Pjetër Gjini/ Poeti i humorit që nuk u nënshtrua nga komunizmi

Pjetër Gjini/ Poeti i humorit që nuk u nënshtrua nga komunizmi

Më kujtohet...

Kafen e Madhe me librarinë, ku punonte Drita, e ndante një rrugicë. Libraria ishte me emër në qytet, dhe kjo falë punës pasionante e të palodhur të asaj librareje, që nuk mërzitej asnjëherë nga pyetjet e klientëve. Me buzëqeshjen që s’i largohej nga fytyra, qetë-qetë, me durim i shpjegonte të interesuarit përmbajtjen dhe mesazhet e librit.

Në këtë librari mik i përhershëm, zakonisht paraditeve, ishte Pjetër Gjini. Kur e pashë, nuk e pata të vështirë të sillja nëpër mend shumë histori, ngjarje e situata komike që lidheshin me të si autor dhe si personazh. Shumë shtëpive shkodrane, me humorin e tij brilant ua kishte dritësuar e zbukuruar gëzimet familjare. Se nuk ishte e lehtë të bëje humor në Shkodër. Por Pjetri qe në avanguardën e humorit, e të një humori fin. Nuk ka derë shkodrane që nuk e njeh trokitjen e tij, zërin e tij, të qeshurën e tij! M’u kujtua shpirti i tij i ëmbël dhe lirik si te tangoja me titull “Kitara e jeme”, ku këndonte me afsh djaloshar:

“Nen nji qiell plot shkelqime

Ndritte Shkodra ime;

Pran’ shtepije nji vashë

Veç at nate e pashë,

Oh! Sa ambël m’shikoi.

Kje nji andërr dashnije

Qi vet’ qielli ‘dhuroi.

Kndova ‘i hymen rinije

E kitarra m’shoqnoi.”

E shkëputa këtë srofë nga libri “Çaste rinije” (kangë të ndryshme), “Stamles” – Durrës, 1938. Ky libër shoqërohet edhe me një parathënie që titullohet “Dy fjalë”, ku autori Pjetër Gjini 27 vjeçar shprehet, se cili ishte qëllimi i tij i botimit të këtij libri: “Por, unë janë nja katër o pesë vjet qi më sa ka ardhë për dore i kam kushtue disa orë kangëvet të reja, dhe, ku me origjinale, ku me adaptime jam mundue me i falë diçka atyne që tue mos pasë kangë detyroheshin me ia thanë o ndër gjuhë të hueja ose vendçe, të cillat (këto të fundit në nji perqindje shum të vogël mund të jenë frymë e thjeshtë e muzës popullore, ndërsa pjesa ma e madhe, tingulli i kangës së shekujvet të robnis.” (Tiranë korrik 1938)

Në vetvete Pjetër Gjini më ngjante si një libër i rrallë, antikuar që do ta dëshironte çdo bukinist. Edhe në këtë mjedis libror ai ishte si një libër i munguar, por edhe prezent me hijeshinë e tij.

Bisedonte parreshtur me libraren Dritë. Ajo ishte e vëmendshme ndaj tij. Veçanërisht Pjetri interesohej për letërsinë humoristike.

Gjatë orëve që rrinte në librari, Pjetri fliste, qeshte e qeshte herëpashere. Nuk e kishte të qeshurën me zë të lartë. Ishte një e qeshur që mbartte lirika dhëmbjeje, dashurie, kujtimesh, dëshpërimesh, lotësh e ëndrrash të një shpirti të trazuar...

M’u kujtua soneti “I rrëzuemi”:

 “Pa plang, pa sht’pi, pa streh’ ku t’gjej’ qetsimin,

 Rrugash kish mbet’ nji burr’ dyzet-vjeçar;

 Nata ish err’ e për me ba pushimin

 N’fush’ t’gjan’ ish kapun ku ish shtru’ mbi bar.

 Gjumi s’e kapte... kish drejtu’ kujtimin

 Gjat’ koh’s s’der-djeshme plym n’argjent e ar,

 Ma nuk do t’gzoje, rrok’ ish me disprimin

 Tu’ andrru jeten qi shijoi ma par’.

***

Pjetri, gjatë ndenjës së tij, ashtu në mënyrën e tij gazmore tregonte ndonjë barcoletë, anekdotë, nxjirrte vargje nga thesari i tij “qit e prit”. Pastaj heshtëtte. Pastaj përhumbej. Pastaj tregonte edhe ndonjë histori si... “tepër vonë”... :

 

 “A m’thu... n’se t’dhimbem un’ qi aq fort t’deshta

 Qi posht’ dritores prita ne terrinë?..

