Vendin e pushuesve në bregdetin e Godullës në Kurbin, në këtë sezon turistik, e kanë zënë mbeturinat dhe kafshët. E gjithë zona që dikur ishte mjaft e frekuentuar nga pushuesit të ndryshëm, është kthyer në landfill. Situata e rëndë në kufijtë e një katastrofe mjedisore është shkaktuar nga shkarkimi i mbetjeve urbane nga grykëderdhja e lumit Ishëm, situatë që rëndohet  çdo vit.

Të vetmit që e frekuentojnë plazhin janë banorë të zonës, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike të shkojnë me pushime në zona të tjera. Të vetëdijshëm për rrezikun që ju kanoset nga ndotja, banorët e zonës e konsiderojnë të papranueshme lënien pas dore të këtij plazhi me potencial të jashtëzakonshëm turistik.

“Unë erdha për të qëndruar më mirë. Po e shikoni vetë çfarë tmerri. Pastërti s’ka. Rrugë nuk ka. Me mbeturinat e rrezikshme. Ka lloj-lloj pisllëku. Ka 7-8 vjet që nuk kanë vendosur dorë. Këtu duhet pastrim”, tha një qytetar.

“I kanë marrë tenderat për këtë plazh. Ka ra në vesh të shurdhët dhe sy qorr. Është lënë pas dore. Më mirë të ja japë dikujt dhe të vijnë ta shfrytëzojnë. Infrastruktura. Na kanë premtuar një urë. Një urë që ka vlerën 30 milion lekë të vjetra. Fati është se kanë ardhur kamionçinat për të mbledhur qeset dhe për ti shitur se para një muaji as me kalë nuk kaloje këtu”, tha një tjetër.

Ndotja masive shtrihet në një gjatësi prej afro 6 km përgjatë bregdetit në zonën e Godullës në Kurbin.