ZALL HERR- Një sherr mes disa të rinjve për pak ka përfunduar në mënyrë tragjike në Zall Herr. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se pas një sherri për motive ende të paqarta, Rexhep Qefalia së bashku me Redi Myrtën i kanë zënë pritë 34-vjeçarit, Klodian Beshirit.

Ky i fundit, po kthehej në shtëpi së bashku më bashkëshorten e tij mbrëmjen e sotme, rreth orës 22:00, ku dy personat tashmë të identifikuar i kanë dalë përpara. Gjatë konfliktit, në kushtet dhe të vetëmbrojtjes, Beshiri ka nxjerrë pistoletën, që e mbante pa leje, duke qëlluar ndaj të rinjve.

Për pasojë, Rexhep Qefalia ka mbetur i plagosuri në kofshë, teksa Redi Myrta me qytën pistoletës ka marrë plagë në kokë, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë
Vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë të 26-vjeçarit dhe plagosjes me qytë të pistoletës të 23-vjeçarit.

Para një ore në Zall-Herr, pranë nje lokali, në rrugë, shtetasi K.B., 34 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri në kofshë, shtetasin R. Q., 26 vjeç dhe ka goditur me qytë pistolete në kokë shtetasin R. M., 23 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve pa probleme per jeten.

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë bëri të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar në ambientet e  Komisariatit të Policisë  Nr.5 në Kamëz. Në cilësinë e provës materiale është sekuestrua arma e zjarrit me të cilën autori kryeu plagosjet. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.