 E ‘i or’ te nates kangen nuk e heshta

 

 Pse syve t’bukur t’ia paç’ fal’ djelmninë?..

 ... Por... faj ti s’ke!.. : un’ t’puthun me t’lshu’ dreshta,

 Dhe ti u dridh’she, ... s’mujshe gjeraçinë!..

Libri me poezi “Frushullima të reja”

Ky libër poetik, që e kam në bibliotekën time, mbart një përkushtim, dhe është i qëndisur me shkrimin dhe firmën e Pjetër Gjinit. Në të shkruhet: “Profesorit të çmueshëm Zot. Filip Fishta Si shej nderimi Dhe me urime për vjetin e tij 1936. Tiranë 4 – I – 936.”

Edhe ky libër poetik, si disa të tjerë, autori e bashkëshoqëron me një Parathënie. Kësaj radhe e quan: “Në vend të parathanëjes”, Tiranë, 8. XI. 935.

Autori në tekstin paraprijës e sheh të udhës “... me t’u drejtue ty (Rini Shqyptare! – shënimi im Xh. B.) me këto të pakta rradhë , qi zanë vendin e nji parathanëjes, për dy arësyena:

 I.Pse “Frushullime të Reja” don me thanë kanga e gjethve të rij, e gjethi i rij i jetës njerzore ti je, pra kanga e këtij libri asht kanga e yte;

II.Pse letratyra e vorfen Shqyptare tu ti e ka të gjith shpresen; ti je çerdhja kryenaltë në të cillen do të lindin flatrat e ngallnjimit të njij letersis së pasun për Shqypnin e ardhëshme; ti po, o rini e soçme, ti vetëm je ajo të cillen ora e atmes fatlume, e ka da me gisht me e quejt nder shekuj, guri i themelit të letravet Shqyptare.

...

Nji lutje: Tue qenë se gjinden në libër edhe copa të punueme prej meje për kangë, (sidomos në pjesën e III-të të dashunis) i baj nji thirrje muzikantavet qi kanë dhuratën e madhe (fuqin me kompuzue copa muzikore) e i lus, qi, në qoftë se ndonji nga vjerrshat i pelqehet, t’a marrin mundimin me ia mveshë muziken, qi kështu dal-nga-dalë t’a udhëheqim Shqypnin t’onë, kah nji frymë kangësh moderne.

...

Rini Shqyptare!

Je motra e eme e fjala e yte për mue asht: “zani i detyrës”.

Duke këqyrur me vëmendje parathëniet a tekstet në vend të parathënieve, ku krahas seriozitetit dhe talentit të Pjetër Gjinit, vërehen edhe tri karakteristika: a) të shprehurit të motivit dhe dallimit të fjalëve kyçe, b) shqetësimi i poetit dhe marrëdhënia me realitetin e kohës, c) shpirti modern, kontributi i vlefshëm dhe mendësia përparimtare e poetit. Në të gjitha këto veti, dallohet modestia e Pjetër Gjinit.

 Në gjurmët e jetës dhe krijimtarisë së Pjetër Gjinit

 Pjetër Gjini lindi më 18 nëntor 1910 në Shkodër. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Arsimin e mesëm e kreu në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. Në moshë rinie shkoi në Tiranë. Punoi si redaktor në shtypshkronjën “Nikaj”. Me krijimin e Radio Tiranës, më 28.11. 1938, punoi si redaktor në këtë Institucion, duke i falur atij interesat vetjake që përkonin me kulturën e gjerë në fushën e artit, letërsisë, muzikës dhe shpirtit të tij plot humor prej shkodrani. Pjetri për shumë vite drejtoi emisionin “Ora gazmore” (Emisioni i parë: E diele 17.12.1939, ora 14 – 14.30, Ora Gazmore - përgatitur prej Terrinit), aq të pritur, aq të dashur për dëgjuesit. Gjatë punës në Radio, çdo javë, ditën e dielë, me pseudonimin “Terini” apo “Terini me shokë” e drejtonte, i jepte gaz e jetë asaj ore gazmore të mirëpritur. Këtu u njoh me kolegë të nderuar, si: Gjergj Bubani, Tonin Guraziu, Lola Gjoka, Marije Kraja.

