Partia e Lirisë akuzon qeverinë se ka dështuar të menaxhojë fondet publike.

Duke iu referuar administrimit të ujësjellësave, PL kërkon të ndalet çdo rritje e tarifave të ujit, derisa të përmirësohet shërbimi.

Deklarata e plotë:

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit është një aktakuzë e rëndë ndaj mënyrës se si qeveria ka administruar sektorin e ujësjellësve. Ajo që duhej të ishte një reformë për rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimit, është shndërruar në një mekanizëm ku qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për të mbuluar dështimet e institucioneve.

Vetë KLSH konstaton se në disa raste rritja e tarifave të ujit nuk po përdoret për të përmirësuar shërbimin, por për të mbuluar pasojat e keqmenaxhimit dhe joeficiencës së shoqërive të ujësjellësve. Ndërkohë, humbjet në rrjet arrijnë nivele alarmante, me mbi 74% në Lezhë dhe rreth 70% në Fier, ndërsa qytetarëve u kërkohet të paguajnë faturën e paaftësisë së administratës.

Kjo është fytyra e vërtetë e reformës territoriale të Partisë Socialiste. U premtua racionalizim, ekonomi shkalle dhe shërbime më cilësore. Në realitet u krijuan struktura më të mëdha, por jo më efikase; më shumë burokraci, më pak llogaridhënie dhe më shumë barrë financiare për familjet shqiptare.

Sot qeveria nuk po ndëshkon ata që menaxhojnë keq fondet publike. Përkundrazi, po ndëshkon qytetarët që paguajnë rregullisht faturat e tyre. Ky është modeli i një qeverisjeje ku përgjegjësia zhduket dhe kostoja transferohet te konsumatori.

Edhe propozimet e reja të Partisë Socialiste për një tjetër reformë territoriale ngjallin shqetësim të madh. Përpara se të kërkojë të rishkruajë hartën administrative të vendit, qeveria duhet të japë llogari për dështimin e reformës që vetë ndërmori dhe për pasojat që ajo ka prodhuar në shërbimet publike. Nuk mund t'u kërkohet shqiptarëve të besojnë një reformë të re, kur reforma e mëparshme ka sjellë më shumë centralizim, më pak transparencë dhe kosto më të larta për qytetarët.

Partia e Lirisë kërkon:

- Ndalimin e çdo rritjeje të tarifave të ujit derisa të merren masa konkrete për uljen e humbjeve dhe përmirësimin e menaxhimit.

- Auditim të plotë dhe transparencë mbi performancën financiare të të gjitha shoqërive rajonale të ujësjellësve.

- Përgjegjësi administrative dhe ligjore për drejtuesit që me keqmenaxhimin e tyre kanë detyruar qytetarët të paguajnë faturën e dështimeve.

Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë për një shërbim që nuk përmirësohet. Dështimet e qeverisë nuk mund të mbulohen me faturat e qytetarëve.

lajm ne perditesim...