Do doja ta filloja me deklaratën e djeshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar sepse besoj që na jep mundësinë që të shkojmë në mënyrë digresive drejt temës së kësaj tryeze që në fakt është tema më e hapur dhe më komplekse dhe tek e fundit është një tryezë që i mbledh të gjitha pjesët e tjera të programit tonë “Për një Rilindje Shqiptare” pasi është një udhëkryq ku bashkohen të gjitha rrugët e çdo programimi sektorial. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se rritja ekonomike këtë vit parashikohet të jetë 0.5%. Mirëpo po të shohim pak mbrapa në kohë do të shohim që parashikimet e bëra nga kjo instancë e lartë institucionale kanë ndeshur në një realitet që në mënyrë sistematike po i nxjerr parashikimet jo konform realitetit. Në vitin 2011 në muajin prill FMN parashikoi një rritje 3.4%, më pas në muajin shtator bazuar në të dhënat e realitetit e uli në 2.5%, më pas u ul në 2% si parashikim dhe ndërkohë në prill të vitit 2012 FMN deklaron një rritje në fund të vitit 0.5%. Ne besojmë që edhe ky parashikim do të ndeshë në një realitet ekonomik dhe financiar ku do të vazhdojë të bjerë deri në fund të vitit. Ashtu sikundër besojmë bazuar në parashikimet tona të fundvitit 2009 kur kriza po trokiste fort rreth e rrotull dhe paralajmëronte një stuhi edhe mbi ekonominë shqiptare, që gjithë rruga e ndjekur nga qeveria duke e mohuar krizën dhe duke e kthyer politikën ekonomike dhe financiare në funksion të propagandës së vet, ka sjellë sot në këtë rezultat që në rast se për shumicën e ekonomisë botërore që u përball me krizën frontalisht që e pranoi krizën pa humbur kohë, që mori masat e duhura në kohën e duhur për të ndalur përshkallëzimin e krizës kemi prej një viti sipas FMN-së një kurbë në një ngjitje të lehtë por në ngjitje, tani Shqipëria po hyn në projeksionin e parashikuar prej nesh më pak se dy vjet e gjysmë më parë të një kurbe në rënie. Dobësia e ekonomisë shqiptare si një ekonomi e pa integruar në ekonominë rajonale dhe globale ishte forca e saj, në momentin kur ekonomia e integruar hyri në shkallët e tërmetit që ra hap pas hapi duke patur një efekt domino mbi vendet.

Mirëpo fakti që dobësia nuk u lexua ashtu siç duhet dhe fakti që kriza nuk u pa me sytë që duhej parë, sot na ka vendosur në një pozicion të ri karshi krizës që është një pozicion shumë i dobët. Dhe ku dobësia jonë e ekonomisë sonë nuk është më forca e momentit për shkak të të qëndruarit jashtë radhëve të tërmetit, por është vetë problemi. E solla këtë shembull sepse besoj që kjo situatë që tanimë jo ne si opozitë, por vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar e përcakton të zymtë dhe që sipas nesh nuk ka gjasë të shkojë duke u ndriçuar, por ka gjasë të shkojë vetëm duke u zymtuar për shkak të politikës qorre të qeverisë, është reflektimi i drejtpërdrejtë i mungesës së një zhvillimi bazuar mbi një model të qëndrueshëm. Sot ekonomia shqiptare ka ngecur sepse ka arritur në një shkallë ezaurimi, pa model të qëndrueshëm zhvillimi të shumë potencialeve të vetë vendit. Sot ekonomia shqiptare ka ngecur sepse modeli i zgjedhur për ta zhvilluar atë dhe për të zhvilluar vendin është një model pa largpamësi, është modeli i shfrytëzimit të burimeve dhe të potencialeve të vendit në mënyrë barbare duke privilegjuar fitimin e aty për atyshëm dhe duke mos menduar për të nesërmen. Është një model që me një fjali të vetmi mund të përkufizohet me shprehjen “pas meje u bëftë qameti” dhe faktikisht sot nuk është as e rastit dhe as jo domethënëse që Shqipëria nuk e ka një plan të përgjithshëm kombëtar. Sipas përcaktimeve të parlamentit duhet ta kishte tanimë prej kohësh. Por jo vetëm nuk e ka, por nuk ka asnjë ide dhe nuk ka asnjë program për ta disponuar këtë plan përpara sesa vendi të tkurret ende më shumë deri në nivelin e humbjes së burimeve dhe potencialeve të veta më të rëndësishme dhe pastaj të mos ketë plan që ta rikuperojë dhe ta kthejë në një start nga ku mund të ndërtohet një model zhvillimi i qëndrueshëm.