 Me vendosjen e regjimit komunist pushohet menjëherë nga puna. Me 19 korrik të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me 12 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Për këtë moment të rëndë dramatik, Rrok Vuji, një mik i ngushtë i tij, thotë: “..., me shpresën se nga mangësitë e tij fizike do të detyrohej të pranonte ofertën e tyre, të cilën ja përsëritën edhe gjatë vuetjes së dënimit. Përgjigja e tij ishte jo e jo. Ky karakter i fortë e i vendosun i Pjetrit i çudiste dhe i tërbonte komunistët. Por ata harrojshin se në atë trup të brishtë, rrahte nji zemër e madhe shqiptari. Harrojshin se shqiptari i vërtetë nuk matet me trupin por me shpirtin e punën e vendosmërinë e tij për ta meritue emrin ‘shqiptar’.”

Lirohet nga burgu 25 prill 1958. Kthehet në Shkodër, në qytetin e tij të lindjes.Nuk i gjendet punë për moshën dhe shëndetin e tij, tashmë të lodhur. Mbahet nga të afërmit, nga motrat dhe miqtë e tij të këngës dhe të humorit. Asnjëherë nuk përkulet, nuk shtrin dorën për lëmoshë, nuk bëhet servil. E mban gjallë shpirti i tij gazmor. Këtë ‘gazmore’ e shoqëruar me një humor të mrekullueshëm, me tërë fuqinë e shpirtit ua jepte shkodranëve, teksa e thirrnin në dasma e ngjarje të ndryshme familjare, duke shoqëruar këngët dhe humorin fatlum me kitarën e tij besnike. (Po aq besnike kishte dhe biçikletën). Sipas kujtimeve të fizarmoniçistit Ferdinand Shllaku dhe kitaristit Kel Kaftalli, citojmë: “Pjetër Gjini nuk paguhet me pare”.

Pjetri ishte një njeri që vishej thjeshtë, por me sqimë. I kërpitur, - siç themi ne, nga Shkodra. Gjithherë i kërpitur! E shihja me një kostum doku. E shihja me një këmishë jeshile me kuadrate, me kuadrate e vijëza ngjyrë kafe, por më shpesh me këmishë të bardhë, borë të bardhë. Mbante dhe kravatë. S’mund ta kuptoje pa të. I rrinte hijshëm zotni Pjetrit. Pa flokë, vetëm anash. Me mustaqe. Gjithka që rrëfente e bashkëshoqëronte me lëvizjet e duarve. Trupin nuk e përkulte, e mbante drejt. E mbante trupin, edhe kur i hipte biçikletës...

Vdiq i nderuar, i respektuar dhe i paharruar, më 30 mars të vitit 1988.

Rruga dhe krijimtaria e Pjetër Gjinit

Pjetër Gjini qe poet, prozator, publicist, muzikant, përkthyes. Shkëlqimtar si humorist me disa tipare të përveçme të humorit shkodran që e krijoi në mes të tjerave edhe sipas formulës bejtare: “Qit e prit”.

 Krijimtaria e tij e gjerë, për shkak të rrethanave politike siç ishte dikatura komuniste, me qëllim u la në heshtje, por e mbetur në kujtesën dhe shpirtin, në zemrën dhe bisedat e shkodranëve. E kush nuk e kujton dhe rikujton Pjetër Gjinin, edhe sot? E kush nuk e përmend dhe ripërmend Pjetër Gjinin, edhe sot? Herë me zë e herë nën zë, por gjithmonë me të qeshura dhe buzëqeshje pafund...

 Pjetër Gjini filloi të shkruajë që herët, në moshën e rinisë. Krijimtaria e tij u përmblodh në disa libra, por pjesa më e madhe gjendet e botuar në shtypin e kohës që botoheshin te “Shtylla satirike” nën okelion “Hallet tona”, pa përmendur këtu gjithë atë humor të improvizuar e të shoqëruar me kitarën e tij. Në gazetat dhe revistat e kohës, si: “Radio-revista Tirana” (e cila nga nr. 14 doli me titullin “Vatra Shqiptare”), “Shkëndija”, “Bashkimi i kombit”, “Bleta”, etj., gjejmë poezi lirike, tekste këngësh, por pjesa më e madhe është në fushën e humorit dhe të satirës. Nëpërmjet humorit të mprehtë dhe guxues Pjetri vinte në lojë veset e ndryshme të kohës. Mjafton të përmendim poezitë satirike: “Ulu prej fikut”, “Kopshti me kërpudha”, “Edij, Kujto”, “Fjalori i jem”, “Hymn tregtarëve”, “Gazetar e gazepqar”, “Sihariq”, “Lutje Beledijes”, etj., që për motivin që mbartin rrezatojnë në çdo kohë si aktualitet. Ja një gazmore plot gaz e vaj:

 “ Po të pres më the përhera

Der sa fiq më pati shporta,

Po kur xhepat m’i muer era

S’të dha zemra rrahje të forta.”

