Plagët e Agron Aliajt
Premiera pa maestron

Plagët e Agron Aliajt<br />Premiera pa maestron
I gjejmë në prova balerinët që do të ngjisin në skenë premierën “Plaga a e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Ata janë pothuaj në ato pozicione që i ka lënë javë më parë Maestro Agron Aliaj, para se ta pësonte nga një aksident. Përpiqen, por Maestro u mungon shumë. Me sytë nga instruktorët, në start të vallëzimit, mbi majat e këmbëve që iu dridhen lehtë, sytë e tyre pyesin si të hutuar: “Po tani ç’duhet të bëjmë?!”. Kjo pyetje në gjymtyrët e tyre rri tendosur më gjatë se zakonisht, sepse ndoshta janë duke kërkuar sytë e profesor Alisë aty. Instruktorët nuk e reshtin së ushtruari, ndërkohë që primabalerinët Enada Hoxha e Gerd Vaso nuk gjejnë dot rehat. Pa u prehur ende mirë prej kërcimit në rolet e Dardinës e Gjergjit, vrapojnë tek valltarët e tjerë të trupës duke instruktuar me radhë detaje, këtu dora, këtu këmba, krahu, “Hopa, ja kështu. Bravo!”. Balerinët e tjerë presin të interpretojnë episodet. Të djersitur e të lodhur me një dihatje paksa dëshpëruese ndër pushimet e shkurtra, ata kanë nevojë për një motiv që të rifillojnë sërish nga e para. Një fjalë, një gjest, një lëvizje, një ngritje vetullash të Maestro Alisë, paskan qenë shumë për ta. Balerinët më treguan se nuk e kishin ditur më parë se pikërisht për ato gjeste aq të dashura të Maestros do të kishin kaq shumë nevojë sot.

T’ia shërojmë plagën Maestro Alisë
Edhe dy ditë po i ndajnë nga ngjitja në skenë. Janë të gjithë të shqetësuar, të tensionuar, me një vullnet të tendosur, sepse duan t’ia shërojnë plagën Maestro Agron Alisë, të cilën nuk e kishin menduar kurrë se do të ndodhte në një kohë me “Plagën e dhjetë të Gjergj Elez Alisë” në skenë. Të gjithë ndihen të shqetësuar për fatin e premierës, që nga drejtori i operës Zhani Ciko, deri tek studentët e Akademisë së Dansit që sot kanë më shumë nevojë për të. “Mungesa e Agron Alisë në Teatrin e Operas është mungesa e një kolone të krijuesit, të interpretuesit të teatrit, të njërit prej njerëzve, që kur na mungon, ndjehemi sikur kemi humbur një gjymtyrë”, thotë Ciko.

Agron Aliaj u aksidentua sapo kishte bërë provat më intensive me baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. Punonte me merak të madh, sepse ai është një nga pionierët e rinovimit të antologjisë të muzikës skenike e artit skenik shqiptar në 100 vjetorin e saj. Madje dukej akoma më i preokupuar, sepse libreti mban firmën e Ismail Kadaresë, muzika mban autorësinë e Fehim Ibrahimit, dekori dhe kostumet dorën e Naxhi Bakallit. Vetëm artistët e mëdhenj mund të jenë kaq të shqetësuar për të nderuar emrat më të mëdhenj të artit. “Vepra ngërthen disa personalitete në një shfaqje të vetme. Agron Aliaj ishte frymëzimi dhe ideatori kryesor i krijimit të kësaj vepre”, tha drejtori i operas. Ai na rrëfen se çfarë meraku e brente gjatë provave Maestro Alinë. Ishte për një rinovim në stil, dhe ky rinovim duhej të bëhej brenda idesë së autorëve të cilët e kanë konceptuar. “Që mos dëmtohej vepra”, ky ishte një shqetësim më i madh i Agron Alisë”, thotë Zhani Ciko. Instruktorët e valles rrëfejnë se Agron Aliaj jo pak herë i diskutonte këto koncepte. Deri më sot ai u ka hequr pluhurin shumë veprave antologjike të baletit shqiptar, sepse do që të mbetet një traditë me vepra kombëtare. Duke e vizituar sa herë në spital para operacionit, ata ia premtuan këtë. Tashmë Agron Aliaj pas operacionit nuk flet dot, është në pushtetin e aparaturave, por të gjithë në Opera po punojnë që t’ia shërojnë plagën maestro Agron Alisë.

