KOSOVË- Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell i ka vënë kusht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit që një raund i ri dialogu me presidentin serb Aleksandër Vuçiç do të mbahet vetëm nëse Kosova do të marrë hapa për të shtensionuar situatën. Ky reagim i Borrell vjen si një përgjigje ndaj Kurtit, pas planit me 5 pika që ky i fundit propozoi për uljen e tensioneve në veri. Kurti kishte kërkuar një takim të nivelit të lartë brenda kësaj jave, por Borrell e bën të qartë që nuk do të zhvillohet nëse Kurti nuk vepron për të depërshkllëzuar situatën, që ditën e sotme duket se tensionet janë ndezur edhe më shumë me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.
“Unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe Presidentin Vuçiç me parakushtin që ju të jeni gati të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të de-përshkallëzuar fillimisht dhe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja lokale. Nuk mund të bëjmë progres në normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që kemi të bëjmë me menaxhimin e krizave.”, shkruhet në letër.
Në një letër të gjatë prej dy faqesh, të publikuar në twitter nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, shkruhet se plani i propozuar me 5 pika nga Kurti nuk adreson zgjidhje të situatës dhe ulje të tensioneve. Bashkimi Europian nuk tërhiqet nga kërkesat që i ka vënë Kurtit, për shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri, tërheqjen e policisë së Kosovës dhe që kryetarët të ushtrojnë funksionin e tyre jashtë godinave komunale.
“Më lejoni të përsëris elementet për de-përshkallëzimin e përcaktuar nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së dhe SHBA, të cilat mbeten të vlefshme dhe që ne ju kemi kërkuar t’i ndiqni: Si hap i parë, katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës duhet të punojnë përkohësisht nga lokacione të ndryshme nga ndërtesat komunale. Kemi kërkuar edhe ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës. Gjithashtu kërkuam që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse”, shkruhet në letër.
Vetëm pas shtensionit të situatës, Borrell thotë se janë të gatshëm të diskutojmë më në detaje sigurinë në veri të Kosovës me KFOR dhe Policinë e Kosovës, të cilën Kurti e sugjeron në pikën 3. Sa i takon pikës tjetër ku Kurti kërkon ndëshkim të anëtarëve të bandave kriminale që sulmon KFOR dhe Policinë e Kosovës, Borrell thotë se nuk mund të mos ketë ndëshkim për dhunën dhe EULEX-i do të monitorojë të gjitha hetimet në përputhje me mandatin e tij.
Letra e plotë
Shkëlqesi,
Faleminderit për letrën tuaj të datës 12 qershor, ku përshkruani pesë hapat tuaj se si të de-përshkallëzoni situatën në veri të Kosovës dhe të ecni përpara drejt normalizimit. Unë e vlerësoj që në letrën tuaj ju e pranoni nevojën për de-përshkallëzimin. Megjithatë, ju nuk adresoni disa elementë kyç që shkaktuan krizën aktuale dhe që duhet të adresohen për të rivendosur qetësinë në veri të Kosovës. Më lejoni të përsëris elementet për de-përshkallëzimin e përcaktuar nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së dhe SHBA, të cilat mbeten të vlefshme dhe që ne ju kemi kërkuar t’i ndiqni: Si hap i parë, katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës duhet të punojnë përkohësisht nga lokacione të ndryshme nga ndërtesat komunale. Këtë kërkesë tashmë e kanë ndjekur edhe kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit. Besojmë se kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë suaj politike, së shpejti do ta ndjekin shembullin. Kemi kërkuar edhe ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës. Policia Speciale e Kosovës duhet të tërhiqet. Paralelisht, ne po kërkojmë nga Serbia që të mbështesë tërheqjen e elementëve radikalë nga këto zona. Pas de-përshkallëzimit, ne jemi të gatshëm të diskutojmë më në detaje marrëveshjet e sigurisë me KFOR/EULEX-in në katër komunat, të cilat ju i sugjeroni në pikën tre.
Gjithashtu kërkuam që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe këtë kërkesë ia kemi bërë të qartë presidentit Vuçiq. Sipas legjislacionit të Kosovës, ka mënyra të ndryshme të mundshme për nxitjen e zgjedhjeve të reja, ku më e lehta dhe më e shpejta është në kompetencën e kryetarëve të komunave. Sa për pikat e tjera që ngrini në letrën tuaj: Nuk mund të ketë mosndëshkim për dhunën e kryer më 29 maj dhe EULEX-i do të monitorojë të gjitha hetimet në përputhje me mandatin e tij.
Siç e dini shumë mirë, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe Presidentin Vuçiç me parakushtin që ju të jeni gati të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të de-përshkallëzuar fillimisht dhe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja lokale. Nuk mund të bëjmë progres në normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që kemi të bëjmë me menaxhimin e krizave. BE27 si dhe SHBA-ja kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam ta shohim atë duke ecur përpara. Kjo është arsyeja pse de-përshkallëzimi është i nevojshëm menjëherë. Nëse jeni gati për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, një takim mund të organizohet shpejt. Sa i përket “planit të renditjes”, tashmë keni marrë komente të detajuara nga ne për propozimin tuaj. Të dyja palët kanë marrë së fundmi një projekt-propozim të ri nga EUSR Lajcak, i cili merr parasysh shumë nga sugjerimet tuaja. Ne jemi në pritje të reagimeve nga palët dhe presim që ky propozim të jetë i pranueshëm për të dyja.
Lidhur me vlerësimet e mundshme të përbashkëta të sigurisë, këto mund të diskutohen pasi të ketë ndodhur de-përshkallëzimi. Megjithatë, kjo do të thotë se ju do t’i merrnit plotësisht parasysh mendimet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe do t’i trajtoni si partnerë, që do të thotë edhe koordinim paraprak me ta. Me keqardhje konstatojmë se nuk ishte rasti me operacionin e djeshëm në Mitrovicën e Veriut. Prandaj, çdo masë e ardhshme për sundimin e ligjit në veri të Kosovës do të duhej të diskutohej dhe të vlerësohej individualisht së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet e së kaluarës kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e mjedisit shumë të brishtë.
Unë ju bëj thirrje që të ndërmerrni hapa më të vendosur për të de-përshkallëzuar situatën, përgjatë linjave të masave të kërkuara nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe partnerët tanë amerikanë. Vetëm pasi të rivendoset paqja dhe stabiliteti në veri të Kosovës, mund të fokusohemi në normalizim, përmes zbatimit të plotë nga të dyja palët të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit dhe aneksit të zbatimit; puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. Siç e kanë bërë shumë të qartë 27 shtete anëtare të BE-së, dështimi për të de-përshkallëzuar do të rezultojë në pasoja negative. Shtetet Anëtare janë informuar për masat dhe ne do t’i komunikojmë ato publikisht.
I juaji me besnikëri,
Josep Borrell Fontelles