Partia e Lirisë i kërkoi qeverisë të rrisë pagat dhe pensionet, duke argumentuar se shqiptarët nuk jetojnë me statistika, por me të ardhurat që marrin dhe koston e përditshme të jetesës. Zëdhënësja Jasmira Memelli krahasoi Shqipërinë me Malin e Zi, ku sipas saj paga minimale pritet të arrijë deri në 1,400 euro nga janari 2027, ndërsa akuzoi qeverinë se po shmang debatin për standardin real të jetesës së qytetarëve.

Deklarata e plotë 

"Ndërsa Edi Rama kërkon të bindë shqiptarët se gjithçka po shkon mirë, shifrat dhe jeta e përditshme tregojnë një realitet tjetër.

Nga janari 2027, paga minimale në Malin e Zi pritet të shkojë nga 1,000 deri në 1,400 euro, ndërsa pensioni minimal pritet të kalojë 500 euro.

Ndërkohë, qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me çmime të larta, qira të papërballueshme dhe një kosto jetese që rritet shumë më shpejt se mundësia e familjeve për ta përballuar.

Por si ka mundësi që një vend më i vogël se Shqipëria po ndërton një model që synon të rrisë ndjeshëm të ardhurat e qytetarëve, ndërsa këtu familjet përballen çdo ditë me një kosto gjithnjë më të lartë jetese dhe paga shumë me te uleta se vendet fqinje?

Të dhënat fiskale tregojnë se të ardhurat publike në Shqipëri janë rreth 28.3% e PBB-së, ndërsa në Malin e Zi rreth 40.3%, kjo diferencë prej 12% tregon se ka një problem serioz në mënyrën se si mblidhen dhe menaxhohen të ardhurat publike.

Janë rreth 4 miliardë euro në vit që vidhen dhe nuk arkëtohen në buxhetin e shtetit, para të cilat duhet te shkonin për të rritur pagat dhe pensionet, njëjtë si Mali i Zi.

Prandaj debati nuk duhet të jenë statistikat që përdor qeveria për propaganda, por se çfarë standardi jetese prodhon ekonomia për qytetarin.

Sepse qytetarë nuk jetojnë me statistika, jetojnë me pagën dhe pensionin që marrin, me çmimin e ushqimeve, qiranë, faturat dhe koston e rritjes së fëmijëve.

Ndërsa Mali i Zi po ndërmerr hapa për të rritur ndjeshëm të ardhurat e qytetarëve, Shqipëria vazhdon të përballet me largimin e të rinjve, rënien e fuqisë blerëse dhe një kosto jetese gjithnjë e më të rëndë.

Ky është problemi që qeveria duhet të zgjidhë, jo ta fshehë duke ndryshuar temat e debatit.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për propagandë. Kanë nevojë për paga që përballojnë jetën, pensione dinjitoze dhe një shtet që u kthen qytetarëve vlerën e asaj që ata paguajnë çdo ditë.

Dhe kjo është llogaria që Edi Rama duhet t’u japë qytetarëve shqiptarë" tha ajo.