Planifikimi hapësinor, Kosova
kërkon sërish Shëngjinin

Planifikimi hapësinor, Kosova<br />kërkon sërish Shëngjinin
KUKES- Kosova kërkon ringjalljen e projektit për shfrytëzimin e portit të Shëngjinit, të aeroportit të Kukësit, si dhe të ndërtimit të një linje hekurudhore krahas rrugës së kombit. Këto janë shprehur në fjalën e zv.kryeministrit kosovar Behgjet Pacolli ditën e djeshme në Kukës.

Pas fjalës së homologut të tij Niko Peleshi, që tha se dy qeveritë shqiptare mund të flasin me vepra konkrete, si projekti energjetik i interkonjeksionit, por edhe për lehtësimin e tregtisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, parashtroi një sërë hapash konkrete që duhen ndërmarrë në një kohë të shkurtër për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve.
 
Tregtia
Pacolli kërkoi heqjen e barrierava doganore për lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve, pasi, siç u shpreh ai, nuk mund të ketë kufinj mes dy vendeve tona, së pari në bashkëpunimin ekonomik, pasi do të jetë ky që do të çojë më pas në bashkimin kombëtar të dy vendeve. Po ashtu, ai kërkoi ndërmarrjen e nismave për heqjen e çmimeve të referencës. Ai informoi se qeveria e Kosovës ka miratuar dy zona të lira ekonomike, në Gjakovë dhe Prizren, që sipas tij, janë bërë me qëllimin e mirë për t’u shërbyer dy vendeve, jo vetëm Kosovës, por edhe pjesës veriore të Shqipërisë, që do t’a kenë më të lehtë tregtinë me Kosovën për shkak të afërsisë fizike.
 
Transporti

Për një bashkëpunim më të fyrshëm ekonomik, Pacolli i kërkoi qeverisë shqiptare edhe bërjen funksionale të aeroportit të Kukësit, që po qendron pa u vënë në funskionim prej vitesh. Po ashtu, ai kërkoi angazhimin e dy qeverive me masa konkrete për shfrytëzimin e Portit të Shëngjinit. “Kemi investuar shumë për ngritjen e autostradës së Kombit, ndaj duhet të shfrytëzohet me tërë potencialin e saj. Edhe vendosja e lidhjes hekurudhore mes dy vendeve duhet të shihet me interes në planin afatshkurtër”, tha zëvendëskryeministri. Sipas tij duhet të vendoset një kompanie ajrore të përbashkët.
 
Marrëveshja
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit 5-vjeçar me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës Dardan Gashi. Ky memorandum synon forcimin e bashkëpunimit mes dy Ministrive dhe qeverive, përmes shkëmbimit të përvojave në fushën e planifikimit hapësinor, strehimit dhe ndërtimit dhe integrimin e zonave informale.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi, duke vlerësuar nënshkrimin e memorandumit si një hap konkret drejt bashkëpunimit mes dy vendeve pas mbledhjes së qeverive në Prizren, u shpreh se palët do të punojnë së bashku për të bashkërenduar punën mbi planifikimin hapësinor-territorial, kuadrin ligjor që lidhet me zhvillimin urban me ndikim në zhvillimin e turizmit kulturor dhe eko-turizmin.

Gjatë takimit, të dy ministrat ranë dakord për një axhendë të përbashkët pune rreth projektit ndërkufitar të Alpeve. Shqipëria ka përfituar një fond nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës për hartimin e Masterplanit të Alpeve brenda territorit tonë ndërsa Kosova ka avancuar për pjesën e saj.

Shkrimi u publikua sot (17.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç