Pjesëtari i EULEX vritet gjatë një
sulmi me armë në afërsi të Zveçanit

KOSOVE -Një punonjës i EULEX-it, lituanezi Audrius Senavicius, është vrarë mëngjesin e sotëm si pasojë e një sulmi me armë zjarri në Zveçan.

Burimet zyrtare të EULEX-it njoftuan se "rreth orës 7:30 të mëngjesit, dy automjete të EULEX-it, që mbanin gjashtë anëtarë të stafit, në rotacionin e tyre të rregullt nga Porta 1 ranë nën zjarrin e armëve të disa personave të paidentifikuar në afërsi të komunës së Zveçanit.

Prej këtij incidenti gjeti vdekjen një anëtar i stafit të EULEX-it. "Task Force" nga  Mitrovica u aktivizua menjëherë dhe nisi hetimin e vrasjes. Zona përreth u mbyll dhe nuk do të lihet asnjë përpjekje pa bërë që vrasësi të dalë para drejtësisë," - ka theksuar në njoftimin për shtyp ky institucion.

Në vijim të deklaratës thuhet se "EULEX-i e dënon me forcë këtë akt frikacak të dhunës kundër anëtarëve të tij. Po ashtu, i bën një thirrje komunitetit lokal se kushdo që ka qenë dëshmitar ose ka dijeni apo lidhje me këtë incident, mund të kontaktojë me numrat përkatës të telefonit. Po, ashtu, EULEX-i i dërgon ngushëllimet e tij të sinqerta familjes së të ndjerit."

Edhe komandanti i Policisë në jug të Mitrovicës, Ergin Mediç, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se një automjet i EULEX-it në të cilin kanë qenë tre persona, është sulmuar me armë zjarri, por shton se nuk di ende se nga ka ardhur sulmi.

“Rreth orës 7:30 të mëngjesit, një makinë e EULEX-it, e cila ka qenë në rrugën magjistrale Prishtinë-Leposaviç, te fshati Ballaban, komuna e Zveçanit, është sulmuar nga persona të armatosur. Me këtë rast është plagosur rëndë doganieri A.S. nga Lituania, i cili është dërguar menjëherë në spital në veri të Mitrovicës, ku ka ndërruar jetë. Në makinë kanë qenë edhe dy pjesëtarë të EULEX-it. Ata dy nuk janë plagosur", ka thënë Mediç.

Pas incidentit në Zveçan në veri të Kosovës, që rezultoi me vdekjen e një pjesëtari të EULEX-it, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt dhe shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar pritet t’u drejtohen mediave.

eulex
(Në foto:Automjeti i EULEX-it, Zveçan, 19 shtator 2013 - Marrë nga Europa e Lirë)

Redaksia online
(sg/ar.sh/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë