Pjesëmarrje e jashtëzakonshme
në Festivalin e Librit dhe Artit

Pjesëmarrje e jashtëzakonshme<br />në Festivalin e Librit dhe Artit
TIRANE- Me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme u çel mbrëmë në mjediset e Muzeut Kombëtar festivali i Librit dhe Artit Pamor. Erdhën piktorë, shkrimtarë, studiues, artistë dhe dashamirës të artit, politikanë e personazhe të jetës publike. Festivali i ideuar nga shoqëria e librit shqip, zhvillohet për herë të parë. Organizatorët thonë se organizmi i një festivali për librin, ishte një ide e intelektualit të ndjerë Ardian Klosi, ide që me zgjerimin e saj qëndron bukur me konceptimin e Vladimir Myrtezait, një art pa mure, të cilin e ka pagëzuar Pamur Art. Bashkëshortja e të ndjerit Ardian Klosi, Jutta Buzengerg, me të bijën, ndiheshin të gëzuara që ëndrra e tij intelektuale ishte ngjizur tashmë.

Ceremonia nisi me fjalën e gazetares Rudina Xhunga me një homazh për shkrimtarin e famshëm Gabriel Garsia Markes që u nda nga jeta javën që shkoi. Ka çelur festivalin dhe përshëndetur ministrja Mirela Kumbaro, duke njoftuar se Ministria e Kulturës është pjesëmarrëse me nismën e saj më të re “Një kafe dhe një libër” që synon krijimin e hartës së kafeve letrare në kryeqytet. Sipas ministres, synimi i vërtetë është nxitja e të rinjve drejt një kohe të lirë aktive e sidomos të angazhuar me kulturën e librit, ku përfshihen promovime autorësh, përkthyesish, botuesish, editorësh, lexime publike me aktorë apo me vetë protagonistët e letërsisë.

Ministrja Kumbaro u shpreh dje se “e bukura e këtij festivali është se fjala bashkohet me vështrimin”. Ministrja Kumbaro gjithashtu ka përgëzuar shoqërinë e librit që sot hapi skenën për “fëmijët nga mosha 5 deri në 9 vjeç”, me imazhin, fjalën dhe portretet e njerëzve të shquar të letrave e artit duke filluar me shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare. Në ceremoninë e çeljes së këtij festivali, përshëndetën ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale Erjon Veliaj, kryetarja e Shoqërisë së Librit Shqip, Arlinda Dudaj dhe kuratori i Pamur Art Vladimir Myrtezai.

Piktori i njohur Maks Velo, njëkohësisht edhe autor librash, shprehet se “ndihem i gëzuar” për këtë mënyrë organizmi, ku artet pamore janë bashkë me librin. Festivali përfshin dy fusha tejet të rëndësishme të kulturës: artet pamore dhe botimet shqiptare, i cili do të zgjasë 4 ditë, deri më 27 prill.

Në këtë festival janë ftuar të gjithë botuesit shqiptarë, të Kosovës e Maqedonisë. Më shumë se 45 botues do të paraqiten në këtë festival me librat e tyre, autorët e promovimet. 
Pjesa e arteve pamore, e pagëzuar me emrin artistik “Pamur”, do të kurohet nga piktori i njohur Vladimir Myrtezai. Tema e arteve pamore është “Një galeri, një autor”. “Të gjithë korentet artistike në vendin tonë dhe Kosovë do të kenë mundësi të shfaqen në Tiranë.

Janë parashikuar gjithashtu disa njolla të tjera artistike në aktivitet, që do të gjejnë vend brenda hapësirave ku do të zhvillohet ngjarja, si p.sh grupe muzikore të rinjsh liceistë, apo një festival i poezisë”, thotë Myrtezai. Sipas organizatorit të “Pamur Art”, qëllimi kryesor është t’i jepet sa më shumë jehonë, duke ftuar të gjithë njerëzit, të të gjitha moshave e gjinive, të vizitojnë në këtë Festival, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili pritet të jetë i mbushur me aktivitete të shumëllojshme, që nga ato të artit pamor, animime muzikore e deri te forumet për letërsinë, promovime librash, lexime nga aktorë. Ky festival do të gjenerojë edhe dy çmime, ku autori i vitit do të nderohet me çmimin “Ardian Klosi” dhe puna më e mirë në artet pamore do të nderohet me çmimin “Danish Jukniu”. 

Shkrimi u publikua sot 24 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit