Planet e Nishanit, Gjin Gjonit
dhe gjyqtarëve kundër reformës

Planet e Nishanit, Gjin Gjonit<br />dhe gjyqtarëve kundër reformës
TIRANE - Ka një koordinim qëndrimesh dhe bashkëpunim mes anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Unionit të Gjyqtarëve, Presidentit Bujar Nishanit dhe Partisë Demokratike, kundër disa prej ligjeve më të rëndësishme, të cilat mundësojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbajtur në datën 18 Nëntor, hyrja në fuqi e ligjeve prioritare ishte shqetësimi kryesor i anëtarëve të Këshillit.

Gjatë kësaj mbledhje, anëtarët e KLD kanë paralajmëruar Nishanin për pasojat e hyrjes në fuqi të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili kufizon veprimtarinë e Këshillit, ndërsa kanë propozuar ngritjen e një grupi pune, për të parashikuar masat që duhet të merren gjatë periudhës tranzitore.

Ndërkaq, anëtari Gerd Hoxha, njëherësh kreu i Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, ka informuar KLD se, unioni ka përgatitur një padi, të cilën do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, për të rrëzuar ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Lëvizja e gjyqtarëve ka ardhur në koordinim me KLD.

“Shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do të tregohet në lartësinë që është deri më tani dhe të na japë mundësinë që ky Këshill të vazhdojë të kryejë detyrën e tij kushtetuese deri në momentin e fundit, ashtu siç e keni theksuar dhe ju”, shprehet Hoxha, duke u dhënë një mesazh të qartë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, anëtari Neritan Cena, thotë se KLD nuk mund t’i drejtohet Kushtetueses për të rrëzuar ligjin për shkak se është përjashtuar me Kushtetutën e re. “Është përcaktuar tek Kushtetuta e mëparshme nuk ishte, një nga subjektet që mund t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese, nuk parashikohej Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe aktualisht te Kushtetuta e re është parashikuar si subjekt Këshilli i Lartë Gjyqësor, por jo Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, ka pohuar ai.

Manjani kundër
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, është shprehur kundër planeve dhe diskutimeve në KLD, për të ankimuar në Kushtetuese ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe të ligjeve të tjera prioritare.

“Do më duhet të jem, të themi, politikisht korrekt me pozicionin dhe me detyrën që unë ushtroj, edhe në përbërje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që, nuk do mbështesja asnjë lloj reagimi sindikalist të Këshillit të Larët të Drejtësisë në kontekst të asnjë ligji të miratuar nga Parlamenti para apo pas reformës”, ka pohuar Manjani.

KLD “ndërseu” gjyqtarët
Në mbledhjen e datës 4 nëntor, anëtari Neritan Cena, i ka kërkuar Presidentit Nishani që të vërë në lëvizje shoqatën e gjyqtarëve, për të rrëzuar ligjin.

“Të kërkojmë shfuqizimin e atyre dispozitave që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Pse e them këtë z. President? Është shumë e habitshme z. President sepse referuar kompetencave që na kanë përcaktuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarit”, ne nuk kemi të drejtë as të komandojmë një kryetar gjykate z. President. Prandaj unë do kërkoja që të paktën ne si... ose shoqata që përfaqëson Gerdi si kryetar, të mund të reagojë në mënyrë konstitucionale ndaj kufizimeve të vendosura në këtë ligj. Nuk mund të rri gjyqësori pa qeverisje”, ka pohuar Cena, referuar procesverbalit të mbledhjes.
 
Diskutimet në KLD për ligjin për statusin e gjyqtarëve
 
-Artan Broci: Faleminderit, zoti President! Nisur dhe nga fakti që shumë shpejt pritet të hyjë në fuqi paketa e re ligjore, e cila tashmë është botuar dhe në fletoren zyrtare, e cila në fakt kufizon veprimtarinë e këtij Këshilli, unë çmoj se është e nevojshme ngritja e një grupi të punës, për të hartuar një plan veprimi, për të parashikuar masat që duhet të marri Këshilli i Lartë Drejtësisë në periudhën tranzitore, në përputhje edhe me paketën ligjore që ka kaluar sepse duhet të kemi parasysh që me ligjet, qoftë statusi i gjyqtarit, qoftë dhe ligje të tjera, veprimtaria e këtij Këshilli, ndryshe nga sa parashikon Kushtetuta, kufizohet në veprimtarinë e tij deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
 
