Piramidat e reja të zgjedhjeve

Piramidat e reja të zgjedhjeve
Fushata elektorale ka disa kosto financiare: shuma që paguhet nga buxheti i shtetit, shuma që paguhet nga donacionet e huaja për zgjedhjet, shuma që paguajnë vetë partitë politike, shuma që paguajnë kandidatët dhe së fundi, shuma që paguan ekonomia dhe shoqëria. Referuar të dhënave zyrtare qeveria ka dhënë 723 milion lekë për KQZ-në në funksionet e tij zgjedhore. Përmes akteve shtesë, shifra zyrtare e dhënë nga buxheti shtetëror është rreth 7.5 milion euro.

Një vend tjetër paralel për blerjen e pajisjeve për numërimin elektronik dhe verifikimin e kartave të identitetit nxjerr nga buxheti shtetëror edhe 4.2 milion euro të tjera. Donatorë ndërkombëtarë me programet e tyre të asistencës, monitorimit, etj, në kuadër të ndihmës për Shqipërinë kanë përllogaritur një buxhet që luhatet nga 1.5 në 1.7 milion euro. Vetë partitë politike (66) në garën elektorale prej muajsh kanë mbledhur fonde rezervë, të cilat deklarohen pas zgjedhjeve. Sipas të dhënave informate nga dy selitë kryesore politike dhe praktikës së zgjedhjeve të kaluara secila nga partitë e mëdha politike përllogarit shpenzime elektorale që variojnë nga 5-7 milion euro.

Për ta ilustruar shpenzimin, le të shohim një aspekt konkret. Një aktivitet kombëtar në Pallatin e Kongreseve, me të gjithë komponentët e tij (reklamë, ftesa, qiraja, sjellje pjesëmarrësish, regjia qendrore, skenografia, etj), kushton rregullisht 25-30 mijë euro. PD ka zhvilluar deri tani 7 aktivitete të tilla, PS 5 të tilla, pra së bashku kanë harxhuar rreth 270-360 mijë euro. Një miting i madh në një qytet, gjithashtu me të gjithë kompetentët e tij, në rastin më të lirë kushton midis 5-10 mijë euro. Dy partitë kryesore kanë organizuar deri tani 18 mitingje të tilla, pra me një shifër minimale që varion në 90-180 mijë euro.

Në raste si mitingu në Tiranë, shifra dyfishohet, diçka rreth 30-50 mijë euro, duke e fryrë akoma më shumë këtë faturë. Nëse analizojmë më pas marrjen me qira të zyrave elektorale (210 në gjithë Tiranën dhe disa qindra në gjithë vendin, secila prej tyre me qira dymujore që varion 100-200 euro dhe secila me një kompletim minimal që shkon 4-5 herë më shtrenjtë, përllogariten disa qindra e mijëra euro të tjera shpenzime. Nëse kjo shifër, përllogaritet me numrin e madh të partive që kanë potencial dhe prezencë me aktivitete të tilla publike, p.sh, aktivitetet e përditshme të LSI, etj, mund të flitet për një faturë financiare që tejkalon shifrën e dhënë nga buxheti i shtetit për KQZ-në dhe zgjedhjet.

Pagesa ekstra janë ato që parashikohen të paguhen si reklama televizive, për transmetimet direkt në media, për fletëpalosjet, për reklamat në publik, për trajnimin e komisionerëve dhe pagesën e besnikërisë së tyre ditën e votimit/numërimit, për ngritjen dhe funksionimin e shtabeve zgjedhore dhe mekanizmave të ruajtjes së votës, për sistemin ndërlidhës, për pritjen e delegacioneve të huaja mbështetëse, për firmat e lobingut ndërkombëtar, për sondazhe dhe exit pools, për flamujt, postera, automjete lëvizëse, regji qendrore, prodhim të kasetave filmike, etj, etj.

