Report Tv ka zbardhur dëshminë e Klodian Beshirit, i cili plagosi një natë më parë me armën që mbante pa leje dy persona, të cilët i kishin bërë pritë për ta dhunuar.

Gazetari Merin Maçi raporton se Klodian Beshiri ka thënë para hetuesve se i ka plagosur dy të rinjtë Redi Myrto dhe Rexhep Qefalia për vetëmbrojtje, pasi ata të dy po e dhunon në një kohë kur po shkonte në shtëpi së bashku me bashkëshorten e tij.

"E kam kryer aktin për vetëmbrojtje, kam qenë së bashku me bashkëshorten kur 2 të rinjtë më bënë pritë dhe nisën të më dhunojnë. Në këto kushte kam qëlluar ndaj 2 të rinjve duke i plagosur me armë zjarri", ka thënë Beshiri në polici.

Pronat mendohet se janë shkak i konfliktit të ndodhur mbrëmjen e 31 gushtit, ndërsa Report Tv ka zbardhur dhe dëshminë e të plagosurit Redi Myrto, i cili ka deklaruar se Beshiri një ditë më parë ishte konfliktuar dhe me vëllanë e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Zall Herr ku dy të rinjtë, Rexhep Qefalia së bashku me Redi Myrtën i kanë zënë pritë 34-vjeçarit, Klodian Beshirit dhe kanë nisur ta dhunojnë.

Beshiri po kthehej në shtëpi së bashku më bashkëshorten e tij dhe sipas dëshmisë në kushtet e vetëmbrojtjes, ka nxjerrë pistoletën, që e mbante pa leje, duke qëlluar ndaj të rinjve. Rexhep Qefalia ka mbetur i plagosuri në këmbë, ndërsa Redi Myrta u plagos në kokë me qytën pistoletës.