Lomi është miku i fëmijërisë së xhaxhait tim. Sa herë që xhaxhai vjen në Shqipëri, një pjesë të kohës e kalon me të. Ndoshta edhe pse është nga të vetmit miq që i kanë mbetur nga ato kohë të largëta.

Rreth vitit 1993, Lomi dhe nëna e tij, të kthyer nga internimi, arritën të hapnin një kioskë modeste pranë Piramidës. Me emrin “Xhokonda”, kioska ishte një nga ato të shumtat që mbinë në Tiranën e atyre viteve. Interesante është se kioska e Lomit (këtë fakt e mësova shumë më vonë) ishte ngritur pikërisht në ish-oborrin e shtëpisë së gjyshit të tij. Shtëpinë e vjetër, që edhe unë e mbaj mend turbullt, për shumë vite e përdorën si seli diplomatike të Ambasadës së Vietnamit. Ajo u ishte marrë pronarëve të ligjshëm pas Luftës.

Ne mesin e viteve 70, i ati i Lomit, oficer marine në anijen tregtare “Durrësi”, u burgos për agjitacion dhe propagandë, në të ashtuquajturin “grupi i nipit të Hysni Kapos”. Lomi, atëherë djalosh i ri që kishte mbaruar Liceun Artistik, u dërgua në gurore, pastaj ushtar xhenio, pastaj në burg dhe më pas, bashkë me nënën, u internua.

Lomi ka qenë një personazh i fëmijërisë sime. Eksentrik, muzikant, njohës i gjuhëve të huaja, me flokë të gjata e me xhinse (diçka e pazakontë për ato kohë), ai ishte pjesë e grupit të shokëve të xhaxhait tim, secili më rebel se tjetri. Xhaxhain tim, pasi mbaroi Liceun, e “futën” në shkollë ushtarake, por ai mbeti një personazh rebel dhe miqësinë me Lomin e ruajti në mënyrë klandestine.

Pas internimit të gjatë, pas rënies së sistemit, Lomi e ngriti kioskën e tij në oborrin e gjyshit, tashmë një copë lulishte pa bar që rrethonte Piramidën e braktisur, të vandalizuar e të shpartalluar. ( ish Ambasada ishte prishur për t’i hapur rrugë Piramidës)

Me shpirt artisti, Lomi mbolli lule, mbolli bar dhe e ktheu kiosken në një oaz të vogël paqeje në Tiranën e zbrazët të viteve ’90. Ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje ishte fakti që ai nuk e zgjeroi kiosken. Thjesht një kioskë e vogël, me karrige modeste, e pastër dhe plot me lule. Shpesh ulesha te kioska e Lomit edhe për respekt ndaj mikut të xhaxhait, por edhe sepse ishte një copëz e këndshme e Tiranës së asaj kohe. Ndërkohë që Lomi vazhdonte jetën e tij duke shërbyer në kioskë, Piramida, e cila kishte kaluar plot ngjarje mbi kurriz, u zhvesh edhe nga mermeri i shtrenjtë. Mbaj mend se disa deputetë të Partisë Socialiste premtuan se do t’i çonin para drejtësisë ata që e grabitën.

Zhvillimet e vrullshme në Tiranë sollën një aksion të gjerë për prishjen e kioskave. Radha i erdhi edhe zonës së Piramidës. Më kot Lomi dhe e ëma e moshuar shkuan në të gjitha zyrat e kohës, jo për të kërkuar mosprishjen e kioskës, por për t’u njohur trualli i shtëpisë së gjyshit të tyre. Me gjithë letrat e trashëgimisë në dorë, Lomi kërkoi që ajo copëz toke t’i njihej si trashëgimi, por më kot. Kioska u prish dhe, bashkë me të, edhe çdo përpjekje e Lomit për të rimarrë oborin e gjyshit.