Duket sikur mungesa e planit të përgjithshëm kombëtar është në fakt një boshllëk i qëllimshëm për të zhvilluar operacione me kosto të lartë për vendin dhe me përfitime të mëdha për ata që i udhëheqin dhe që i ekzekutojnë ato operacione. Duke sikur boshllëku është një hapësirë në të cilën ata që qeverisin dhe ata që ekzekutojnë vendime ndjehen shumë mirë për shkak se nuk janë të kufizuar nga asnjë lloj modeli të zhvillimit të qëndrueshëm dhe nga asnjë lloj plani që dikton një proces.

Dhe vetë mungesa e procesit që vjen nga mungesa e një vizioni të kthyer në një model zhvillimi lehtëson jashtëzakonisht shumë vendimmarrjen e bazuar jo tek proaktiviteti me energjitë krijuese të shoqërisë, por vendimmarrjen e bazuar tek interesi i aty për atyshëm i vendimmarrësve. Unë nuk besoj që vonesa është djallëzisht e qëllimshme për realizimin e këtij Plani të Përgjithshëm Kombëtar. Unë besoj që vonesa është pasojë e dy elementëve të tjerë. Nga njëra anë e mungesës së plotë të vetëdijes shtetndërtuese dhe nga ana tjetër e paaftësisë alarmante të atyre që drejtojnë shtetin jo vetëm në nivelin qeveritar por edhe në nivelin e agjencive shtetërore. Është e qartë që po të shohim hesapet, hesapet flasin më shkoqur se çdo lloj komenti. Ka një polarizim të tejskajshëm të shoqërisë dhe një spostim të pandalshëm të pasurisë së përbashkët drejt një numri shumë të kufizuar duarsh që kontrollojnë pasurinë. Nga ana tjetër ka një degradim të pandalshëm të territorit ku zhvillohet jeta shoqërore dhe jeta politike në Shqipëri. Të gjitha projektet e deklamuara me bujë të madhe propagandistike praktikisht nuk janë pjesë e një plani zhvillimi. Ato sigurisht flasin për një vizion, por flasin për një vizion i cili nuk është largpamës dhe fatkeqësisht është rrënues për Shqipërinë dhe për potencialet e saj. E mbi të gjitha është një vizion me një kosto marramendëse për brezin tjetër dhe për brezat që vijnë më pas. Ne e shohim si domosdoshmëri që gjithë kësaj inercie që është shumëvjeçare por që për shkak të degradimit merr çdo vit një shpejtësi më të madhe shkatërruese t’i vendosim një pengesë të menjëhershme për të mundur që të marrim kohën e duhur por pa humbur kohë, që ta ravijëzojmë plotësisht një Plan të Përgjithshëm Kombëtar. Një Plan të Përgjithshëm Kombëtar që siç e kemi thënë edhe në programin tonë dëshiroj ta nënvizoj, nuk mund ta realizojmë me instrumentet që kemi sot në dispozicion, por duhet ta piketojmë dhe ta realizojmë me instrumentet qeverisës brenda jo më shumë se dy viteve të para të mandatit tonë të parë qeverisës. Hartimi i Planit Kombëtar i shoqëruar edhe me ngritjen e një Kadastre Shumëqëllimshme është sot një domosdoshmëri jetike për mënyrën se si vendi do të shkojë në rrugën e së ardhmes, për të pasur në dorë një instrument themelor, jo thjesht qeveria as pushteti vendor, por bashkë me to edhe shoqëria, grupet e interesit, sipërmarrja përmes të cilit të mund të shohin larg dhe duke parë larg secili të bëjë projeksionin e vet në bashkëpunim me tjetrin.

