Plani sekret Monti-Merkel
për të dalë nga kriza

Plani sekret Monti-Merkel <br />për të dalë nga kriza
ROME - Një Itali më gjermane përsa i përket rreptësisë së llogarive dhe një Gjermani më italiane mbi rritjen ekonomike. Është kjo metamorfozë e dyfishtë objektivi i një negociate të ashpër e sekrete në aksin Romë – Berlin. Në një aks që mund të çojë, brenda pak javësh, në më spektakolarin prej operacioneve të marketingut politiko-evropian që prej kohëve të Traktatit të Romës: sinkronizimi i proceseve të ratifikimit të Fiscal Compact dhe Fondit mbi shpëtimin e shteteve (ESM) në parlamentet e Romës dhe Berlinit. Në të njëjtën ditë. Me të njëjtën mazhorancë të gjerë të unitetit kombëtar. Me Mario Monti-n dhe Angela Merkel së bashku që ndjekin ngjarjen, e kornizuar nga një “deklaratë solemne” mbi fatin e përbashkët evropian.

Për t’i treguar tregjeve pamjen e një Italie që përfundimisht ka nisur rrugën e disiplinës së bilancit, me një biletë vetëm vajtje. Për t’u futur në krizën e marrëdhënieve mes Francës dhe Gjermanisë, e favorizuar nga ardhja gjithnjë e më e mundshme e socialistit Hollande në Elize, dhe për të zëvendësuar Parisin në marrëdhëniet e privilegjuara me Berlinin. Por edhe për të lënë pas krahëve “rreptësinë qorre” dhe për të synuar vërtetë në një pakt të ri për rritjen, një “Growth Compact” pas famëkeqit “Fiscal Comact”.

NEGOCIATAT
Në qeverinë italianë janë tre persona që po punojnë në heshtje të plotë. Projekti – shkruan Repubblica.it – është në fazë të avancuar diskutimi. Mario Monti ka folur disa herë me Kancelaren federale. Për këtë ka dijeni edhe presidenti i Komisionit të Jashtëm, senatori Lamberto Dini, sepse plani Monti-Merkel parashikon edhe një përfshirje të fortë të Parlamentit italian dhe të Bundestag-ut gjerman. Sipas projektit, një delegacion deputetësh gjermanë do të ndjekin punimet e ratifikimit nga italianët, ndërsa me të njëjtin mision do të niset një ekip “vëzhguesish” drejt Berlinit.

Kështu, hap pas hapi. Gjithmonë bashkë. Deri në ratifikimin e parashikuar “para verës”, mundësisht në kohë për të mbërritur në Këshillin e Europës në fund të qershorit me “detyrat e shtëpisë” të bëra mira. Arsyen e shpjegon Enzo Moavero, ministër për Çështjet Europiane në Qeverinë Monti: “Dëshirojmë të vendosim Gjermaninë në provë, por ashtu siç bëhet me një mik: pa kërcënime, dorë më dorë”.

“SINKRONIZIM POLITIK”
Nuk bëhet fjalë vetëm për një operacion për të ndryshuar imazhin. Qeveria italiane synon në fakt në një “sinkronizim politik” të fortë mes dy kryeqyteteve. Në kërkim të një koncepti të njëjtë që të orientojë Gjermaninë drejt eurobond-eve dhe të ashtuquajturës Golden rule: mundësisë për të parashikuar një trajtim të favorizuar për investimet në llogaritjet e deficitit. Të vetmet lëvizje të besueshme për t’i ridhënë pak oksigjen ekonomisë së Kontinentit. Fakti është se Angela Merkel, momentalisht, është në vështirësi në shtëpinë e saj. Dhe kjo, për Romën, përbën një mundësi më shumë. Oborri i Karlsruhe – meqenëse “Fiskalpakt” modifikon ligjin kushtetues – detyron ratifikimi të kryhet me mazhorancë prej dy të tretash në Bundestag.

NYJA SPD
Që të aprovohet, Kancelarja duhet që të gjejë një pakt me SPD-në. Është pikërisht në këtë shteg politik që shpresojnë italianët për të zbutur Frau Merkel. Opozita gjermane e ka thënë qartë se votat do të mbërrijnë vetëm nëse qeveria federale tregon hapje ndaj Topin Tax dhe një lloj forme investimesh publike evropiane për të ndihmuar rritjen ekonomike. Saktësisht sa Roma i kërkon prej kohësh Berlinit.

KOALICION I GJERE
Për këtë, Monti e sheh me rëndësi që në dy kryeqytetet, në të njëjtën ditë, të shfaqet i njëjti hark kushtetues – një mazhorancë e bashkimit kombëtar – në mbështetje të të dy qeverive. “Nëse në Europë – vëzhgon sërish ministri Moavero – dëshirohet të kryhen ndryshime të mëdha, si ato që patjetër duhet të bëhen që të mos rrëzohet gjithçka, nevojitet që çështja të merret në dorë nga familjet e mëdha europiane. Së bashku: të majtë e të djathtë”.

RRITJA EKONOMIKE
Ministri për Çështjet Europiane, krahu i Montit në Bruksel, shton edhe një shënim optimizmi: “Gjërat po ndryshojnë në drejtimin e duhur, nuk ka më vetëm rreptësi qorre. Dhe Italia është plotësisht e përfshirë, për herë të parë prej vitesh, në këto procese”. “Kur në fillim të mandatit – tregon – së bashku me Montin shkuam në Europë, tha thanë se ishte për t’u gjunjëzuar. Por më pas, në Strasburg, Monti u ftua nga Merkel dhe Sarkozy: atëherë u akuzuam se donim të bënim një drejtori treshe në vend të dyshes. Kritikët tanë zbulonin përsëri. Aq sa më pas nxorëm atë letrën për rritjen ekonomike, të firmosur nga 12 kryeministra europianë, që prishte logjikën e drejtorisë. Kjo për të thënë që lëvizim në të gjitha drejtimet, duke ndjekur skema të papritura. Dhe fjala e Italisë ka vlerë, për herë të parë prej kohësh, ka vlerë. Më besoni”.

Ndërkohë, diçka Roma e ka fituar. Ditët e kaluara Moavero arriti të bindë gati të gjithë “kontribuuesit neto” europianë – Gjermaninë, Francën, Hollandën, Finlandën, Austrinë, Danimarkën – që të riorientojnë gati 430 miliardët e bilancit të Bashkimit Europian për 5-vjeçarin 2014-2020 nga sektorët tradicional si agrikultura, tek rritja ekonomike.

Përshtatur nga Repubblica.it

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës