Ditën e sotme SPAK përveç 10 të dënuarve për grupin që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe Europës, ka identifikuar edhe 5 anëtarë të tjerë të grupit.
Mes tyre edhe Aldi Zonja, i arrestuar në nëntor të vitit 2024 pas aksionit të SPAK, i cili do të gjykohet për 2 raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, për atë të laboratorit të drogës në Frakull të Fierit dhe për atë të laboratorit në Qerrekë të Fushë-Krujës.
37-vjeçari Zonja, siç mësoi edhe Report Tv, kishte shkuar në Amerikën Latine me vizë turistike, por gjatë periudhës së pandemisë mbeti i bllokuar atje.
Gjatë kësaj kohe dyshohet se ai ka krijuar edhe lidhjet me trafikantët për të organizuar këtë skemë të mirëfilltë të trafikut të kokainës.
37-vjeçari, i përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme edhe si një prej anëtarëve të këtij grupi, shfaqte në rrjetet sociale një jetë luksi.
Jakuzi në breg të detit, ski, pjesë e dasmave të shtrenjta, nga ku ka ndarë edhe një foto me Artion Çaushllarin. Edhe ky i fundit ka rënë në pranga dhe është pjesë e kokave kryesore të grupit që drejtonin skemën e trafikut.
Ndërkohë, nga operacioni i SPAK asokohe në pranga ra edhe Baki Huqi, 43 vjeçar. Ai rezulton të jetë arrestuar dhe dënuar më herët për 2 vrasje të kryera, njëra në vitin 1997 dhe tjetra në 2013-ën.
Lajmi kryesor:
Trafikuan 485 kg kokainë nga Kolumbia, SPAK identifikon 5 anëtarë të tjerë të grupit të Frakullës, 3 në pranga, 2 në kërkim! 10 të tjerë u dënuan me 89 vite burg









