Pjesa II-Intervista ekskluzive/ Flet Erjona P: Ja pse Izet Haxhia u detyrua të kthehej në Shqipëri (E plotë)

E njohur me pseudonimin “Franca”, Erjona P., dashura e Izet Haxhisë, vendosi të fliste për herë të parë për publikun në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqiptarja.com”. Në këtë rrëfim të saj pjesa e parë e të cilit u publikua në numrin e djeshëm të gazetës Erjona P. nga Franca ku jeton, tregoi historinë e njohjes me Izet Haxhinë dhe kostot që është duke paguar për atë që bën, duke u kthyer në të vetmin kanal komunikimi mes tij dhe publikut. Erjona, që zbuloi se punon si pedagoge kantoje dhe si soprano në Francë, tregoi edhe problemet me të cilat po has nga kjo lidhje nga kundërshtarët e Izetit nga akuzat e deri tek kërcënimet.

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive që ka dhënë për “Shqiptarja.com”, Erjona P, fokusohet më shumë tek beteja ligjore që ka nisur Izet Haxhia. E dashura e Izet Haxhisë tregon se si ish-bodigardi i Sali Berishës mori vendimin që të kthehet në Shqipëri. Ajo rrëfen arsyet që e çuan atë të rrezikonte, duke mos iu fshehur ekstradimit nga Turqia, madje duke e kërkuar atë vetë, pavarësisht se këtu ka një dënim prej 25 vitesh burg. Erjona zbulon prapaskenat e këtij vendimi të guximshëm të Izetit duke hedhur dritë edhe mbi faktorin politik. Ajo flet për procesin gjyqësor me të cilin Izet Haxhia po përballet duke tentuar të pastrojë emrin e tij nga akuzat dhe dënimi me 25 vite burg, dhënë në mungesë, për ekzekutimin e Azem Hajdarit, cilësuar si vrasja e shekullit. Erjona flet për kushtet në të cilat Izeti mbahet në burgun 302 në Tiranë si dhe jep disa mesazhe për miqtë e tij.

Intervista e plotë:

A u konsultua ai me ju lidhur me vendimin për t’u kthyer me dëshirë në Shqipëri dhe çfarë i sugjeruat?

Po, e kemi biseduar shumë herë! Unë nuk doja që Izeti të kthehej në Shqipëri… por, nga ana tjetër, ishim koshientë të dy, që diçka e rëndë rëndonte mbi jetën e tij, nga e cila duhej të lirohej e të pastrohej njëherë e mirë! Vendimi ishte i Izetit. Ai e bëri në një moment të papritur për mua, asgjë nuk më tha përpara… Unë kam qenë në gjendje shoku për javë të tëra… Një ditë ai vetë, ndoshta, do të flasë me më shumë detaje për këtë vendim personal të tijin…

Shumë shqiptarë të dënuar tentojnë me çdo kusht t’i fshihen Drejtësisë, duke u fshehur në çdo cep të botës. E kundërta ndodhi me Izetin. Rast i pa precedent, kur një i dënuar me 25 vite burg kërkon të ekstradohet. Kush ishte ai faktori X, që e bindi atë të kthehet?

Izetit mund t’i vendosin shumë epitete… Çështje logjike dhe analize vetjake e gjithkujt… Por askush s’mund t’ia mohojë trimërinë! Sepse është trim! Tepër madje! Dhe diku thellë në shpirt ka mbetur idealist i pastër. Një idealist beson gjithmonë tek ideali i tij dhe për Izetin misioni i jetës së tij ishte demaskimi i krimit të organizuar politik dhe larja e figurës së tij nga diçka e pabesë dhe e pisët, që i kishin ngjitur mbi lëkurë për vite e vite me rradhë! 

Ka thashetheme se njerëz të qeverisë së zotit Rama e bindën atë të kthehet? A është e vërtetë kjo?

Kjo është një gënjeshtër groteske dhe qesharake! Me asnjë politikan, të asnjë krahu politik, nuk është konsultuar Izeti dhe kjo është e padiskutueshme, si e vetmja e vërtetë absolute!

