Sipas vendimit të Kushtetuese do qëndrojnë në detyrë deri në 2013-n, me një zgjatje mandati prej tre vjetësh përtej atij kushtetues, Admir Thanza, Xhezair Zaganjori dhe Petrit Plloçi. Dy nga anëtarët që u ka mbaruar mandati kanë votuar pro rrëzimit të kërkesës së Presidentit Topi.
Po japim të plotë mendimin e Pakicës në Kushtetuese, pas vendimit për dekretet e Topit, të firmosur nga i dorëhequri Plloçi.
"Nuk jam dakord me vendimin e dhënë lidhur me këtë çështje, për arsyet që vijojnë:
1.Siç rezulton nga vendimi i shumicës, në muajin Shtator 2010 Presidenti i Republikës (këtu e më pas Presidenti), ka emëruar me dekret katër anëtarë të Gjykatës Kushtetuese (këtu e më pas GJK) dhe tre anëtarë të Gjykatës së Lartë (këtu e më pas GJL). Këto dekrete i janë dërguar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (këtu e më pas Kuvendi) për dhënie pëlqimi, në mbështetje të neneve 125/1 dhe 136 të Kushtetutës.
2.Kuvendi ka pezulluar procedurat për votimin për dhënien e pëlqimit për dekretet e mësipërme të Presidentit, dhe një e pesta e deputeteve të Kuvendit i janë drejtuar GJK-së, në bazë të Nenit 134/1/c të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (këtu e më pas Kushtetuta), duke kërkuar interpretimin e Nenit 125, pikat 1, 2, dhe 3, dhe të Nenit 136, pikat 1 dhe 5 të Kushtetutës.
3.Sipas palës kërkuese, interpretimi i këtyre dispozitave është i nevojshëm për sqarimin e kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për gjyqtarë; nëse ka konflikt kushtetues në rastin e parashikimit të kritereve të njëjta për gjyqtarët e këtyre dy gjykatave; nëse duhet të ketë ndonjë raport në përbërjen e GJL-së mes gjyqtarëve që vijnë nga pushteti gjyqësor dhe juristëve jashtë këtij sistemi; nëse kandidaturat për gjyqtar duhet t'i plotësojnë kriteret në momentin e dekretimit apo në momentin e dhënies së pëlqimit në Kuvend; se cili mund të jetë mekanizmi i vlefshëm, në respekt të nenit 125/3 të Kushtetutës, për përtëritjen çdo tre vjet të një të tretës së gjyqtarëve të GJK.
4.Siç jam shprehur edhe në raste të tjera, të ngjashme me çështjen në shqyrtim, rezerva ime ka të bëjë me mungesën e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së mësipërme, me objekt interpretimin e neneve 125 e 136 të Kushtetutës, kërkesë e cila, për mendimin tim, kërkon nga Gjykata Kushtetuese dhënien e një opinioni këshillimor in abstrakto-gjë që nuk përfshihet në juridiksionin e kësaj Gjykate, të përcaktuar, kryesisht, në nenin 131 të Kushtetutës.
5.Kërkuesit e mbështesin kërkesën për interpretim jo në nenin 131 të sipërpërmendur, por në nenin 124 të Kushtetutës, sipas të cilit, "Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj".
6.Mendoj se kjo dispozitë nuk mund të përbëjë një bazë juridiko kushtetuese të vlefshme për të pranuar juridiksionin e GJK-së për gjykimin e kërkesës. Neni 124 i Kushtetutës nuk rregullon rastet/çështjet që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por si dispozitë e parë e bllokut të dispozitave që rregullojnë pozitën e kësaj Gjykatë, si organ kushtetues, ka për qëllim të përcaktojë, në esencë, funksionin e kësaj Gjykate, që është garantimi i respektimit të Kushtetutës dhe interpretimi përfundimtar i saj, ndërsa "rastet/çështjet" se, kur kjo Gjykatë investohet për të realizuar funksionin e saj interpretues, specifikohen në dispozita të tjera. Kjo do të thotë, se GJK e interpreton Kushtetutën jo in abstracto, por për të vendosur/zgjidhur një nga rastet/çështjet që përcaktohen, kryesisht, në nenin 131 të Kushtetutës, e jo si qëllim në vetvete. Në rast se neni 124 do të kishte për qëllim rregullimin e juridiksionit të GJK-së, atëherë edhe rastet/çështjet që përbëjnë juridiksion kushtetues, do të parashikoheshin, kryesisht, në këtë dispozitë. Kjo do të thotë se neni 124 është një dispozitë me karakter deklarativ e të përgjithshëm, që nuk merr përsipër të detajojë juridiksionin kushtetues, por vetëm deklaron funksionin themelor të kësaj Gjykate që është mbrojtja e Kushtetutës. Janë dispozita të tjera të Kushtetutës (kryesisht, nenet 131, 115, 128, etj.), ato që përcaktojnë juridiksionin e Gjykatës. Pra, këto dispozita të fundit, përcaktojnë rastet/çështjet, që bëhen shkak për interpretimin kushtetues, dhe ky interpretim nuk ka qëllim në vetvete, por pikërisht për të vendosur për këto raste/çështje.
7. Konkluzioni i mësipërm, mbështetet edhe në një vështrim historik të çështjes së juridiksionit të GJK-së, dhe në mënyrë të veçantë, të interpretimit in abstracto- si pjesë e këtij juridiksioni.