Shqipëria në 20 vjet pa dyshim është zhvilluar, por natyra e këtij zhvillimi përbën pikëpyetjen më të madhe të trashëgimisë së këtyre 20 vjetëve. Ky është një zhvillimi i cili unë besoj se në raport me atë që e ka konsumuar nga potencialet e zhvillimit të vendit dhe nga koha e vendit, me atë që ka sjellë për vendin dhe për shoqërinë në tërësi është në proporcion tërësisht të zhdrejtë. Për më tepër akoma konsumi deri dhe barbar, sidomos i viteve të fundit, i këtyre potencialeve, i burimeve të pasurisë dhe pasurimit të vendit dhe i kohës së vendit, nuk është shoqëruar me një realitet në të cilin ne të mund ta konsiderojmë të zgjidhur në radhë të parë problemin e modelit të zhvillimit të vendit. Përkundrazi ka sjellë në jetën tonë një realitet ku zhvillimi i qëndrueshëm i vendit është i kërcënuar si model. Është shumë më i vështirë seç ishte 10 vjet më parë dhe është po ashtu fatkeqësisht dhe shumë më i kushtueshëm seç ishte 10 vjet më parë. Sepse nëse 10 vjet më parë vendi kishte kaluar trauma dhe pasojat në organizmin e tij ishin të dukshme, potencialet ishin gjithsesi aty dhe burimet e pasurisë dhe të pasurimit nuk ishin të sulmuara nga politika e cila u kthye në një instrument grabitjeje. Dhe nga vendimmarrja e cila në emër të popullit u bë vula e grabitjes. Ne besojmë që sot domosdoshmëria për një plan të përgjithshëm kombëtar në fakt vjen nga domosdoshmëria për të ndarë në një moment ku ka ende kohë çfarë Shqipërie do të kemi nesër. Do të kemi një Shqipëri të ezauruar në potencialet dhe të tkurrur shumë rëndë në burimet e veta natyrore në kushtet e pamundësisë për tu rigjeneruar apo do të kemi një Shqipëri që do të bazohet në potencialet që ka, do të arrijë që burimet e veta të pasurisë dhe të pasurimit të njerëzve t’i kthejë në burime nga ku nuk përfiton vetëm një grusht njerëzish, por përfiton shoqëria si e tërë dhe rritet mirëqenia e çdo familje.

Është proverbiale ajo që ndodh me çdo lloj përpjekje për tu futur në arenën e konkurrencës përmes sipërmarrjes së lirë në Shqipëri. Shqipëria sot nuk ka përgjigje të qarta për asnjë sipërmarrje serioze, në asnjë fushë. Është fakt që ne dëgjojmë të flitet për zhvillim të madh turistik, nuk ka përgjigje të qarta për asnjë investim strategjik në rrugën e zhvillimit turistik. Sepse Shqipëria, qeveria shqiptare, shteti shqiptar nuk është në gjendje t’i japi përgjigje asnjë grupi serioz investitorësh për të zhvilluar çfarëdolloj projekti serioz për turizmin.

Sepse dy gjërat e para që kërkohen për t’u ulur në tavolinë dhe për të studiuar mundësitë e një investimi serioz janë pronësia dhe plani i zhvillimit në një sektor, në rastin konkret turizmi. Sot s’ka asnjë copë Shqipëri ku të ketë një plan zhvillimi në koherencë me planin tërësor të zhvillimit kombëtar, ku problemet e pronës të jenë qartësisht të zgjidhura dhe ku cilido sipërmarrës të ketë mundësi të bëjë ofertën e tij. E njëjta gjë ndodh me të gjitha fushat e tjera. Flitet për Shqipërinë superfuqi energjitike në Ballkan. Ku është plani i përgjithshëm i zhvillimit kombëtar që tregon se gjithë këto qindra koncesione të dhëna për HEC-e të vegjël përkojnë me atë plan. Pa hyrë pastaj nëse është një plan i mirë, apo një plan i keq, apo duhet një plan më i mirë apo është një plan që s’mund të jetë më i mirë. Ku është? Nuk ekziston! Në asnjë ministri në Shqipëri nuk gjen dot një plan sektorial si pjesë e një plani të përgjithshëm kombëtar. Nuk ka, madje është shumë e vështirë të gjesh edhe rrugëtimin e shtetit shqiptar në funksion të planifikimit të zhvillimit të këtij vendi. Është e qartë që sot të gjithë ndeshen në këtë fakt.