Është e paqartë se kush i dha dritën jeshile ekstradimit. Në dijeninë tuaj, çfarë garancish i dha shteti shqiptar Turqisë, e cila e ekstradoi më pas?

Dritën jeshile e dha vetë Izeti, mbasi u vetëdorëzua… Asnjë lloj garancie nuk ishte konkluduar, madje vendimi i Izetit në atë moment prishi pak punë politikisht, sepse nuk do të mund ta përdornin më si ‘As’ për shkëmbime dhe afera të ndryshme me Turqinë.

Pas ekstradimit, a e keni takuar Izetin në burg?

Kërkoj ndjesë, për arsye sigurie ndaj familjarëve të mi nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje… Ngelet midis meje dhe Izetit… Kaq.

Në daljen e parë përpara gjykatës, Izeti mbante një letër, me një mesazh dedikuar juve. Si e pritët dhe vlerësuat këtë veprim të tij? U surprizuat?

Po, qava nja dy orë… njëherë nga lumturia që po e shikoja, njëherë nga tronditja se në çfarë kushtesh po e shikoja… Por ja pashë në sy dashurinë dhe asgjë tjetër s’kishte më rëndësi! Bota mund edhe të shembej, ne po duheshim më shumë se kurrë, në çfarëdo situate a vendi të ndodheshim! Dhe kjo ishte kaq evidente për ne dhe për këdo që ka sy…

Ju komunikoni shpesh me të përmes telefonit. Mund të na rrëfeni se çfarë ju thotë ai për jetën e re të këtyre muajve pas ekstradimit?

Izeti është i fortë! Është i vendosur! Mundohet që unë të mos e ndjej shumë faktin se vendi ku ai fle quhet burg… Është një shpirt i madh dhe jo më kot e dua kështu… Më ka mbrojtur shumë herë, edhe i mbyllur mbas hekurave! Nga vetja ime, nga dhimbja, nga malli, nga paniku, etj., që logjikisht, në momente të caktuara, kapin gjithkënd në këto kushte… e jo më mua, që u bëra epiqendra e sulmeve nga "miq" e armiq…

Në dijeninë time, për Izetin ka një sistem të posaçëm ruajtjeje. A është i kënaqur ai me kushtet e sigurisë, që i janë krijuar?

Personeli i burgut 302 është tepër profesionist dhe korrekt në sjelljen ndaj Izetit. Siguria deri tani ka qenë maksimale… nuk kam çfarë të them… I falenderojmë të dy nga shpirti, se jo çdokush do të tregohej profesionist me një të burgosur kaq të sulmuar sa Izeti… Faleminderit, zotërinj!

Si e priti Izeti vendimin e gjykatës, që i njohu atij të drejtën e rivendosjes në afat të çështjes, e cila i dha të drejtën për t’u rigjykuar?

Si një njeri, i cili, për një çerek shekulli, mbart një mal mbi supe padrejtesisht dhe, papritur, një dritë dielli i tregon se Drejtësia mund të jetë vërtet e drejtë dhe e barabartë për këdo! Tepër i gëzuar, sigurisht! Unë vetëm këndoja gjithë diten!!

Izeti ka kërkuar gjatë gjithë kohës me forcë rihapjen e çështjes “Hajdari”. Një dosje tashmë 20-vjeçare. Çfarë “asi nën mëngë” ka Izeti për këtë çështje për të mbështetur rigjykimin e tij?

Jemi përpara një procesi tepër të rëndësishem gjyqësor dhe në mënyrë absolute nuk mund të komentoj dosjen… Por, theksoj me forcë që e vetmja gjë, që Izeti kërkon, është mosndërhyrja e politikës në këtë çështje; politika t’i mbajë duart larg dhe Drejtësia të bëjë punën e saj, e pavarur, si në çdo shtet demokratik të botës! Detajet e dosjes janë në duart e profesionistëve dhe të Izetit, për të paraqitur dhe treguar ato që ai di, në momentin e gjyqit! Nuk mund të kompromentohet mbrojtja nëpër media dhe ftoj këdo që të mos bëjë deklarata të këtij tipi, përpara fillimit të procesit gjyqësor.

