Çdo ditë që kur janë në opozitë Sali Berisha, Lulzim Basha dhe të gjithë deputetët e Partisë Demokratike nuk lodhen së thëni se ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, që ligji duhet respektuar dhe se kushdo shkel ligjin duhet të paguajë. Natyrisht, ata e kanë fjalën për qeverinë, por sot Gent Strazimiri i ka dhënë mundësinë PD-së për të treguar se për opozitën ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë: deputeti Strazimiri nuk u lodh së kërkuari drejtësi për goditjen e tij në kuvend gjatë një grindje me deputetë të PS-së, sot është fotografuar me pistoletë në brez ndërsa përplasej me policinë bashkiake në parkun e liqenit.

Ligji që autorizon deputetët shqiptarë të lëvizin të armatosur është shfuqizuar prej tre ditësh: Të gjithë deputetët duhet të kishin dorëzuar pistoletat e tyre në polici, tri ditë më parë, por Strazimiri nuk e ka bërë këtë. Në këtë mënyrë deputeti i PD-së është fajtor për armëmbajtje pa leje, vepër penale që parashikon një dënim deri në 7 vite burg.
 
Vetë Strazimiri “u mbrojt” duke u krahasuar me deputetin socialist Armand Prenga, duke bërë ama një gafë të dyfishtë: Prenga jo vetëm që u arrestua, por edhe u dëbua nga Partia Socialiste.
 
Në rastin e Strazimirit nuk ka asnjë dyshim persekutimi politik, nuk ka asnjë krim opinioni. Të mbash pistoletë në publik, kur është e ndaluar dhe pikë. Nëse opozita dëshiron të jetë koherente me deklaratat e saj në favor të drejtësisë dhe të ligjit, duhet të jetë e para që të kërkojë arrestimin e Gent Strazimirit. Por nëse nuk e bën dhe fillon (sic ka bërë Arben Ristani) të thërrasë për mashtrim mediatik dhe komplot të qeverisë, atëherë do të thotë se Basha, Berisha dhe Partia Demokratike nuk kanë ndryshuar.

Do të thotë se janë të njëjtët të Gërdecit, të 21 janarit dhe të gjithë skandaleve të tjera që kur ishin në pushtet mbuluan, duke i lejuar aleatëve të tyre të vidhnin pa turp dhe duke kryer çdo krim, duke krijuar një kastë të paprekshmish, e cila ishte dhe arsyeja kryesore e humbjes së tyre zgjedhore me 23 qershor 2013.
 
Por skandali i Gent Strazimirit të armatosur është një test edhe për policinë e Sajmir Tahirit dhe për prokurorinë e Adriatik Llallës: Sepse nëse askush nuk do ta prekë deputetin, policia dhe prokuroria do të njollosen me të njëjtin faj të PD-së: aplikim diskriminues të ligjit.
Nëse ligji është me të vërtetë njësoj për të gjithë, siç të gjithë përsërisin në kor, nuk ka nevojë të pritet reforma e drejtësisë: ky është rasti për ta treguar./c.b.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)