TIRANË- Sherri i para një viti ka qenë arsyeja e ngjarjes që për pak sa nuk i mori jetën 27- vjeçarit Martin Iskurti. Ka qenë ky i fundit i cili pas mbërritjes në spital ku është marrë në pyetje nga efiktivat e policisë ka treguar arsyet dhe emrin e Bledar Vanit, i cili qëlloi 3 herë mbi të në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, te "Ushtari i Panjohur."

Burime nga policia bëjnë me dije se pas marrjes në pyetje të 27-vjeçarit, ai ka treguar se ngjarja i ka fillesat para një viti, kur ai ka rrahur autorin, pasi janë zënë për riparimin e makinës së Vanit.

Sipas tij 26-vjeçari Vani ka sjellë makinën ku Iskurti punonte si elektroaut në një pikë servisi në Shkozë. Por pas riparimit të defektit autori ka risjellë sërish makinën në servis duke pretenduar se defekti nuk ishte riparuar. Kaq ka mjaftuar dhe mes të dyve ka pasur një konfrentim fizik. Sipas të plagosurit, Martin Iskurti, autori Bledar Vani është larguar duke kërcënuar se kjo histori nuk do të mbyllet me kaq.