Jetmir Olldashi, pjesë e dosjes 'Babale', ku është i përfshirë edhe ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, ka dështuar në Gjykatën Kushtetuese.
'Gazetari' kishte kërkuar pafajësi dhe shfuqizim të vendimeve të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si dhe të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Ndërkohë Gjykata kushtetuese ka vendosur moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, duke bërë kështu lënien në fuqi të vendimeve të mëparshme.
Dënimet:
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Për të pandehurin Albert Veliu (Babale) u vendos dënimi me 10 muaj burg për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit” dhe 2 vjet e 10 muaj burgim për veprën “Kallëzim i rremë” në bashkëpunim, që në bashkim të tyre u vendos dënimi final me 3 vjet e 5 muaj burgim. Fredi Alizoti, kunati i Albert Veliut, u dënua me dy vjet burgim për “Kallëzim të rremë”. Vendimi në shkallën e parë u dha nga gjyqtari Artan Gjermeni.
Ngjarja:
Dënimi ndaj Salianjit dhe të tjerëve lidhet me një audio-përgjim të publikuar prej tij në Partinë Demokratike në maj të vitit 2018, ku aludohej se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafajt, bisedonte me një shtetas të quajtur Albert Veliu në lidhje me trafikun e drogës.
Pas publikimit të audio-përgjimit, Geron Xhafaj kreu kallëzim për akuzuesit e tij, duke pretenduar se audio-përgjimi ishte i sajuar. Pasi kreu kallëzimin, Geron Xhafaj iu dorëzua autoriteteve italiane të drejtësisë për të vuajtur një dënim më të hershëm për trafik droge.
Komente