Kush po e rikuperon mungesën e Aliajt?
Fakti që Agron Aliaj, kur ishte duke punuar me balerinët kishte si asistente koopetitoren Joli Eleni Gjovreku, një nga nxënëset e tij më të mira, ka mundësuar vazhdimësinë e provave. Por duket se ajo nuk e mban dot barrën që mbante vetë Mestro. Ndaj, bashkë me përgjegjësin e trupës së baletit Kujtim Hoxha i kanë përveshur llërët edhe dy solistët kryesorë Enada me Gerdin. Ndiejnë më shumë siguri e vetëbesim se kanë një jetë që kanë punuar me Maestron, dhe e njohin veprën. Dirigjenti Petrika Afezolli mundohet nga ana tjetër t’i sjellë një freski të partiturës së Fehim Ibrahimit.
Por mos të harrojmë se ai që ka bërë punën më të madhe ishte vetë Mestro Aliaj, duke vijuar në ato orët e vona të mbrëmjes, ku njëra prej atyre orëve papritmas i ra në pabesi.
Aliaj i kishte nisur provat që nga mesi i janarit. Premierën dhe konceptin e saj e la pothuajse gati. Na duhet vetëm të punojmë thonë të gjithë në opera. Do t’ia dalim vërtetë. Do t’ia dalim, por dëshira jonë është që shërohet sa më shpejt për të bërë në të ardhmen spektakle. Vazhdimisht na mungon. Shkojmë ta shohim dhe kemi shpresë se do të kthehet këtu në opera. “Duke qenë dinamik i ka shkuar operacioni mirë, por rikuperimi motorik është një problem që ka një rrugë të gjatë për t’u zhvilluar. Por ai mundet t’u mbijetoje traumave.”, thotë drejtori Ciko.

Këshillat e maestros nga spitali
Në momentet para se të operohej ishte tërë kohën i preokupuar sesi po vinin punët në teatër. Përgjegjësi i trupës Kujtim Hoxha, duke bërë provat pa maestron na tha: “Thuhet se nuk ka njeri të pazëvendësueshëm, por për mua dhe të gjithë stafin e operës Agron Aliaj është i pazëvendësueshëm. Na mungon sikur edhe prezenca e tij kur hyn në sallë. Edhe sikur të mos flasë Agroni, ndryshe mobilizohet trupa për të kërcyer. Një fjalë e Agronit ka vlerë 100-fish, mund ta them dhe unë fjalën, por.... Eh, ne përpiqemi të paktën t’i afrohemi asaj që do të bëhet nëse do të ishte vetë Maestro Aliaj.” Ndërsa e dëgjoj e kuptoj që të gjithë janë mësuar të rrimë tërë sy e vesh tek ajo që thotë maestro. “Krijoni figurën artistike të të qenit në skenë. Çdo person është personazh”, këtë u thoshte shpesh të rinjve Maestro Aliaj. Motivi i tij, çdo person është personazh, i bën valltarët të jetojnë me ngjarjen pa u shkëputur nga veprimet e solistëve. Janë edhe dy prova, sot bëhet prova gjenerale. Nesër do të jepet shfaqja. Porositë e tij të pafundme nuk i kanë harruar. Të gjithë duan të bëjmë më të mirën për të nderuar atë.”
Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, kërcejnë dhe instruktojnë trupën. Kujtim Hoxha tha se “Profesori para dhjetë ditësh fliste normalisht dhe na pyeti sesi po ju shkojnë provat. “A po punojnë njerëzit?”. Pastaj na tha: “Punoni, por shijojeni jetën. Është shumë e bukur”.


Zhani Ciko:
“Mungesa e Agron Alisë në Teatrin e Operas është mungesa e një kolone të krijuesit, të interpretuesit të teatrit, të njërit prej njerëzve, që kur na mungon, ndjehemi sikur kemi humbur një gjymtyrë”, thotë Ciko


Kujtim Hoxha:
“Profesori para dhjetë ditësh fliste normalisht dhe na pyeti sesi po ju shkojnë provat. “A po punojnë njerëzit?”. Pastaj na tha: “Punoni, por shijojeni jetën. Është shumë e bukur”

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza