QSUT po përballet me një fluks të shtuar pacientësh për shkak të virozave dhe gripit sezonal. Vetëm në infektiv, çdo ditë paraqiten mbi 100 persona për të marrë ndihmë mjekësore në urgjencë, ndërsa gati gjysma e tyre kanë nevojë për shtrim spitalor.
“Virozat edhe gripi kryefjala e diagnozave. Çdo shërbim 24 orësh, e pakta e rasteve të paraqitura, në ditët tona më të mira janë diku tek 100 raste. Përgjithësisht po themi që diku tek 30, 40% e rasteve që paraqiten në urgjencë, janë absolutisht kandidatë për hospitalizim. Numri i njerëzve që tentojnë të bëjnë mjekime në shtëpi me iniciativën e tyre, pa u paraqitur tek mjeku i familjes ose tek neve, sa vjen dhe po zvogëlohet. Dhe kjo është diçka për t'u duartrokitur vërtet",- thotë Migena Qato, mjeke infeksioniste, në QSUT.
Sipas mjekes infeksioniste Migena Qato, pacientë të të gjitha moshave paraqiten kryesisht me simptoma të gjendjes gripale. Më të rrezikuarit mbeten personat mbi 50 vjeç, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje kronike shoqëruese.
“Simptomat me të cilat paraqiten janë të ndryshme. Duke filluar që nga simptomat më të lehta, të cilat paraqiten me temperaturë, me dhimbje të lehta muskulare. Simptoma që mund të themi që nuk e invalidizojnë pacientin dhe ta detyrojnë të qëndrojë në shtrat atë, dhe që absolutisht janë subjekte që mund të trajtohen me mjekim simptomatik, në kushte shtëpie. Për sa i përket atyre simptomave të cilat janë më shqetësuese, këto që unë përmenda pak më sipër, por që janë në intensitet shumë të fortë, dhe që shoqërohen dhe me në komplikacione siç janë bronkopneumonitë që në këto momente janë shqetësimi ynë kryesor",- thotë Qato.
Në lidhje me virusin e ri “Nipah” që po qarkullon në Indi, Qato thotë se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar në vendin tonë.
“Raste të gripit në fjalë, neve nuk kemi konstatuar ende. Nëse do vij, do jemi gati",- thotë Qato.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, mbi 18 mijë e 500 qytetarë paraqiten çdo javë në qendrat shëndetësore dhe spitalore në të gjithë vendin me infeksione respiratore.
Komente