.................................................

 (Vjersha “Po të pres...” P. Gjini)

 Pjetër Gjini, njohësi i disa gjuhëve të huaja, si: anglishten, frëngjishten, italishten, gjermanishten, etj., është autor edhe i këtyre librave: - Besniku (Kallxim Popullorë). Vjersha, Tiranë, 1932. 24 f. në 16. (Biblioteka argëtuese Nr. 2); - “Burri ban voe?” (Kallxim populluar) Vjersha. Tiranë, shtypshkronja “Gutenberg”, 1935, 24 f. në 16. (Biblioteka argëtuese Nr. 6); “Çaste rinije”, Kangë origjinale, të përkthyeme dhe t’adaptueme, Durrës, Litho-Tipografia “Stamles”, 1938. 30 f. në 16. ; “Darkë madhështore” (Kallxim populluar) Vjersha, Tiranë, “Nikaj”, 1933, 25 f. në 16. (Biblioteka argëtuese nr.4); - “Dat-lindja e Zogut 1-rë” Tiranë, Shtyp. “Nikaj”, 1932, 3 fq. Me 2 portrete: në 16. Vjersha.; - “Dy lot mbi varr të N. M. S. Nanës Mbretneshë. Tiranë, shtypshkronja “Gutenberg”, 1934. 15 fl. Me portret në 16. Vjersha. ; - “Flamuri Shejt” (vjersha atdhetare) Tiranë, Shtyp. “Nikaj”, 1930. 15 f në 16.; “Flija e atdheut “Llesh Topallaj””. Vjersha rreth Atentatit të Vienës) Tiranë, Shtyp. “Nikaj”, 1932, 24 f. me portret në 16.; - “Flija e atdheut “Llesh Topallaj”” (Vjersha rreth atentatit të Vienës), Botim i 2-të Tiranë, shtypshkronja “Nikaj”, 1933. 33f. me ill e portrete në 16.; - “Frushullime të reja”, Tiranë, “Gutenberg”, 1935, 155f + IIIf. Vjersha; - “Frushullime të reja, Botim i 2-të, Tiranë, Botonjës Luarasi, 1938. 155 f. në 16. Vjersha; - “Gjaja e keqe” (Kallxim populluar), Vjersha. Tiranë, shtyp. “Nikaj”, 1932, 24 f në 16 (Biblioteka argëtuese nr. 3); - “Kangët e Frorit”, 1939, të këndueme në Radio-Tirana, Tiranë, shtypshkronja “Gutenberg”, 1939, 32 f në 16.; - “Kangë të këndueme në radio Tirana”, Tiranë, shtypshkronja “Tirana” 1940. 73 f. në 16. Vetëm teksti i këngëve pa nota.; - “Kurtha e dashunis” (Novelë) Tiranë, shtypshkron ja “Shkodra”, 1934. 31 f. në 16.; -“ Letrar: Meshirë për gjuhën shqipe”, Tiranë, 1934. 16 f. në 16.Vjershë; - “Malsori në Paris. (Kallxim populluar) Vjersha. Tiranë, shtypshkronja “Mbrothësija”, Kristo P. Luarasi, 1932. 23 f. në 16. (Biblioteka argëtuese nr. 1); - “Ora e Dishrueme”, Tiranë, 1938, 15 f. me portrete, Vjershë për fejesën e Zogut.; - “Tridhtedyshit ose zotni Ndoc Vasis”, Tiranë, Shtyp. “Gutenberg”, 1933, 16 f. në 16. Polemikë në formë vjershe me Ndoc Vasin.; - “Tri përshëndetje Llesh Topallaj”, në tre vjetorin e vdekjes së tij, Tiranë, shtypshkronja “Nikaj”, 1934. 22 f. në 16. Vjersha.; - “Vasa në Vjenë (Kallxim populluar) Vjersha, Tiranë, shtyp. “Nikaj”, 1935. 30 f në 16. (Biblioteka argëtuese nr. 5)., etj.

 Shkodër, maj 2019

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Panik në Ekuador, aeroplani rrëzohet në mes të rrugës! Humbin jetën dy persona, plagoset një tjetër (VIDEO)

Panik në Ekuador, aeroplani rrëzohet në mes të rrugës! Humbin jetën dy persona, plagoset një tjetër (VIDEO)