Një nga shembujt më të fundit, bashkia e Përmetit po bën një përpjekje modeste për të marrë ndihmën e konsulencës ndërkombëtare që të diskutojë dhe të projektojë zhvillimin e mundshëm të turizmit në atë zonë. Të gjitha diskutimet shkojnë deri në një pikë dhe kthehen në pikën zero sepse asnjëri nuk e di se çfarë ka në kokë kryeministri apo qeveria dhe se çfarë lloj guroreje, leje për gurore apo për hidrocentral të vogël apo për çfarëdo lloj zhvillimi tjetër që lind jo nga plani po lind nga të tjera lidhje interesash, kontaktesh, klientelash mund të shfaqen dhe mund ta kthejë të gjithë këtë proces në një hiç. Si mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa Plan të Përgjithshëm Kombëtar. Po si mund të ketë një plan të përgjithshëm kombëtar në rast se nuk ndajmë përfundimisht mendjen që nuk mund të ketë më zhvillim të fragmentuar të vendit tonë bazuar në ndarjen e sotme territoriale, ku 365 njësi vendore që nga më të mëdhatë deri tek më të voglat ecin secila në rrugën e tyre dhe asnjëra nga rrugët e tyre nuk ka lidhje me rrugën e tjetrit aty pranë. Sepse ende sot ne nuk kemi të zhvilluar asnjë nocion të zhvillimit të qëndrueshëm rajonal. Ajo që ka ndodhur qoftë në kryeqytet, qoftë në qytete të tjera të mëdha është sulmi nga të katër anët i vijës së verdhë të qyteteve. Një zgjerim barbar dhe i pakontrolluar i vetë qytetit jo nëpërmjet vendimmarrjes se autoriteteve vendore në qytete, por nëpërmjet vendimmarrjes së pakoordinuar të autoriteteve vendore rreth e rrotull qyteteve. Që sigurisht instinkti i mbijetesës të financave lokale i shtyn menjëherë që të hapin procese për leje zhvillimi dhe ndërtimi sa më afër qytetit. Dhe pamja sot e Tiranës është shembulli më kuptimplotë i këtij zhvillimi totalisht kundër të ardhmes. Gjithë rrethimi me ndërtime që vjen si rezultat i mundësive për zhvillim të krijuara individualisht nga njësi të ndryshme vendore po të parakorduara me asnjë lloj plani zhvillimi rajonal është faktikisht shtrëngim i vazhdueshëm i të gjitha arterieve ku duhet të qarkullojë gjaku i zhvillimit të qëndrueshëm tërësor. Në zonën më të rëndësishme të vendit tonë përsa i përket zhvillimit tërësor dhe zhvillimit ekonomik me impakt të padiskutueshëm potencial në GDP e vendit që është zona Tiranë-Durrës, në vend se të shohim një zhvillim të qëndrueshëm bazuar mbi një plan largpamës që e sheh këtë zonë si zonën ku në një hark kohor prej dy dekadash do të kemi metropolin e ri të Shqipërisë sot vazhdon barbaria dhe vazhdon zhvillimi i paqëndrueshëm dhe kaotik. Çfarë ndodh në fakt, se zhvillim quhet. Po çfarë lloj zhvillimi është?! Është zhvillim rrënues, nuk është zhvillim që sjell mirëqenie, nuk është zhvillim që sjell mirëqenie të qëndrueshme dhe që sjell qëndrueshmëri në zhvillimin tërësor të vendit. Sigurisht që të gjithë ata njerëz që marrin një leje, ndërtojnë një magazinë, ndërtojnë një shtëpi, ndërtojnë një kullë, ndërtojnë një kështjellë, ndërtojnë një tempull, si ai që po ngrihet diku aty. Realizojnë në mënyrë individuale ëndrrat e tyre dhe sigurisht nga realizmi i këtyre ëndrrave marrin një përfitim të atypëratyshëm, por pa as më të voglin dyshim jo për fajin e tyre, por për përgjegjësinë ekskluzive të shtetit dhe për përgjegjësinë ekskluzive të qeverisë mbyllin të gjitha shtigjet ku mund të kalojë zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë këtë territor.

