Kryetari socialist i Bashkisë së Lezhës ka kritikuar ashpër qeverinë për mënyrën se si i është qasur pushtetit vendor duke “uzurpuar” sipas tij disa prej kompetencave kryesore të bashkive.

Gjatë fjalës së tij në seancën e parë dëgjimore të Komisionit të Reformës Territoriale, që nisi nga Lezha, Kryetari i Bashkisë Ndreu thotë se shumë prej kritikave se ia ka shprehur personalisht kryeminsitrit Rama.

Ai u shpreh hapur kundër cetralizimit të ujësjellësit, duke e kaluar në menaxhim qendror të Ministrisë së Infrastrukturës dhe deri tek lejet e stacioneve të plazhit që jepen nga Ministria e Turizmit.

Ndreu përmendi gjithashtu një prej kompetencave kryesore që qeveria i ka “rrëmbyer” pushtetit vendor, siç është e drejta për të dhënë leje ndërtimi për godinat mbi 6 kate.

Me vendim të 1 viti më parë, përmes ndryshimit të rregullores për zhvillimin e territorit, e drejta e bashkive për të dhënë leje ndërtimi u kufizua nga 14 në 6 kate, kompetencë që i kaloi Këshllit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.

“Reforma e ujit për mua është gabim. Ujësjellësi I Lezhës ka qënë rentabël, ka qënë një ndër 2-3 ujësjellësit më të mirë në Shqipëri. Na erdhi vendimi për të rritur tarifën, në këshill e hodhëm poshtë por në mënyrë arbitrare u rrit. Si ka mundësi që një vendim I Këshillit Bashkiak nuk merret parasysh? Kush janë këto institucione që na quajnë ne një organ kolegjal formal? E kam ngrit zërin kam folur, tani e ka qëveria në dorë. Duhet zgjidhur ky problem. Pushteti lokal duhet të ketë kompetenca mbi urbanistikën. Nuk më shkon ky përkufizimi 6 kate (kufizimi i bashkive për të dhënë leje ndërtimi për godina deri në 6 kate. Mbi 6 kate lejet jepen nga KKTU). Ka një plan të përgjithshëm rregullues Lezha që është miratuar në qeveri dh embi këtë plan nuk mund të vendosësh kufizime, ose zhbëje atë plan. Është një tendencë për të uzurpuar gradualisht kompetencat e pushetit lokal dhe për ta kthyer në xhep të qeverisë. Kjo gjë duhet të ndalet me këtë reformë.

A mundemi që disa zyrtarë burokratë në qeveri qe mendojnë se dinë më shumë se gjithë të tjerët ti vëmë fre që të mos bëjmë spektakle pastaj sic ishte projekti për policinë bashkiake që na u desh të futeshim me forcë që ta hidhnim poshtë. Nuk ka vend në botë   që stacionet e plazhit jepen nga ministria, vetëm në Shqipëri. Është i vetmi vend i botës që aplikon dicka të tillë”, është shprehur Pjerin Ndreu.