Piku i sezonit turistik sjell fluks të shtuar në porte e pika kufitare.  Në Portin e Vlorës vetëm këtë të diel pritet të mbërrijnë rreth 2700 pasagjerë përmes tre trageteve të linjës Brindisi-Vlorë.

Krahas tyre, në port pritet të hyjnë rreth 700 automjete. Për të përballuar numrin e lartë të udhëtarëve dhe për të shmangur radhët e gjata, Policia Kufitare ka shtuar sportelet e kontrollit nga 8 në 12.

Mes pasagjerëve ka edhe shumë turistë italianë, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore. Një pjesë qëndrojnë në Vlorë, ndërsa të tjerë vijojnë drejt destinacioneve turistike të jugut.

Edhe në portin e Durrësit flukset janë të shtuara. Vetëm përgjatë paradites së të dielës mbërritën 4 tragete me 5359 pasagjerë dhe 1564 automjete. Ndërsa në mbrëmje pritet të mbërrijnë edhe 2 tragete të tjera.

Mbi 19 mijë udhëtarë dhe 4 mijë automjete u regjistruan në pikën e kalimit kufitar në Morinë, vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit.

Kakavijë në 24 orët e fundit janë shënuar 12.273 kalime nga të cilët 8523 udhëtarë në hyrje dhe 3750 në dalje, si dhe 3735 mjete në total.

Fluksi i automjeteve që vijnë nga Greqia ka krijuar radhë të gjata në pjesën greke, ndërsa qytetarëve u duhet të presin mesatarisht dy orë për të kaluar pikën kufitare në Kakavijë.

Në pikën kufitare të Kapshticës janë regjistruar 8,630 hyrje dhe 3,769 dalje, ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë 6,174 shtetas dhe kanë dalë 5,070 të tjerë. Në total, vetëm përmes këtyre dy pikave kufitare janë regjistruar 14,804 hyrje dhe 8,839 dalje, ose 23,643 lëvizje në të dy drejtimet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:56
Fluks i lartë në Morinë, mbi 19 mijë qytetarë hynë në Shqipëri për tre orë

1785055137_morine.jpg

Fluksi i lëvizjeve në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës në verilindje të vendit vijon të jetë i lartë në kulmin e sezonit veror. Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, nga ora 05:00 deri në orën 08:00 të kësaj të diele kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë 19.249 persona.

Gjatë të njëjtës periudhë janë përpunuar në hyrje edhe 4.274 automjete.

Shifrat tregojnë një fluks të lartë hyrjesh nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërsa shërbimet e Policisë Kufitare vijojnë punën për përballimin e lëvizjes së shtuar të qytetarëve dhe automjeteve në këtë pikë kufitare

Ora 11:41
Dyndje udhëtarësh në Portin e Durrësit, mbi 5 mijë pasagjerë zbarkojnë në pak orë, në mbrëmje priten edhe dy tragete

1786105038_dyui.JPG

Porti i Durrësit po përballet me fluks të lartë udhëtarësh edhe gjatë kësaj të diele, në kulmin e sezonit veror. Deri tani kanë mbërritur katër tragete, nga të cilat kanë zbritur 5.359 pasagjerë dhe 1.564 automjete.

Lëvizjet pritet të vijojnë edhe gjatë orëve të mbrëmjes, pasi në port do të mbërrijnë edhe dy tragete të tjera. Autoritetet po vijojnë punën për përballimin e fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve që ka pësuar rritje në kulmin e sezonit veror.

Ora 11:20
Fluks i lartë lëvizjeje në Kakavijë e Qafë Thanë, mbi 23 mijë persona kaluan kufirin në 24 orët e fundit

Pika e Kalimit Kufitar të Kakavijës vijon të përballet me fluks të lartë lëvizjesh në kulmin e sezonit veror. Gjatë 24 orëve të fundit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë përpunuar gjithsej 12.273 shtetas në hyrje dhe dalje. Sipas të dhënave zyrtare, 8.523 persona kanë hyrë në Shqipëri, ndërsa 3.750 kanë dalë nga vendi.

Po gjatë kësaj periudhe janë përpunuar edhe 3.735 mjete, nga të cilat 2.597 në hyrje dhe 1.138 në dalje.

Me këtë fluks më të lartë hyrjesh në territorin shqiptar shërbimet në pikën kufitare po vijojnë punën për përballimin e lëvizjes së shtuar të qytetarëve dhe automjeteve gjatë sezonit veror. 

Edhe në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës është regjistruar lëvizje e lartë. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri 6.174 shtetas, ndërsa 5.070 të tjerë kanë dalë nga vendi.

Në total, vetëm përmes Kakavijës dhe Qafë Thanës janë regjistruar 23.643 lëvizje, nga të cilat 14.697 hyrje dhe 8.820 dalje. Fluksi më i lartë në hyrje lidhet me kulmin e sezonit veror dhe kthimin e emigrantëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit, ndërsa autoritetet kufitare vijojnë punën me kapacitete të shtuara për të menaxhuar lëvizjet dhe për të reduktuar kohën e pritjes për qytetarët.