Çfarë do të thotë të kesh një Plan të Përgjithshëm Kombëtar? Do të thotë që hapësirën e vendit tënd ta propocionosh në funksion të vizionit përmes të cilit sheh të nesërmen e vendit. Dhe nëse sot ka një përqindje të caktuar hapësire të pashfrytëzuar, të përcaktosh sesi do të shfrytëzohet kjo hapësirë që vendi nesër të jetë shumë më pranë ëndrrave dhe dëshirave të atyre që jetojnë. Koncepti i zhvillimit hapësinor në Shqipëri ende nuk ka hyrë, e jo më të punohet mbi këtë koncept. Por Plani i Përgjithshëm Kombëtar që ne synojmë të realizojmë është pazgjidhshmërisht i lidhur me Planin e Zhvillimit Hapësinor. Zhvillimi hapësinor nuk nënkupton thjesht zhvillimin e territorit por nënkupton dhe rrugët e zhvillimit demografik të vendit. Sepse në ndërkohë që ne planifikojmë mbi një hartë sesi duam që të zhvillohet një territor, kjo nuk mund të ndodhi pa paraparë sesi në atë territor do të lëvizë popullsia dhe për çfarë arsyesh popullsia mund të lëvizë sepse përndryshe zhvillimi i parashikuar në letër nuk përputhet më me atë që ndodh në realitet. E arrihet pastaj në dy pamje krejt të kundërta siç mund të jenë pamja e një zone informale ku ka patur një plan modest urbanizimi dhe ku sot fakti i kryer ka sjellë rrëzimin “de fakto” të atij plani. Të gjitha këto lidhen pazgjidhshmërisht me të gjithë sektorët. Ne sot jemi përballë një propagande të shfrenuar rrugë, rrugë, rrugë, infrastrukturë në zhvillim, infrastruktura e shekullit të 21-të, njerëzit po dalin në rrugë…Në fakt çfarë po del në rrugë?! Në fakt në rrugë po dalin të gjitha kursimet e njerëzve që po ndërtojnë në akset kombëtare të rindërtuara, një model qindraherë të zmadhuar të Lanës në Tiranën e viteve ‘90. Nuk është më uji që kalon mes ndërtesave po janë vetë njerëzit që kalojnë mes ndërtesave që ngrihen në anë të rrugëve. E siç thotë Maks Velo me plot të drejtë ‘këta e nxorën Shqipërinë në rrugë’. Në funksion të Planit të Përgjithshëm Kombëtar sa i takon investimeve në infrastrukturë ajo që shtrohet sot është; Një rrugë që ndërtojmë çfarë duhet të sjellë?! Pse duhet të ndërtojmë më parë një rrugë nga një tjetër?! Pse do i ndërtojmë rrugët rurale me vendosjen e përparësive? Kjo e gjitha ne e dimë shumë mirë, varet deri më sot nga interesat mirëfilli partiake dhe elektorale plus atyre klienteliste dhe korruptive, por t’i lemë mënjanë në këtë moment që flasim. Një akses i privilegjuar i një deputeti në një zyrë me një zëvendësministër banal që ndan fondin e rrugëve rurale prodhon një rrugë rurale. Çfarë sjellë ajo rrugë në ekonominë rurale kjo nuk është më një çështje që merret qeveria. Sot nuk e ka qeveria një plan i cili të tregojë se cilat janë rrugët ku do të kalojë zhvillimi në këtë vend, dhe kush janë etapat e ndërtimit të këtyre rrugëve. Është e njëjta gjë me zhvillimin rural. Ministri i Bujqësisë në një debat pas 7 vjetësh thoshte ‘ne mendojmë që të ndërtojmë një skemë e cila t’i përgjigjet nevojave në kushtet kur skemat e tjera kanë dështuar’. Pas 7 vjetësh ‘ne mendojmë’. Kjo vjen ngaqë nuk ka asnjë prioritizim brenda një Plani të Përgjithshëm Kombëtar se ku duam ta orientojmë ne bujqësinë. Çfarë duam të prodhojmë ne në këtë vend?! E nëse ajo që ne duam të prodhojmë në vend lidhet me se cili dru i del në ëndërr kryeministrit që të nesërmen vjen në tryezën e qeverisë dhe thotë lajthia dhe pastaj urdhëron menjëherë realizimin e ëndrrës së tij si mbjellje lajthish. E ndërkohë që porositen disa lajthi në ëndërr i del një shegë dhe vjen shega në tryezën e qeverisë e lajmërohet menjëherë sektori përkatës se e ka thënë ai dhe turren për të gjetur shegë. Kjo histori vazhdon, vazhdon, vazhdon dhe ata që e pësojnë sigurisht janë njerëzit që punojnë në sektorin e bujqësisë. Por më keq akoma nuk e pëson thjesht ekonomia kombëtare, por e pëson vendi vetë në kuadrin e zhvillimit tërësor të tij.