Çështja tani ndodhet në Gjykatën e Apelit, por gjyqtari i çështjes dha dorëheqjen. Si e shikoni këtë veprim të gjyqtarit? Çfarë thotë Izeti për këtë?

Mbeti pak i çuditur, por ai (gjykatësi) duhet të ketë patur arsyet e tij të forta dhe dorëheqja është një e drejtë e gjithkujt! Nuk paragjykohet!

A beson Izet Haxhia se Gjykata e Apelit do t’i thotë ‘PO’ kërkesës së tij për rigjykim?

Jemi në mes të Vettingut… janë shumë vite për t’u pastruar nga korrupsioni dhe pisllëqet e panumërta në Drejtësinë shqiptare… Gjithshka mund të ndodhë dhe gjithshka mund të mos ndodhë… Le të presim me besim! Unë jam natyrë optimiste dhe gjithmonë besoj se e mira ndodh kudo, edhe mes demonëve dhe intrigantëve…

Në Gjykatën e Apelit në Tiranë punon gjyqtarja Fatmira Hajdari, e veja e deputetit të ndjerë Azem Hajdari. Të gjithë gjyqtarët mund të deklarojnë se kanë njohje me kolegen Hajdari e, si pasojë, kanë konflikt interesi e, si pasojë, mund të tërhiqen. Kjo e fut procesin në kolaps. Sa shqetësues është ky skenar, nëse ndodh?

Ky kolaps është më shumë shqetësues për gjyqtarët, mbasi dikush, dikur, do të detyrohet të bëjë punën, për të cilën paguhen. Gjyqi i Izetit është njëra prej tyre! Le të vendosin me short, apo të caktojnë atë që ka pirë më pak kafe me zonjën Hajdari… Punë për ta!

Si e priti Izeti takimin në burg me nënën e tij pas 19 vitesh pamundësi per ta parë?

Ishte e vetmja ëndërr që kishte - më fliste shpesh kur ishte në Turqi - të takonte nënën e tij përsëri, qoftë edhe një herë në jetë! Babait nuk mundi t’i jepte lamtumirën e fundit, ngaqë mbahej peng në Turqi… dhe këto gjëra janë pengje të përjetshme të mbetura brenda një njeriu… Takimi me nënën e lumturoi… I emocionuar, tepër i gëzuar… si çdo bir me nënën e tij, kur ka aq shumë dhimbje e mall në mes… dhe që e ndjen veten komplet fëmijë, të sigurtë në krahët e saj, ku asgjë e keqe s'mund t’i ndodhte më, ngaqë nëna tashmë ishte aty, me të…

Nga burgu 302, Izeti shkruan: “Këtu gjeta një degradim total të njeriut! Njerëz që çdo gjë e përkthejnë dhe e rrotullojnë rreth përfitimeve personale dhe lekut” Vetëm leku! Tingëllon një farë pesimizmi. Pse i dashuri juaj, Izet Haxhia, ka mbërritur në këtë përfundim?

Jo, nuk është pesimizëm aspak! Është një realitet, me të cilin ai po përballet dhe po e vëren dukshëm! Janë një grup miqsh të mrekullueshëm, komplet anonimë, të cilët kanë komunikuar me mua dhe e kanë ndihmuar Izetin, qoftë për të paguar avokatin, qoftë për ca gjëra, që i duhen një të burgosuri në izolim total, siç është ai… I falenderojmë nga zemra për fisnikërinë dhe besnikërinë që po tregojnë në ditë të vështira, si këto… Janë moment, që gdhenden në kujtesë përjetë!

Kush është duke e përdorur emrin e tij për qëllime personale? Njerëz të thjeshtë, apo edhe nga politika?

Emri i Izetit ka një jetë që perdoret, nga të njohur e të panjohur… Që në kohën kur ishte tek PD-ja, e deri më sot, që është në burg… Politikanët e kanë përdorur kur ju është dashur… Pa e kursyer, nga të dyja anët!

