TIRANË- Ka përfunduar edhe faza e katërt e garës për plotësimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku kanë kaluar vetëm 39 nga 55 kandidatë që u intervistuan nga Komisioni i Përzgjedhjes.

FBI-ja Shqiptare do të jetë e paplotë, ndërkohë 39 aplikantët që kaluan fazën e katër do të plotësojnë deklaratën e pasurisë dhe formularin e interesave private për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë.

Aplikantët kanë kohë deri në 2 dhjetor që të plotësojnë deklaratën e pasurisë e cila do t’i dërgohet BKH-së dhe faza tjetër e garës për kandidatët për oficerë të BKH-së do të jetë testi i poligrafit, ndërkohë ora dhe data do të njoftohen në datë 2 dhjetor.

( Kliko këtu ) Formulari i plotë i deklarimit të pasurisë

‘Faza e Intervistës u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri’, shkruan BKH në njoftimin e saj.

Garën për 60 hetues të BKH e nisën 653 aplikantë, por në 4 fazat e deri tanishme u skualifikuan 614 prej tyre.