Turizëm, turizëm, turizëm. Pa dyshim bregdeti ynë është një potencial i jashtëzakonshëm. Por çfarë ka ndodhur me këtë potencial 20 vjet dhe posaçërisht në këto vitet e fundit?! Ajo që ka ndodhur është që edhe ky potencial është lënë në duar të cilat bëjnë çfarë gjejnë përpara, çfarë munden dhe nuk ka asnjë plan të përgjithshëm kombëtar që të thotë që vija bregdetare e Shqipërisë do zhvillohet kështu, do zhvillohet këtu dhe do synojë këto gjëra. Dhe as masa të tjera të cilat të kenë garantuar përgjigjet që thamë më parë për pronën dhe për gjithë aksesorët e tjerë të një zhvillimi të caktuar të vijës bregdetare. Franca ka jo thjesht një ligj të veçantë, por Franca ka ministër të posaçëm që merret me litoralin, me gjithë vijën bregdetare të Francës. Italia ka ligj të posaçëm dhe një agjenci të tërë shtetërore të përshkallëzuar që merret vetëm me vijën bregdetare të Italisë. E kështu të gjitha vendet e tjera që kanë det dhe që drejtohen nga njerëz që detin nuk e kuptojnë vetëm si ujë ku mund të bëjnë not.

Si mund të zhvillohet Shqipëria pa një Plan të Përgjithshëm Kombëtar kur sot ne po përballemi me pasojat e boshllëkut në lidhje me planin, përsa i përket zhvillimit energjetik të vendit dhe përsa i përket shfrytëzimit të pasurive të burimeve natyrore të vendit. E dimë shumë mirë që ky vend është i pasur në burime natyrore. E dimë shumë mirë që ky vend ka naftë dhe prodhon naftë. E dimë shumë mirë që ky vend ka potenciale për një zhvillim energjetik që ta bëjë të vetëmjaftueshëm, jo superfuqi ballkanike. Por çfarë ndodh?! Të gjitha këto potenciale shfrytëzohen pa plan. Dhe planet lindin duke parë ëndrra ose duke dëgjuar muhabete. Po ashtu për zhvillimin e industrive. Cilat industri mund të zhvillohen në Shqipëri, përpunuese; Cilat investime prodhuese mund të zhvillohen në Shqipëri e kështu me radhë. Duhet të jenë edhe këto pjesë e Planit të Përgjithshëm Kombëtar. Po ashtu zhvillimi i teknologjisë së re nuk mund të jetë një histori që do krijojmë e-qytetarin sepse Shqipërinë dixhitale e krijuam, ndërkohë që këtu s’ka korrent dhe s’ka as shumëçka tjetër. Por një histori zhvillimi tërësor për të ardhur tek zhvillimi territorial, i lidhur me ndarjen administrative.

Nga pikëpamja e konceptit të ndarjes administrative në kohën e perandorisë otomane ne kemi qenë më pranë standardeve të Bashkimit Europian. Ky është fakt. Ka pasur 4 vilajete, 4 qarqe dhe aq. Dhe me ato 4 vilajetet e perandorisë otomane ne sot do ishim tërësisht brenda standardeve të BE-së në funksion të administrimit të territorit. Me 12 qarqe, 365 njësi vendore dhe të gjitha gjërat e tjera më pas dhe pa asnjë plan të përgjithshëm zhvillimi kombëtar që t’i thotë çdo njësie vendore pjesa jote në këtë plan të përgjithshëm zhvillimi është kjo dhe ajo çka pritet nga ty është kjo. E jo ashtu siç i thotë Saliu dhe siç thoshte dhe Ministri i Bujqësisë që ‘e kanë me shumë qejf ujitjen kryetarët e komunave dhe prandaj ne do t’jua lëmë atyre’, madje kanë treguar që e kanë me pasion dhe punën e ujësjellësve. Ujësjellësit janë të gjitha me borxhe. Komunat s’kanë asnjë mundësi që t’i administrojnë. Qeveria ua lë në derë se s’di çtë bëjë më me borxhet dhe s’di çtë bëjë më me administrimin e tyre. Pa folur për ujitjen që ka 20 vjet që nuk zgjidhet megjithëse Shqipëria është vendi i dytë në Europë për burime ujore për territor dhe frymë pas Norvegjisë.

