SHKODËR-Arrestohen tre autorët e plagosjes së 38-vjeçarit Vate Shpati mesditën e djeshme në lagjen “Mark Lula”. Në pranga kanë rënë dy vëllezërit Luigj dhe Pjetër Martini dhe S. P. 36 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Mesditën e djeshme rreth orës 12:10, në lagjen "Mark Lula", pas një konflikti të çastit në bashkëpunim me njëri-tjetrin tre të arrestuarit plagosën me thikë Vate Shpatin, banues në Dobraç. I plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Vate Shpati është vëllai i njërit prej oficerëve të krimeve në Shkodër, por ende nuk dihen shkaqet e konfliktit që sollën plagosjen.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim” e Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".