Të gjitha këtyre shpenzimeve u shtohen miliona të tjera të parashikuara indirekt, përmes shfrytëzimit të mjeteve shtetërore e publike në dispozicion. P.sh, kur kryeministri lëviz në një rreth bashkë me të lëvizin edhe 50-70 gardistë, mjete sigurie, policia dhe shërbimi sekret, stafi i kryeministrisë dhe medieve zyrtare, funksionarë shoqërues dhe autoritete lokale, - të gjithë të paguar nga taksat publike. E njëjta gjë ndodh edhe me kryetarët e partive që kanë pushtete ekzekutive, siç janë ata me kryetarë bashkie, kryetarë komunash, etj, buxhetet financiare të cilëve vihen tërësisht në dispozicion të fushatës.

E gjithë kjo pjesë e shpenzimeve nuk llogarit kontributet informate që paguan biznesi, direkt ose indirekt, me para në dorë, në xhirollogari ose me mjete në dispozicion, p.sh, me karburant, salla mbledhjesh, automjete, mjete reklamimi, foni, etj. Këto shifra janë të paverifikueshme, por nëse i referohemi të paktën dy rasteve publike të denoncimit gjatë legjislaturës së kaluar, në dy rastet biznesmenët kanë denoncuar se shifra e paguar prej tyre ka qenë 200-300 mijë euro.

Nëse e konsiderojmë shpenzim elektoral edhe shumën që biznesi politik ka paguar, pra kandidatët që vijnë nga biznesi dhe që e justifikojnë atë me blerjen e vendit në listën e kandidimit ose kontributit vullnetar, shpenzimi i biznesit merr përmasa alarmante dhe është shumëfish më i lartë sesa ai që deklarohet në tabelën e të dhënave në KQZ. Për më tepër, kandidatët biznesmenë vendosin në funksion të fushatës mjete teknike të punës, stafin e punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve, partnerët e biznesit, mjedise mbledhjesh dhe takimesh, etj, duke e thelluar faturën e financimit të paverifikueshëm elektoral.

Në rastin më të mirë e gjithë fatura e zgjedhjeve shkon 20-25 milion euro (fushatat inaktive) dhe deri 3-5 herë më shtrenjtë në fushatat e ashpra konkurruese. Zgjedhjet e vitit 2013 kanë tregues të shumtë të hyjnë në fushatat e ashpra konkurruese, ndaj edhe shpenzimet pritet të jenë shumë më të mëdha sesa më 2009 apo 2011. Bilanci është dyfish negativ: në një terren kaq abuzues dhe informal është gati e pamundur të evitohet shitblerja e votës dhe të garantohet siguria, ndershmëria dhe transparenca e procesit zgjedhor.

Pasoja e dytë negative është se subjektet financuese janë të prirur ta ushtrojnë pushtetin politik në mënyrë të tillë që të kompensojnë humbjet elektorale dhe të shtojnë pasurinë e tyre, ndaje dhe kanë hyrë në politikë. Pra ata parashikojnë të përfitojnë nga posti dhe paraja publike për të balancuar humbjet elektorale dhe për të rritur pasurinë, - një ofertë e hapur e mbajtjes së gjallë të sistemit korruptiv dhe abuzues politik.

Aspekti i dytë ekonomik i fushatës lidhet me raportin e partive me biznesin, rolin e buxhetit publik dhe raportin e shtetit me treguesit makroekonomikë. Për shkak të natyrës së fushatës (jetë a vdekje për fitore elektorale) i gjithë shteti është në fushatë, nuk ka limit ndarës midis shtetit e partive, midis administratës publike dhe shtabeve elektorale, midis buxhetit shtetëror dhe buxhetit partiak elektoral. Çdo qindarkë e fundit është programuar të shndërrohet në asfalt elektoral, dhuratë për grupe të caktuara sociale, reklamë apo mjet tjetër që gjeneron vota elektorale.

