Një debat i ashpër politik ka shpërthyer në Spanjë për fatin e një prej veprave më të famshme në botë, “Guernica” të Pablo Picasso.
Në qendër të përplasjes është kërkesa e autoriteteve baske për ta zhvendosur përkohësisht pikturën nga Muzeu Reina Sofía në Muzeu Guggenheim Bilbao, në kuadër të 90-vjetorit të bombardimit të qytetit Guernica.
Kjo kërkesë ka sjellë debate të forta mes politikanëve.
Presidentja e Madridit, Isabel Díaz Ayuso, kundërshtoi idenë duke deklaruar: “Nuk ka kuptim që gjithçka të kthehet në origjinë. Në atë rast duhet t’i dërgojmë të gjitha veprat e Picasso-s në Malaga”.
Ajo theksoi se kultura është universale dhe paralajmëroi se zhvendosja e veprës mund të sjellë rrezik për dëmtimin e saj.
Por reagimi nga pala baske ishte i menjëhershëm. Lideri nacionalist Aitor Esteban e quajti Ayuso-n “provinciale”, duke ironizuar edhe mënyrën si ajo e koncepton identitetin kombëtar.
Në debat u përfshi edhe presidenti i rajonit bask, Imanol Pradales, i cili ngriti tonet:
“A ka guxim qeveria ta zhvendosë ‘Guernica’-n? Nxorrën Francisco Franco nga varri dhe nuk lëvizin dot një pikturë?”, u shpreh ai.
Por përtej politikës, ekspertët paralajmërojnë për rrezik real ndaj veprës.
Muzeu Reina Sofía ka publikuar një raport teknik ku këshillon qartë që piktura të mos zhvendoset. Sipas specialistëve të konservimit, “Guernica” është në një gjendje shumë delikate dhe transporti mund ta dëmtojë seriozisht.
Ata rendisin disa rreziqe konkrete: dridhjet gjatë transportit mund të shkaktojnë çarje të reja në telajo, lëvizjet mund të dëmtojnë strukturën, ndërsa shtresa e bojës rrezikon të shkëputet.
Për më tepër, vepra ka udhëtuar mbi 30 herë në të kaluarën, çka e ka bërë edhe më të ndjeshme.
Edhe Ministria e Kulturës në Spanjë mbështet këtë qëndrim. Ministri Ernest Urtasun ka theksuar se ruajtja e trashëgimisë kombëtare është prioritet dhe ekspertët prej kohësh kanë qenë kundër zhvendosjes së pikturës për shkak të gjendjes së saj.
Kjo nuk është hera e parë që refuzohet një kërkesë e tillë. Në vitin 2000, muzeu refuzoi edhe një kërkesë nga Muzeu i Artit Modern në New York për të njëjtat arsye.
Nga ana tjetër, autoritetet baske këmbëngulin se zhvendosja e “Guernica”-s do të ishte një akt simbolik i “riparimit historik” dhe kërkojnë që ajo të ekspozohet në Bilbao nga 1 tetori 2026 deri më 30 qershor 2027.
“Guernica”, ndodhet në Madrid që prej vitit 1992 dhe mbetet një simbol global kundër luftës. Vepra pasqyron bombardimin e 26 prillit 1937 gjatë Luftës Civile Spanjolle, një nga ngjarjet më tragjike të asaj kohe.
Italia, aleate e gjeneralit Francisco Franco, e përdori bombardimin si një eksperiment të hershëm të bombardimeve ajrore ndaj civilëve.
Vlerësimet për numrin e të vrarëve në Guernica variojnë nga 126 deri në 1 mijë e 654, por vepra e Picasso-s u bë një simbol ndërkombëtar i tmerrit të luftës. Ai e pikturoi menjëherë pas ngjarjes dhe u ekspozua në Ekspozitën Ndërkombëtare të Parisit në vitin 1937. Më pas udhëtoi në Europë dhe SHBA, ndërsa gjatë diktaturës së Franco-s, Picasso kundërshtoi kthimin e saj në Spanjë, duke bërë që për shumë vite të qëndronte në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në New York.
Komente








