Një gjykatë në Sllovaki ka dënuar me 21 vjet burg të akuzuarin për tentativë vrasjeje ndaj kryeministrit Robert Fico vitin e kaluar.

Gjyqtarët hodhën poshtë pretendimin e mbrojtjes së Juraj Cintula, ku sipas tij kërkoi vetëm ta “trembte” Ficon në vend që ta vriste, duke arritur në përfundimin se qëllimi i tij ishte “rënia e qeverisë”, jo hakmarrja personale.

Prokurorët kishin kërkuar një burgim të përjetshëm, por gjykata dha një ulje të dënimit për shkak të moshës dhe bashkëpunimit të të pandehurit gjatë procedurave. Pas vendimt të dhënë nga gjykatësi Cintula e përshkroi si "të padrejtë".

Juraj Cintula, 72 vjeç, qëlloi me armë zjarri Ficon më 15 maj 2024, ndërsa kryeministri po përshëndeste mbështetësit pas një mbledhjeje të qeverisë në qytetin Handlová, rreth 140 kilometra në verilindje të Bratislavës. Pas sulmit, Cintula u arrestua menjëherë dhe u mbajt në paraburgim. Gjatë marrjeve në pyetje, ai mohoi se ishte terrorist.