BE ka miratuar 64.5 milionë euro parafinancim për Shqipërinë. Kjo pagesë e parë, e cila mbështet reformat dhe infrastrukturën e vendit, vjen në kuadër të Planit të Rritjes së Unionit për Ballkanin Perëndimor, dhe synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit.
Me këtë parafinancim, Shqipëria mori 30 milionë euro kredi koncesionare për buxhetin e shtetit si mbështetje për zbatimin e reformave në kuadër të Agjendës së Reformave të vendit. Pjesa tjetër 34.5 milionë euro në grante dhe hua koncesionare do t'i injektohet drejtpërdrejt ËBIF-it (Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor) për investime në infrastrukturë në Shqipëri.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato e cilësoi këtë si një tjetët moment të rëndësishëm të vendit në rrugëtimin drejt BE-së.

“Bashkimi Evropian qëndron në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes e ndihmon Shqipërinë për të arritur këtë qëllim dhe për ta afruar ekonominë shqiptare me atë të Bashkimit Evropian përpara se Shqipëria të bëhet anëtare. Ne po e mbështesim Shqipërinë që të konsolidojë shtetin e saj të së drejtës, të zhvillojë infrastrukturën, ekonominë e saj të gjelbër, kapitalin njerëzor dhe biznesin e saj privat. Evropa është këtu për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe kohezionin social ndërsa Shqipëria përgatitet për të hyrë në tregun unik të BE-së", tha ambasadori.
Ndërsa kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha se parafinancimin e sheh si një shenjë të qartë besimi nga Unioni, ndërsa shtoi se janë të përgatitur për të vijuar më tej me përmbushjen e kritereve për anëtarësim.
"Ne e vlerësojmë këtë si një shenjë të qartë besimi nga BE-ja në rrugën e reformave të Shqipërisë dhe progresin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit në familjen evropiane. Ne e kuptojmë plotësisht madhësinë e kësaj mundësie historike, si dhe angazhimet e ardhshme, dhe jemi energjikisht të motivuar dhe të përgatitur për të vazhduar reformimin dhe përmbushjen e zellshme të kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian", tha kryenegociatorja Majlinda Dhuka.
Deri në vitin 2027, Shqipëria ka mundësi të marrë deri në 922.1 milionë euro gjithsej nga Mekanizmi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor në këmbim të reformave në shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore, energjinë e rinovueshme, ekonominë digjitale, kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e sektorit privat.
Pagesat e ardhshme në kuadër të Mekanizmit do të bëhen me përfundimin e hapave të reformës të rënë dakord ndërmjet Komisionit dhe Qeverisë Shqiptare në Agjendën e Reformave. Ndërsa Shqipëria përparon me zbatimin e Agjendës së Reformave, BE-ja do të zhbllokojë pagesat.
Çfarë është Plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor?
Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në Maj 2024, ofron 6 miliardë euro ndihmë financiare shtesë për të sjellë ekonomitë e rajonit më afër BE. Ai përmban prioritetet të organizuara sipas katër shtyllave.
Shtylla 1 përmban rritjen e integrimit ekonomik me Tregun e Vetëm të BE. Shtylla 2 përmban integrimin në Tregun e Përbashkët Rajonal. Shtylla 3 përmban përshpejtimin e reformave themelore ndërsa shtylla 4 përfshin instrumentin financiar Lehtësuesi për Reformën dhe Rritjen.
Xh.D/r.k./Shqiptarja.comKomente

