TIRANE- Ministria e Brendshme përgënjeshtron deklaratat e Partisë Demokratike për ngjarjen e Mamurrasit ku një person u plagos me armë zjarri. Një 36-vjeçar, banues në Thumanë të Krujës, është plagosur me armë zjarri në Mamurras nga 27-vjeçari Elson Kalaveri, po nga Thumana.
 
Autori i ngjarjes u arrestua nga uniformat blu, ndërsa 36-vjeçari i plagosur me armë zjarri ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin Ushtarak Tiranë.
 
Partia Demokratike në një deklaratë për mediat ka akuzuar ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për fshehje të fakteve, duke thënë se ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të Postës së Policisë Mamurras.
 
Duke përgënjeshtruar këtë fakt, Ministria e Brendshme thekson se ngjarja nuk është fshehur, pasi njoftimi përkatës është përcjelle nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë që më datë 17 janar. Në njoftim theksohet se “ngjarja nuk ka ndodhur në ambientet e Postës së Policisë në Mamuras”.
 
“Më datën 17.01.2014, rreth orës 01:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Elson Bukurosh Kalaveri, 27 vjeç, banues në Thumanë-Krujë. Arrestimi i ketij shtetasi u bë pasi më datën 17.01.2014, rreth ores 00.45, në qytetin e Mamurrasit, ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin G. K., vjeç 36 banues në Thumanë Krujë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin Ushtarak Tiranë.
 
Falë ndërhyrjes shumë të shpejtë nga ana e Patrullës së Policisë Mamurras, menjëherë mbas ndodhjes së ngjarjes është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit, së bashku me armën e krimit e llojit Pistolet HS, me nje krëhër me katër fishek të kalibrit 9 mm. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gëzhoj, kalibrit 9 mm”, thuhet në njoftimin e Policisë.
 
Ndërsa bëhet me dije se materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit gjyqesor Kurbin, për veprën penale të “Vrasjes me dashje” e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” parashikuar nga nenet 76-22, dhe 278/2 të Kodit Penal.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)