UASHINGTON – Më 16 nëntor, dy ditë para se faqja Axios të zbulonte «planin me 28 pika» për paqen në Ukrainë, këshilltarët e Trump-it, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ia kishin lexuar atë rresht pas rreshti Zelenskyt në telefon, sipas asaj që shkruan tani e njëjta faqe.

Më parë, Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar se Rustem Umerov, këshilltar për sigurinë kombëtare i Zelenskyt, ishte informuar për planin dhe kishte dhënë miratimin e tij (Umerov kishte mohuar se kishte dhënë “ok”-un). Axios kishte shkruar tashmë se Umerovit i ishte komunikuar «në vija të përgjithshme» përmbajtja e planit — por se një takim midis Witkoff dhe Zelensky, i parashikuar për 19 nëntor në Turqi për ta diskutuar thellë, kishte dështuar sepse presidenti ukrainas nuk e kishte marrë seriozisht atë propozim. Axios zbulon tani pjesëmarrjen përmes telefonit të Zelenskyt në takimin e 16 nëntorit dhe thotë se pati një keqkuptim midis ukrainasve dhe amerikanëve: të parët mendonin se ajo telefonatë ishte vetëm një shkëmbim idesh, ndërsa amerikanët e konsideronin si një propozim të mirëfilltë formal. Në atë pikë, pasi dështoi takimi i 19 nëntorit, amerikanët dërguan Dan Driscoll, ministrin e Ushtrisë, më 20 nëntor për t’i dorëzuar personalisht Zelenskyt draftin, të cilin ai e pranoi si bazë për negociata sepse nuk mund të vepronte ndryshe.

Gjithçka filloi kur Witkoff dhe Kushner po ktheheshin më 22 tetor me avion për në Miami nga Lindja e Mesme dhe kishin nisur të flisnin për Ukrainën. Po atë ditë Trump kishte vendosur sanksione ndaj naftës ruse, për herë të parë që nga fillimi i mandatit të tij.

Më 25 dhe 26 tetor Witkoff dhe Kushner u takuan për disa orë në Miami me Kirill Dmitriev, të dërguarin e Putinit. I dërguari, i cili është gjithashtu drejtori ekzekutiv i fondit sovran rus, i tha Axios-it më 17 nëntor se ai dhe amerikanët kishin punuar për të hedhur në letër atë që kishin diskutuar Trump dhe Putin në Alaskë. Por ishte një zyrtar amerikan, më 18 nëntor (jo Dmitriev), ai që foli për Axios-in rreth 28 pikave dhe temave të përgjithshme që ato mbulonin: paqen në Ukrainë, garancitë e sigurisë, sigurinë në Evropë, marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën. Edhe pse fillimisht Departamenti i Shtetit u tha europianëve të shqetësuar se ai nuk ishte një plan i Trump-it, sipas Axios-it, Trump, nënpresidenti i tij J.D. Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio ishin në dijeni. Presidenti amerikan në atë moment kërkoi që Ukraina ta firmoste atë deri në Ditën e Falënderimeve. Ka qenë ideja e Vance-it të përfshinte Dan Driscoll, ministrin e Ushtrisë dhe ish-shokun e tij të studimeve të juridikut në Yale, për t’ua çuar ukrainasve planin e paqes. Driscoll kishte planifikuar tashmë një vizitë me një delegacion të gjerë ushtarak për të diskutuar strategji dhe teknologji mbrojtëse, por udhëtimi u përshpejtua.

Disa brenda administratës së Trump-it, përfshirë Rubio-n, mendonin se gjithçka po zhvillohej shumë shpejt: vizita e Driscoll-it dukej si «bisedime të mirëfillta paqeje» me zyrtarët ukrainas. Edhe pse kushdo që ka lexuar “Art of the Deal” (arti i të bërit marrëveshje) e di se filozofia e Trump-it është se duke krijuar kaos dalin zgjidhjet, situata po bëhej shumë e ndërlikuar, ndaj presidenti dërgoi Rubio-n, Witkoff-in, Kushner-in dhe Driscoll-in në Gjenevë.

Sapo mbërriti në Gjenevë, Rubio u tha ukrainasve se nuk do t’i takonte nëse më parë nuk shpallnin publikisht se ky nuk ishte thjesht një plan rus dhe se ukrainasit kishin kontribuar në të, thotë Axios. Amerikanët ishin të irrituar për ato që i konsideronin informacion negativ që Kievi u kishte dhënë mediave amerikane; ukrainasit pranuan të bënin deklarata më pozitive.

Në takimin e Gjenevës u diskutua për planin me 28 pika si për një draft dhe jo si plan përfundimtar: amerikanët ishin të hapur për të përfshirë elemente të kundër-propozimit ukrainas. Pas dyerve të mbyllura, sidoqoftë, takimi ishte intensiv, megjithëse Rubio e përshkroi atë si «më produktivin deri tani».

Nga Shtëpia e Bardhë, Trump akuzoi në rrjetet sociale ukrainasit për mungesë mirënjohjeje. U përhapën gjithashtu zëra për një takim të mundshëm mes Trump dhe Zelensky këtë javë ose ndoshta javën tjetër. Duke filluar nga sot dhe për pjesën e mbetur të kësaj jave, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Trump do të jetë në Florida për Ditën e Falënderimeve. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se për momentin nuk ka plane për një takim, duke qenë se ende nuk ka një rezultat të qartë nga negociatat e paqes. Të dy draftet duken shumë larg njëri-tjetrit, pavarësisht deklaratave pozitive mbi progresin e bërë, të publikuara nga presidenti në rrjetin e tij Truth më 24 nëntor./ Corriere della Sera