Si e parashikoni të ardhmen e procesit, që ka nisur Izeti për të fituar pafajësinë?

E parashikoj me një pafajësi totale të Izetit! Me një liri të menjëhershme të tij dhe me një kërkim faljeje nga ana e Drejtësisë shqiptare për 20 vjet jetë, që i morën këtij njeriu! Do të ishte minimumi që mund të bënin… Nuk flas për dëmshpërblim, sepse kjo nuk i intereson e as nuk e josh Izetin! Por nga ana morale, njerëzore!! I kanë borxh 20 vite jetë…

Cili është mesazhi juaj për miqtë dhe armiqtë e shumtë të Izet Haxhisë?

Shumë nga miqtë e tij janë bërë edhe miqtë e mi! Nuk kam fjalë mirënjohjeje për t’i falenderuar e për t’u shprehur gjithë respektin ndaj tyre! Izeti është me fat, që ka miq të tillë! Kurse, për armiqtë, Izeti u është përgjigjur shumë herë vetë, por unë po u përgjigjem për pjesën, ku më kërcënojnë dhe më fyejnë mua personalisht: Ju nuk keni as më të voglën rëndësi; ju nuk ekzistoni; ju jeni pluhur dhe akuzat tuaja më skizofrene ndaj meje, si nje profesioniste e lindur (Mata Hari do të merrte shembull nga unë!) për të ndarë Izetin nga "miqtë", më bëjnë të qesh brenda vetes… pavarësisht se përgjigjen ua kam kthyer kur më kanë sulmuar hapur! Ju them që edhe 10.000 vjet të tjerë do të më gjejnë këtu, si shkëmb e kokë-mushkë, sa herë të jetë në diskutim e mira dhe jeta e Izetit! Në daç pini uthull, në daç bëni nuska… punë për ju! 

Si parashikoni ta mbani gjallë lidhjen me Izetin në një kohë kur ai ndodhet i burgosur dhe e ardhmja nuk dihet?

E ardhmja nuk dihet për asnjeri nga ne… Jeta jonë është kalimtare për këdo e s’mund të parashikojmë asgjë… sepse gjithkush nga ne sot është, e nesër nuk është më! Diçka që nuk mund ta menaxhoj, e kam ritual të jetës time t’ia le Zotit në dorë! Ai le të bëjë më të mirën për secilin nga ne dhe jam e sigurtë që ashtu bën! Pavarësisht se ne i bëjmë lëmsh vetë jetët tona, Zoti gjithmonë është aty… Këtë besoj!

Keni bërë plane të martoheni bashkë?

Ky nuk është plan! Ky është motivi dhe qëllimi i jetës sonë, i gjithë kësaj lufte! Jo vetëm do të martohemi ligjërisht, por do të kurorëzohemi edhe në xhami, meqenëse Izeti është mysliman, edhe në kishë, meqë unë jam katolike! Dhe, po na kapi dëshira të vazhdojmë festimet, do të marrim me radhë çdo tempull të shenjtë: sinagogë, tempull Bude, ata me jeshile (bektashinj, më duket), etj. Kemi shumë njerëz për të ftuar. Ju jeni njeri nga ta, nëse do të dëshironi e nëse keni një kostum shumë të bukur. Kështuqë, bëni gati daullet, xhubletat, çiftelitë e fustanet me xixa…! Jeta jonë do të jetë e bukur, me dashjen e Zotit dhe me vendimin tonë të palëkundur për ta bërë të tillë… Sepse duam që stër-stërnipëve tanë t’iu tregohet kjo historia jonë, kjo dashuri në kohërat e kolerës dhe të mbaroje me "dhe jetuan të lumtur përgjithmonë"!!!!

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Deputetja Xhixho: Dështimin e saj qeveria ia hedh TikTok-ut! Kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të lira

Deputetja Xhixho: Dështimin e saj qeveria ia hedh TikTok-ut! Kërkojmë qeveri teknike dhe zgjedhje të lira