publikut një rrugëtim të gjatë në pikturë dhe me vepra që kanë lënë shenjë. Një pjesë e veprave gjendet në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve.


Disa nga veprat e tij si “Vajza në pultin e komandimit” që gjenden në pavijonin e “Pikturës formaliste së Realizmit Socialist (1969-‘74)” dhe “Enika” në pavijonin e “Pikturës dhe skulpturës moderniste (1989-2001), kanë qenë veprat më të komentuara nga kritikët e artit për vlera artistike që kapërcejnë kufijtë e temës. Dikur emrin e tij e gjeje në ilustrimet e revistave të kohës për fëmijë, “Yllkat”, “Fatosi”, “Pionieri”, në ilustrimet e dhjetëra librave. Tani atë e ndesh më rrallë në jetën artistike të kryeqytetit.

Dhe kjo për një arsye madhore, ka dhjetë vjet që ai nuk shikon më. Por ai e ka ngadalësuar, por jo ndalur punën krijuese. Vetëm në vitet 2010-2011 ka bërë 84 punime në pikturë të linjës së tij abstrakte, që i ekspozoi këto ditë në galerinë “Didart”.

Llambi Blido asnjëherë nuk ra pre e formalizmit në veprat e tij. Faktin që ka krijuar në komunizëm, ai e shpjegon në këtë mënyrë: “Vetë artistët, nga praktika e tyre, duke punuar nga njëra vepër te tjetra, duke u ndikuar nga njëri-tjetri krijuan një front të gjerë, i cili përpunonte disa parafabrikate, në formë recetash, nga të cilat nuk dilje dot më, sepse po të dilje nuk ishe më i realizmit socialist. Më të talentuarit arrinin t'i zbatonin në mënyrë krijuese elementët artistikë dhe arritën të bënin vepra të mira”, thotë ai.

Një nga këta piktorë është dhe vetë LLambi Blido, sipas kuratorit të ekspozitës Llazar Taçi. “Llambi Blido përfshihet në ata piktorë që i dhanë frymëmarrje artit të realizmit socialist, duke i sfiduar kornizat me ngjyrat, emocionet dhe detajet e pasura artistike.”, thotë Taçi. Ndërsa vetë piktori Llambi Blido kujton përpjekjet sfiduese të kolegëve e tij për të cilët shprehet se “Disa artistë, në saj të talentit arrinin të nxirrnin vepra të mira. Shumë të tjerë nuk mundeshin dhe nxirrnin vepra të thata, të varfra, që ishin thjesht një propagandë vizuale, por nuk mund të ishin art”
 
Kush është Llambi Blido
Llambi Blido u lind në Strum të Roskovecit, në mars të vitit 1939. Pas Politeknikumit “7 Nëntori” në Tiranë, në degën Gjeologji – Miniera, ku u diplomua me Medalje të Artë, vazhdoi studimet në Fakultetin e Grafikës të Akademisë së Arteve “Rjepin” në Leningrad (Shën Petërburg). Me përkeqësimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve kthehet në Tiranë e përfundon studimet në Institutin e Lartë të Arteve Figurative, në degën e pikturës me pedagogë Vilson Kilicën dhe Danish Jukniun. Gjatë viteve 1965-1975 punon redaktor artistik në organet shtypit për fëmijë e më pas (1975-1987) piktor, pedagog pikture në Liceun Artistik “Jordan Misja”.

Në periudhën 1987-1991 emërohet inspektor për artin figurativ në Ministrinë e Kulturës. Nga viti 1992 e në vijim vazhdon aktivitetin artistik në krijimtari të lirë. Në vitin 1971 ekspozon punimet e tij të para. Një vlerë të veçantë paraqesin 70 vizatimet dhe 38 poezitë e botimit “Album –Vizatime lirike të viteve 1960-1980”. Blido është pjesëmarrës me ekspozita vetjake dhe të përbashkëta brenda dhe jashtë shtetit. Në vitin 1998, së bashku me Vilson Kolicën, Kujtim Buzën, Agim Zajmin e më vonë me Sali Shijakun, artistë të shquar, themeluan ekspozitën e përvitshme kombëtare të pikturës, të quajtur “Nëntori”, e cila u hap në Muzeun Historik Kombëtar.

Është ideator dhe bashkëorganizator i ekspozitës “Pranverë Art”,-aktivitet ky i përvitshëm artistik. Veç kësaj Llambi Blido njihet si estet arti. Në vitin 1999 përfundon monografinë “Shkolla ruse e Arteve Figurative dhe kontributi i saj i drejtpërdrejtë në shkollën shqiptare të Pikturës, Skulpturës dhe Grafikës”.


Redaksia Online
(E.Ç.çshqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

'Je zero me xhufkë!' Idajet Beqiri i përgjigjet Kalasë: Prandaj opozita ka vajtur në këtë derexhe e s'del nga skëterra ku e ka futur veten

'Je zero me xhufkë!' Idajet Beqiri i përgjigjet Kalasë: Prandaj opozita ka vajtur në këtë derexhe e s'del nga skëterra ku e ka futur veten