Sot kryeministri bëri një sulm absurd ndaj opozitës duke thënë që ne dashkemi të anulojmë 300 koncesione.

Së pari nga këto 300 koncesione, rreth 200 janë në tregun e letrave që iu jep vlerë klientelizmi nëpërmjet të cilit marrin leje për koncesione dhe pastaj dalin në treg t’i shesin ato. Të tjerat në mënyrën më absolute ne nuk kemi thënë që do t’i anulojmë, por kemi thënë që do t’i kalojmë në një proces transparence të plotë. Në një proces transparence të plotë për dy arsye. E para, çdo kush që merr një koncesion ka disa detyrime kontraktuale strikte që janë detyrimet ndaj publikut dhe ndaj vendit prej të cilit merr një copë pasurie për ta administruar si të ishte prona e tij. Ne na rezulton që në masën 99% këto detyrime kontraktuale nuk zbatohen. Kjo është e vërtet për fabrikat e çimentove që po të shikoni kontratat dhe të shikoni realitetin, në kontrata po t’i kishin respektuar, aty ku ju sot shikoni zgafella e male të rrjepur do duhej të kishte sot pyje të mbjellë rishtazi nga vetë kompanitë, në realitet kontratat janë letra pa asnjë vlerë, dhe e vetmja vlerë është vlera monetare e menjëhershme që marrin koncesionarët.

E njëjta gjë sa i takon koncesioneve në energjetikë. Kompromentimi i partneritetit publik-privat nga mbizotërimi i tejskajshëm i koncesioneve që quhen të pakërkuara. Në fakt ato nuk janë të pakërkuara, nuk janë ide krijuese të dikujt që i propozon shtetit diçka që askush nuk e di dhe shteti gjendet përballë një ideje me kaq vlerë sa thotë po e koncesionojë, por janë të kërkuara pasi iu është shkelur syri e iu është thënë paraqitu si i pakërkuar sepse kështu eliminojmë të gjithë të tjerët që mund të kenë interes për këtë pasuri publike dhe e ndajmë ne të dy. Këto janë të pakërkuarat që mbizotërojnë ndaj edhe procesi më pas është tërësisht i degjeneruar.

Ndaj ne themi që do t’i rishikojmë të gjitha jo për t’i anuluar por për t’i vendosur në marrëdhënie të sakta me shtetin dhe me publikun dhe sigurisht për të anuluar ato të cilat janë tërësisht jashtë çdo lloj binari kontraktual pasi janë marrë në mënyrë tërësisht jo transparente.

Së fundi, në hendekun e kombeve që administrohen nga shtete të cilat garantojnë konkurrencën, të cilat garantojnë të mirën publike, të cilat garantojnë institucionalisht çdo individ dhe nga ana tjetër kombeve që administrohen nga shtete që nuk garantojnë konkurrencën, që grabisin të mirën publike dhe nuk garantojnë barazinë e individit përpara ligjit dhe përpara nevojave legjitime të bazuara në kushtetutë qëndron pikërisht boshllëku ku bien kombet që nuk kanë karakteristikat e para.

Të flasësh për një plan të përgjithshëm kombëtar do të thotë mbi të gjitha të flasësh për demokracinë e zhvillimit. Zhvillimi i qëndrueshëm është një zhvillim që nuk mund të realizohet nëqoftëse procesi i zhvillimit nuk ka demokraci.

Aty ku s’ka konkurrencë dhe aty ku zhvillimi nuk ka demokraci por është autarkik nga lart poshtë me vendimmarrje të cilat nuk janë proaktive me energjinë krijuese por janë tërësisht të lidhura me grabitjen nuk ka se si kombet të qëndrojnë në këmbë pa rënë në batakun e varfërisë, të papunësisë, të korrupsionit, të maskarallëkut dhe të pisllëkut.