8. Kështu, sipas nenit 24 të ligjit nr. 7561, datë 29.04.1992 "Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr. 7491, datë 29.04.1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese"", i cili është ligj kushtetues, "Gjykata Kushtetuese ka këto kompetenca:
1. Bën interpretimin e Kushtetutës dhe të ligjeve kushtetuese.
2. Gjykon papajtueshmërinë e ligjeve dhe të akteve që kanë fuqinë e ligjit me Kushtetutën.
3. Gjykon papajtueshmërinë e akteve dhe dispozitave nënligjore me Kushtetutën dhe me ligjin. … etj." Pra, siç shihet, neni 24 i këtij ligji kushtetues fillonte me shprehjen "Gjykata Kushtetuese ka këto kompetenca:'', dhe bënte një listë të këtyre kompetencave, duke u shprehur në pikën 1 të kësaj dispozite se, [Gjykata Kushtetuese] . . . bën interpretimin e Kushtetutës dhe të ligjeve kushtetuese. Është e qartë se kjo dispozitë e ligjit "Për dispozitat kryesore kushtetuese", listonte kompetencat e GJK-së, pra përcaktonte juridiksionin e saj, duke përfshirë në pikën 1 të saj edhe interpretimin e Kushtetutës dhe të ligjeve kushtetuese, pa e kushtëzuar me ndonjë "rast" apo "çështje", gjë që do të thotë se ka pranuar edhe interpretimin in abstracto. Kjo do të thotë se kuadri i mëparshëm kushtetues e ngarkonte GJK-në edhe me interpretimin in abstracto, por Kushtetuta e 1998 hoqi dorë nga ky lloj interpretimi.
9. Një qëndrim të përafërt me të mësipërmin, ka mbajtur Gjykata Kushtetuese edhe në një vendim të saj në një çështje me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, me objekt interpretimin e neneve 69, 70, 71 e 72 të Kushtetutës, ku është shprehur se, kompetenca interpretuese e saj, në kuptim të nenit 124 të Kushtetutës, nuk duhet të interpretohet se nënkupton formulimin e interpretimeve tërësisht abstrakte ...; [se në të kundërtën] ... Gjykata do të gjendej para një situate ku produkti i interpretimit do të ishin opinione këshillimore për mënyrën se si duhet të sillen në të ardhmen institucionet shtetërore ...; [dhe] se nuk është në ... funksionin e saj të parashikojë të gjitha interpretimet e mundshme të normave të Kushtetutës, nëse ato nuk janë të lidhura me mosmarrëveshje konkrete.
10. Për sa sipër, mendoj se neni 124 i Kushtetutës nuk mund të aplikohet si bazë kushtetuese për t'i dhënë juridiksion kësaj Gjykate për të bërë interpretim pa patur një "rast" apo "çështje".
11. Në vendim, shumica ka parashtruar kriteret që duhet të plotësohen për interpretimin e normës kushtetuese në bazë të nenit 124 të Kushtetutës.
12. Ndërmjet të tjerash, shumica është shprehur se për interpretimin e normës kushtetuese, në kuptim të nenit 124 të Kushtetutës ...Gjykata mund të investohet vetëm nëse interpretimi ... është i lidhur me një mosmarrëveshje konkrete, që ka lindur si pasojë e zbatimit ose kuptimit të ndryshëm të normës kushtetuese...; [dhe] së dyti, kërkohet që organet, të cilat zbatojnë normën kushtetuese, të kenë mbajtur qëndrimin e tyre për kuptimin/interpretimin e kësaj norme; [dhe se] qëndrimet e mbajtura nga një organ për interpretimin e normave konkrete të Kushtetutës, që shprehen nëpërmjet vendimeve të këtij organi, janë të mjaftueshme për kryerjen e një interpretimi...
13. Jam dakord me kriteret e mësipërme, të cilat për mendimin tim kanë të bëjnë me ekzistencën ose jo të një mosmarrëveshje kompetencash midis pushteteve, në kuptim të pikës "ç" të nenit 131 të Kushtetutës. Por, në rastin në shqyrtim, nuk plotësohen këto kritere. Një nga këto është që autoritetet kushtetuese ta kenë shprehur vullnetin e tyre nëpërmjet akteve juridiko kushtetuese të vlefshme. Konkretisht, në rastin në shqyrtim, ku kemi të bëjmë me një procedurë për emërimin e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, marrin pjesë si organe kushtetuese Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, dhe si akte të tilla kushtetutshmërisht të vlefshme janë dekreti, në rastin e Presidentit dhe vendimi për dhënien ose jo të pëlqimit, në rastin e Kuvendit. Presidenti i Republikës, si njëri nga këto organe që merr pjesë në këtë procedurë, e ka shprehur vullnetin e tij, nëpërmjet dekreteve të emërimit, ndërsa Kuvendi si organi tjetër kushtetues, nuk e ka shprehur akoma këtë vullnet, për të dhënë ose jo pëlqimin sipas nenit 125/1 të Kushtetutës, por e ka pezulluar procedurën e dhënies së pëlqimit, duke i kërkuar interpretimin Gjykatës Kushtetuese. Për pasojë, mendoj se nuk ndodhemi as në kushtet e një konflikti pushtetesh, gjë që do të legjitimonte juridiksionin e kësaj Gjykate.
14. Për sa sipër, mendoj që kërkesa e paraqitur nuk duhet të pranohej për shqyrtim për mungesë juridiksioni të Gjykatës Kushtetuese. Anëtar: Petrit Plloçi"