Në kohën e qeverisjes së dytë të Berishës, nëse lexuesve u kujtohet, ish-kryetarja e Parlamentit, zonja Topalli, shpalli një projekt për prishjen e Piramidës. Ideja për ndërtimin e Parlamentit të Republikës në truallin e Piramidës u mbështet me plot zell nga Qeveria e kohës. Por u desh një përpjekje e madhe e disa zërave të fortë intelektualë në Tiranë, të cilët arritën të mblidhnin rreth vetes një numër të madh njerëzish për të protestuar për ruajtjen e Piramidës si një pikë e rëndësishme e memories kombëtare. Zërave kundërshtues iu bashkua edhe një prej intelektualëve të njohur nga Izraeli, prof. Solar, në atë kohë drejtor i një prej qendrave më të rëndësishme të trashëgimisë në botë, Getty Center.

Pas shumë debateve publike, zonja Topalli hoqi dorë nga ideja e prishjes dhe godina shpëtoi.

Në periudhën e kohës së “Lalit”, Piramida e famshme e Tiranës iu nënshtrua një restaurimi thelbësor. Nuk dëshiroj të shkruaj mbi procesin, fondet, përfshirjen e arkitektëve të huaj e kështu me radhë. Por si një nga zërat e dikurshëm, krah Maks Velos, Ardian Klosit, Lubonjës, Lames, Shkrelit e plot të tjerëve, sigurisht dëshiroja shumë që Piramida të ruhej dhe të kthehej në një gjendje funksionale. Prandaj ideja e Bashkisë së Tiranës dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për krijimin e një qendre teknologjike ballkanike m’u duk jashtë mase interesante. Pra Qendra Ballkanike e cila me mjaft krenari iu prezantua edhe ish Sekretaritt e Shtetit Amerikan në vizitën e tij në Tiranë.

Nga distanca e kam ndjekur projektin me shpresën se Piramida, një nga godinat e pakta të projektuara nga arkitektë shqiptarë, godinë simbolike e lidhur ngushtë me një periudhë të sistemit diktatorial si dhe “tempull” për kultin e Enver Hoxhës, do të restaurohej plotësisht në formën e saj të dikurshme.

Nuk jam arkitekt, as kritik arti për të folur mbi atë që i ndodhi Piramidës. Thjesht një dashamirës i trashëgimisë dhe qytetar që e ka parë nga afër transformimin historik të kësaj godine. Person që ka ngritur zërin për ruajtjen e saj si dëshmi e rëndësishme për brezat që do të vijnë, për të rrëfyer pjesë të historisë së Shqipërisë moderne.

Nga ky këndvështrim, mund të them me plot zë se jam i zhgënjyer. Jo vetëm nga transformimi pa shije i godinës, nga vendosja e nja dy arinjve prej kauçuku në hyrje të saj, nga kthimi i saj në një shkallare turistike, por nga mungesa e theksuar e kontekstit historik, mungesa e rrëfimit të historisë së saj, por më shumë se kaq, nga dhunimi i peizazhit dhe krijimi i një sistemi të panevojshëm kafenesh në qendër të Tiranës, me kioska të shëmtuara prej betoni.

Nëse Piramidës së famshme do t’i duheshin patjetër disa kioska, a nuk do të ishte më mirë që ato të ishin të thjeshta, modeste, prej druri, plot me lule, si dikur kioska e Lomit?

Sepse në fund, çështja nuk është te kioskat. As te betoni, as te arkitektët e huaj, as te fondet. Çështja është te kujtesa.

Piramida nuk është një ndërtesë neutrale. Ajo është një sediment historie, nga hapësirë vilash në periudhën e monarkisë, në tempull të kultit të një diktatori e më pas në rrënojë të tranzicionit. Sot një strukturë e “modernizuar” që përpiqet të harrojë veten pa e rrefyer te shkuaren e saj. Por një shoqëri që nuk rrëfen ndershmërisht historinë e vet, rrezikon ta zhdukë atë. Prandaj rrethimi me Kioska betoni që nuk mbartin as histori, as plagë dhe as kujtesë është thjesht një formë. Dhe forma, kur humbet shpirtin, bëhet dekor.