Pjetër Arbnori: Me përkthimet ne
fitonim vetëm 2 kg sheqer në muaj

Pjetër Arbnori: Me përkthimet ne<br />fitonim vetëm 2 kg sheqer në muaj
(Fragment nga kujtimet e burgut)
 
… - Na duhen shpejt dhe me cilësi. Do të punoni në dhoma të veçanta. Askush nuk duhet t’i lexojë, as librat, as dorëshkrimet. Ta kemi prerë, dënoheni. Do të keni racionin e bukës tetëqind gramë, një gjellë pak më të mirë, do të keni sipas normave nga dhjetë lekë në ditë shpërblim dhe nga dy ditë zbritje dënimi në muaj. Takim të zgjatur me familjen nga 20 minuta, një herë në muaj. Në banjo do të shkoni sa herë të keni nevojë. Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel.

Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë fuçie të prerë bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po, diku jo nga një makinë shkrimi. Çiftet ishin: 1) Pjetër Arbnori – Uran Kalakulla; 2) Engjëll Çoba, jurist, zëvendësministër - Xhavid Qesja, sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Qarkut Shkodër; 3) Vangjel Lesho, gazetar - Iljaz Spahiu, nëpunës ambasade në Rusi; 4) Fehmi Frashëri, ekonomist, nëpunës ambasade në Rusi - Ivan Çami, inxhinier - Qamil Disha nëpunës i Komitetit të Partisë së Punës.

Gjithë ditën shkruanim pa pushim në biruca, natën shkonim për të fjetur në dhomat tona; ajrimin e bënim secili në kohën e caktuar me dhomën e vet. Problemi ishte se rojat nuk kishin dëshirë të na takonin me dhomat e tjera, sidomos ne "spiunët" e Perëndimit me të dënuarit "antiparti", ose si quheshin ndryshe "të mesit" apo "revizionistët".

I vetmi ishte ish-sekretari i përgjithshëm i kryeministrit Mustafa Kruja, juristi i njohur Engjëll Çoba dhe ish-sekretari i parë i Partisë së Punës së Qarkut Shkodër, Xhavid Qesja, i dënuar, sepse e quajti kryengritjen hungareze të 1956-ës revolucion dhe jo "kundërevolucion". Xhavid Qesja, i indinjuar nga shokët e vet të majtë, që ishin pro pushtimit të Çekosllovakisë më 1968 nga trupat ruse të Brezhnjevit, bëri një grevë urie dhjetëraditëshe, deri sa doli nga dhoma e komunistëve e vajti në birucë.

Kur m’u afrua lirimi, më 1989, më sollën në dhomë për përkthime edhe Daut Gumenin e Abdulla Sollakun, dy shokë me të cilët kam vuajtur me vite në Burrel. Më vonë jeta na ndau. Me Abdulla Sollakun kemi mbetur shokë, sadoqë ai ka 14 vjet emigrant në Gjermani. Më 1993, kur kryesova delegacionin si kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, më pyetën “A ke ndonjë mik të njohur që ta thërrasim në darkën solemne që shtron Bundestagu gjerman?”. Menjëherë iu përgjigja “Abdulla Sollakun dhe Avni Alikon”, që më ishin gjendur pranë në Burgun e Burrelit.

Zyrtarët gjermanë për gjithë ditën e gjithë natën i gjetën dhe i sollën dy shokët mes ministrave e parlamentarëve. Sadopak, u kënaqëm duke krahasuar ferrin e Burrelit me parajsën gjermane. Daut Gumenin e kam respektuar gjithmonë; kemi biseduar gjithmonë pranë e pranë për hallet tona, ai i akuzuar për një vrasje që ishte bërë kur ishte vetëm tre vjeç, për vëllain e burgosur, për kushërinjtë e burgosur, për motrën heroinë, që robtohej për ta ndihmuar në burg. Kam jetuar me të, kur ia morën babain plak dhe ia gjykuan pa proces, fshatçe, dhe ia vranë me gurë. Sa herë ma ka lexuar vjershën që kishte bërë me të atin, Mehmetin, përpara se t’ia vritnin kriminalisht. Ndërhyra për ta emëruar nëndrejtor të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”.

I propozova që të pranonte të ishte sekretar i përgjithsëm i Kuvendit. Nuk m’u përgjigj mua, por u tha ca të tjerëve: “Nuk pranoj të bëhem sekretar, për të mbajtur valixhet e Pjetrit!”. U bashkua me rebelimin mafiozo-komunist të fillimit të 1997-ës, me një rol të veçantë me Kurt Kolën e Fatos Lubonjën (Fatosi e kishte me të drejtë e jo me hile) dhe ky direktorat të përndjekurish politikkë, kishte për detyrë të bënte tym, ndërsa mbështetjen e kishte te sigurimsat, që synonin të shkatërronin demokracinë dhe të rivendosnin votën, as të lirë, as të ndershme dhe korruposionin e hapur qeveritar. Daut Gumeni, i përkrahur nga sigurimsat që i vranë të atin e pafajshëm me gurë, i kapte me radhë demokratët e Vlorës e të Tiranës dhe u thoshte, se dy zevendësministra të Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit i kishin thënë se Pjetër Arbnori, kryetari i Parlamentit, ishte i pasigurtë dhe se ata që ishin ngritur në rebelim ishin siguria e së ardhmes. Këtë ia ka thënë edhe shokëve të mi e të tijve, me të cilët kemi vuajtur dhe e kemi provuar veten në ditë edhe më të zeza.

Me fitoren e rebelimit të 1997-ës, Daut Gumeni u caktua në të njëjtin pozicion që i propozova unë më përpara, veçse tani, kishte për t´i mbajtur valixhet një presiodenti, i cili nuk ia vari fare, deri sa e bëri të jepte dorëheqjen. Shokë të tjerë përkthyes, nga gjysma e viteve ´80, kam pasur Qani Çollakun, shok gjimnazi para 50 vjetësh, djalë inteligjent, që sado vëlla i “Heroit të Popullit” Reshit Çollaku, pati kurajon të kritikojë Envert Hoxhën për diktaturën dhe varfërinë e popullit e hyri me ndërgjegje në kampet dhe burgjet komuniste, pa pranuar asnjë privilegj që i ofrohej. Shok të shquar kam pasur përkthyesin Xhelal Koprencka, nacionalist i shquar, i dënuar me vdekje dhe i pushkatuar në Kampin e Spaçit; përkthyesin e njohur e gazetarin Robert Vullkani i ridënuar në Spaç, përkthyesin e gazetarin Vangjel Lesho, i ridënuar dhe i pushkatuar në Spaç si pjesëtar i një grupi revizionist të sajuar me dëshmitarë të rremë, përkthyesin kolonel Dilaver Radeshi, njeri me karakter, me të cilin kam zhvilluar diskutime të gjata në dhomën e bujtësve në Tiranë dhe me të cilin kam pasur edhe shkëmbim të ndonjë pusulle të fshehtë, gjatë viteve të vuajtjes. Mund të them se periudha e përkthimeve, e cila ka zgjatur pak vite, ka qenë sa e mundimshme aq edhe e dobishme, sepse na e vinte mendjen gjithmonë në lëvizje, na zgjeronte sferën e dijes, na pasuronte fjalorin dhe na jepte mundësinë të kishim zakonisht një shoqëri të zgjedhur.

pjester arbnrori

pjester arbnrori

pjester arbnrori
 
 
 Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Lojëra fati dhe baste sportive të paligjshme, 6 të arrestuar

Tiranë/ Lojëra fati dhe baste sportive të paligjshme, 6 të arrestuar