E bërë kjo në pushtet qendror nga e djathta dhe në pushtet lokal nga dy palët, buxheti publik rrezikon të gjejë vendin me 24 qershor në prag të falimentimit, pavarësisht fituesit formal të zgjedhjeve. Për më tepër, periudhat zgjedhore shoqërohen me stepjen e biznesit të huaj për investime në Shqipëri, për devijim të produkteve të biznesit privat në shërbim të partive të veçanta dhe për rënie të dukshme të prodhimit, konsumit dhe kështu, edhe të pritshmërisë nga mbledhja e taksave apo të ardhurat doganore.

Aspekti i tretë lidhet me vizionin e partive pretendente ndaj ekonomisë. Të gjithë diskutojnë dallimet midis taksës së sheshtë apo progresive dhe harrojnë “një detaj” tjetër më me rëndësi. Palët prezantojnë programe dhe premtojnë pafundësisht lehtësi financiare, vende pune, mbështetje për grupe sociale, rritje rrogash, trajtim preferencial, projekte rrugësh, etj, të gjitha të pashoqëruara me kosto financiare, pra pa një plan se nga do të vijnë këto burime.

Duket se kryetarët e dy-tri partive kryesore i ngjajnë plakut të vitit të ri që kanë një thes me dhurata dhe shpërndajnë për gjithë fëmijët, - edhe këta kanë nga një thes me para dhe grinden se kujt do tua japin. Në fakt thesi është bosh, arkat e shtetit janë borxh, borxhi publik është në nivelet më të larta historike, privatizimet strategjike kanë përfunduar dhe se prodhimi ekonomik është në rënie drastike. Ndaj edhe shumica e premtimeve janë fiktive, formale, pa sens dhe të destinuara të dështojnë. Siç ndodhi me premtimin më 2011 në Tiranë për 6 linja tramvaji (gjysma e mandatit, duhet të kishte 3??) apo ai i vitit 2009 për Rrugën e Arbrit, Korridorin e Jugut, etj.

Në këtë mënyrë zgjedhjet po vijnë, fushata zgjat 30 ditë dhe si në dasmat e periudhës komuniste, pas dasmës/pijes/festës, të gjithë do të zhyten në borxhe, përfshirë çiftin e ri. Ne vijojmë t’i kushtojmë rëndësi imazhit, vitrinës, luksit, formës dhe jo përmbajtjes, interesit publik dhe ofertave reale. Ne harxhuam 5-6 vjet të ndahemi nga piramida e fajdeve dhe do duhen vite të tjera të rrëzojmë piramidat e reja që po ngremë. Ne rrezikojmë jo vetëm konsolidimin e sistemit partiak oligark, bazuar në logjikën mafioze dhe politikën korruptive, - por edhe hyrjen në një spirale krize ekonomike, nga e cila do të duhen kohë të dilet. Të paktën deri në zgjedhjet e tjera, kur përsëri, do shkundim xhepat për fushatën e radhës.

Cila është zgjidhja? Nëse do kishim Guvernator, Prokuror, Gjykata, etj, gjërat do të ishin më të thjeshta. Nëse do kishim shtet ligjor kjo nuk do të kishte ndodhur. Nëse do kishim demokraci direkte penalizmi i politikës do ishte shumë i madh. Nëse palët/kandidatët do detyroheshin të bënin paraprakisht publike të ardhurat e shpenzimet elektorale, vota qytetare do gjykonte mbi ndershmërinë e tyre. Nëse media do ishte e pavarur dhe jo biznes, politika të ishte profesion i ideve dhe jo burim pasurimi, shteti të ishte mbi partitë dhe jo bankë pa kod e tyre, - atëherë shanset e abuzimit do ishin minimale.

Ndaj zgjidhja nis prej këtu, - rikthimi i pushtetit të qytetarëve për të dënuar politikën kur gabon, për të ndëshkuar kandidatët kur abuzojnë; forcimi i institucioneve për të fituar garantin që na mungon për demokraci funksionale si dhe një ligj të ri për nevojën e madhe të transparencës publike në financimin elektoral.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 25.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë! Ndërron jetë në spital i moshuari

Mat/ I vuri zjarrin tokës, por u dogj dhe vetë! Ndërron jetë në spital i moshuari