Fatjon Vishka, 27-vjeç, është ekstraduar nga Franca, pasi akuzohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë. Në 2018, 27-vjeçari qëlloi në drejtim të makinës ku udhëtonin 3 persona, u plagos Altin Mazari.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Dibër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale ‘’Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në maj të vitit 2018, në qytetin e Peshkopisë, shtetasi F. V., në bashkëpunim me vëllanë e tij, ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin shtetasit A. M. dhe A. A. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi A. M.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Paris u bë kapja dhe ekstradimi i tij në vendin tonë.