Gjashtë shtetas shqiptarë janë arrestuar në Spanjë, pasi Garda Civile goditi një grup kriminal që dyshohet se merrej me kultivimin e kanabisit në komunën Munera, në provincën Albasete.
Të arrestuarit, të moshës nga 25 deri në 45 vjeç, akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike, vjedhje të energjisë elektrike dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Operacioni policor, i koduar "Canli", nisi pasi shërbimet e Gardës Civile të Albasetes, të angazhuara në zbulimin dhe çmontimin e pikave të prodhimit, shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, morën informacione për një aktivitet të dyshuar në Munera, ku disa persona dyshohej se kultivonin dhe trafikonin drogë.
Pas marrjes së këtyre informacioneve, hetuesit nisën vëzhgime periodike në zonën ku dyshohej se zhvillohej aktiviteti kriminal. Gjatë survejimit, ata arritën të identifikonin gjashtë personat që hynin dhe dilnin vazhdimisht nga prona.
Sipas Gardës Civile, anëtarët e grupit organizonin turne roje 24-orëshe, në mënyrë që plantacioni të ruhej pa ndërprerje gjatë gjithë ditës dhe natës.
Më pas autoritetet siguruan urdhrin për kontrollin e pronës. Brenda saj u zbulua një plantacion i brendshëm i kanabisit me 221 bimë cannabis sativa. Pas heqjes së pjesëve të papërdorshme, pesha totale e lëndës narkotike arriti në rreth 400 kilogramë.
Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithashtu edhe 400 gramë sytha të tharë kanabisi, të cilët, sipas autoriteteve, ishin gati për t'u shpërndarë.
Sipas Gardës Civile, plantacioni ishte ndërtuar me pajisje të avancuara për të maksimizuar prodhimin. Ai ishte i pajisur me sisteme ujitjeje, ventilimi, ftohjeje dhe ndriçimi, si edhe me pajisje elektronike që monitoronin vazhdimisht temperaturën dhe lagështinë. Në objekt ishin instaluar edhe sisteme videomonitorimi dhe sigurie.
Hetimet zbuluan gjithashtu se e gjithë kjo infrastrukturë furnizohej me energji elektrike përmes një lidhjeje të paligjshme me rrjetin kryesor, çka u lejonte të dyshuarve të ulnin kostot e kultivimit dhe të rrisnin fitimet.
Pas ekspertizës së kryer nga kompania shpërndarëse e energjisë elektrike, u vlerësua se dëmi i shkaktuar nga vjedhja e energjisë mund të kalojë 40 mijë euro.
Në fazën përfundimtare të operacionit morën pjesë efektivë të Policisë Gjyqësore të Gardës Civile në La Roda, Ekipi Hetimor i së njëjtës zonë, Njësia e Sigurisë Qytetare (USECIC) e Albasetes, si edhe patrullat e Gardës Civile të Muneras dhe La Rodas.
Procedurat hetimore, së bashku me gjashtë të arrestuarit, iu referuan Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Hetimit nr. 2 në Villarobledo. Gjykata vendosi masën e paraburgimit për të gjashtë shtetasit shqiptarë në pritje të vijimit të procesit penal.
Komente