-Gerd Hoxha: Dhe unë ndaj të njëjtin shqetësim si me z. Broci. Sikur kam bërë me dije dhe në mbledhjen e kaluar, edhe sot po e ritheksoj se, tashmë Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë e ka marrë vendimin që do ta dërgojë, dhe padia është në përfundim, do ta dërgojë përpara Gjykatës Kushtetuese ligjin “Për statusin e gjyqtarëve”, pasi jo vetëm në këtë dispozitë, që është dispozitë kalimtare, por dhe dispozita të tjera të tij, bien në kundërshtim me Kushtetutën. Shpresojmë që Gjykata Kushtetuese do të tregohet në lartësinë që është deri më tani dhe të na japë mundësinë që ky Këshill të vazhdojë të kryejë detyrën e tij kushtetuese deri në momentin e fundit, ashtu siç e keni theksuar dhe ju.
 
-Neritan Cena: Z. President, lidhur me sa parashtroj z. Broci, të sqaroheshin se çfarë kompetencash do bënte ky grup pune që do ngrihej sepse në të kundërt nga sa mendon z. Hoxha, ne i kemi duart e lidhura për t’iu drejtuar, në aspektin kushtetues nuk mund t‟i drejtohemi, ne si subjekt, Gjykatës Kushtetuese. Është përcaktuar tek Kushtetuta e mëparshme nuk ishte, një nga subjektet që mund t‟i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese, nuk parashikohej Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe aktualisht te Kushtetuta e re është parashikuar si subjekt Këshilli i Lartë Gjyqësor, por jo Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
 
- Bujar Nishani: Ndoshta z. Broci e risqaron atë që propozoi, por me sa kuptova unë, propozimi i z. Broci nuk ishte asnjë lloj lidhje me atë që thatë ju. Propozimi i zotit Broci nuk kishte lidhje që KLD-ja apo grupi i punës t‟i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të atakuar ndonjë ligj të caktuar të paketës ligjore. Z. Broci e mori të mirëqenë hyrjen në fuqi të paketës ligjore dhe zoti Broci kërkoi që grupi i punës ta asistojë punën në vijimësi të KLD-së për ato kompetenca që rregullohen tashmë me paketën e re ligjore, në mënyrë tranzitore, deri në krijimin e KLGJ-së dhe institucioneve të tjera Kushtetuese.
 
-Gjin Gjoni: Unë jam dakord me propozimin e z. Broci dhe e mbështes plotësisht që ka nevojë për një plan veprimi në lidhje me një grup pune i cili duhet të fusë në sitë të gjithë
legjislacionin dhe rregulloren dhe vendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në lidhje me ndryshimet e reja të cilat janë parashikuar në paketën kushtetuese dhe njëkohësisht edhe
në atë ligjore. Përveç kësaj, unë kisha dhe një propozim tjetër. Meqenëse kemi marrë një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për organet drejtuese të këtij Këshilli, ka një mospërputhje midis ligjit dhe këtij vendimi. Është vendimi “Për funksionet drejtuese të kryetarëve të gjykatave”, dhe aty ka përcaktuar një afat, i cili, për mendimin tim, është në
kundërshtim të hapur me ligjin. Dhe unë i propozoj seancës plenare që të marri një në vendim që të shfuqizojë këtë dispozitë i cila është vendim i Këshillit, jo komplet vendimin e KLD-së, por këtë paragraf të këtij vendimi
 
-Ylli Manjani: Unë do të sugjeroja që të fokusoheshim te rendi i ditës i propozuar. Do më duhet të jem, të themi, politikisht korrekt me pozicionin dhe me detyrën që unë ushtroj, edhe në përbërje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që, nuk do mbështesja asnjë lloj reagimi sindikalist të Këshillit të Larët të Drejtësisë në kontekst të asnjë ligji të miratuar nga Parlamenti para apo pas reformës. Unë nuk e mbështes. Sigurisht që unë nuk e ndaloj Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por pozicioni, detyra e ministrit të Drejtësisë që unë kam, nuk më lejon ta bëj një gjë të tillë, për arsye etike, për arsye politike po të doni, për arsye profesionale. Kështu që unë nuk jam pjesë e këtij diskutimi, nëse ndonjëherë Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të marri ndonjë pozicion publik për këtë çështje. Natyrisht, shoqatat janë të lira, janë grupime vullnetare, as nuk i komandojmë ne, as nuk i vendosim ne, as nuk ua diktojmë ne axhendën.

(er.nu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Pamje/ Festivali i Dritave ndez skenën në Shirokë! Aty ku bashkohen muzika me traditën dhe bukurinë e liqenit

Pamje/ Festivali i Dritave ndez skenën në Shirokë! Aty ku bashkohen muzika me traditën dhe bukurinë e liqenit