Plotësohet dekriminalizimi
votë unanime për aktet n.ligjore

Plotësohet dekriminalizimi<br />votë unanime për aktet n.ligjore
TIRANË - Tre ditë negociata të shoqëruara me polemika, përplasje verbale dhe momente tensioni mes mazhorancës dhe opozitës, u finalizuan mesditën e të premtes me votimin nga Kuvendi 114 vota "pro" të akteve nënligjore të dekriminalizimit. Ndonëse u cilësua si një proces i vështirë dhe kompromisi dukej gjithnjë e më i largët, pas dy jave të tensionuara në Kuvend ku opozita tentoi deri në bllokimin e punës së Kuvendit, tërheqja e mazhorancës nga disa pika, bëri arritjen e konsensusit dhe finalizimin e një beteje 2-vjeçare për opozitën.

Seanca e një dite më parë e Kuvendit u karakterizua nga ndërprerjet e herë pas hershme, për shkak të insistimit të opozitës për të përfshirë në rendin e ditës të katër kërkesave të saj, ndërsa vetëm në orët e vona të ditës së enjte, palët arritën konsensusin për dekriminalizimin.

Pas votimit unanim sot në Kuvend, në emër të grupit të PS, Gramoz Ruçi garantoi se shumica ka qenë gjithnjë e bindur për këtë proces të rëndësishëm. Por nga ana tjetër, pasi mori "trofeun" e parë të konsensusit, opozita braktisi punimet e kuvendit duke vendosur si kusht kryesor për rikthimin, largimin efektiv të deputetit Armando Prenga.

Kryetari demokrat i komisionit parlamentar të dekriminalizimit, Oerd Bylykbashi, u shpreh pas miratimit në Kuvend të akteve nënligjore, se një gjë e tillë duhet të ishte bërë që para 3 muajsh, në mënyrë që sot ligji të ishte në zbatim e sipër. Sipas tij, me votimin në Kuvend të akteve nënligjore, u "firmos" largimi i kriminelëve nga Kuvendi, duke nënkuptuar kështu se deputeti Prenga preket nga ligji. “Nuk do të tolerojmë për asnjë çast që ligji të mos zbatohet. Ky është akti që përmbyll betejën 2 vjeçare për dekriminalizimin. Bëmë ligjin se kriminelët janë në politikë e administratë”, u shpreh Bylykbashi.

Megjithëse ligji i dekriminalizimit tashmë është i plotë dhe i gatshëm për të nisur nga implementimi, duket se për opozitën kjo është e pamjaftueshme, pasi kërkesat e saj drejtuar mazhorancës, përfshijnë edhe tre pika të tjera. Demokratët kërkojnë ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit për "arrestimin në flagrancë" në mënyrë që Armando Prenga të mos jetë më deputet i Kuvendit, heqjen e mandatit të deputetit për Koço Kokëdhimën, Vasilika Hysin dhe Rakip Sulin si dhe ndryshimin e rregullores së komisioneve hetimore. Burime nga selia blu thonë për "Shqiptarja.com" se ende nuk ka një vendim nga grupi parlamentar për marrëdhëniet me Kuvendin në vazhdim. 

Opozita bojkoton seancën menjëherë pas miratimit të akteve nënligjore
Menjëherë pas miratimit të akteve nënligjore në kuvend opozita ka braktisur seancën kjo për shkak se nuk janë marrë parasysh dhe as plotësuar 3 kërkesat e saj.
Opozita  thekson se në parlament ka ende kriminelë  ndaj qëndrimi është i pamundur duke shtuar se pa plotësuar edhe 3  kërkesat e PD për komisionet, heqjen e mandatit të tre deputetëve Suli, Kokëdhima dhe Leskaj si dhe largimin e të inkriminuarëve nga parlamenti .

Opozita ka vendosur të bojkotojë kuvendin deri momentin kur ligji i Dekriminalizimit të ketë marrë fuqi të plotë ekzekutuese dhe i pari që duhet të largohet është deputeti Armando Prenga.

“Kjo e sotmja është më shumë se bojkot, të gjitha opsionet janë të hapuara, është i hapur edhe dezintegrimi i Parlamentit”- është shprehur ish kryeminsitri Sali Berisha pasi deputetët e opozitës braktisën sallën.

Pas Dekriminalizmit, axhend e demokratëve është “Dekusarizimi” ka deklaruar Berisha ndërsa ka shpjeguar se “janë kusarët këtu në parlament që po thithin si shushunjat gjakun e shqiparëve duke shkelur çdo ligj”- vijoi ai dhe për këtë arsye Berisha thotë se “kjo e sotmja është më shumë se bojkot”.

Ora 15:30 Meta: Dekriminalizimi ogur i mirë për reformën në drejtësi
Për kreun e Kuvendit Ilir Meta miratimi me konsensus i akteve nënligjore të dekriminalizimit është një ogur i mirë se me të njëjtën frymë do të eci edhe procesi për realizimin e reformës në drejtësi.
 
"Është e rëndësishme të kuptojmë se kemi përmbyllur një proces të ashtuquajtur të dekriminalizimit. Që do bëjë të mundur që ligji mbi integritetin e zyrtarëve publik të hyjë në fuqi me efekt të plotë, pra kemi arritur që ligji konsesual në mënyrë po konsensuale ta mbështesim me këto akte të rëndësishme duke treguar vullnetin politik, duke rritur përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë në kuvend dhe institucione. Është ogur i mirë për të punuar në këtë mënyrë, me durim, me përpjekje për të mos thelluar mosbesimin, por për të ndërtuar ura komunikimi për të finalizuar reformën në drejtësi. Në rastin e reformës në drejtësi edhe pse është më komplekse, besoj se e kemi më të thjeshtë tani, dhe këtu kam parasysh opinionin e Komisionit të Venecias. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ndërtuar raporte konstruktive larg ultimatumeve, larg përpjekjeve për të minuar besimin, besoj që edhe opozita është për reformën në drejtësi. Të gjithë kërkesat e saj do të shqyrtohen në bazë të rregullores së Kuvendit. Unë besoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të punojmë së bashku për reformën në drejtësi", tha Meta.



Ora 15:25 Majko: Opozita do të mos votohet reforma në drejtësi
"Nuk besoj se ka sot njeri që arrin të kuptojë se çfarë kërkon opozita, ka 48 orë që jemi bllokuar në parlament, për të kuptuar çfarë kërkoi opozita, dhe pasi u votua në 100 % të votave çfarë kërkoi opozita, ata u larguan. Alternativa e opozitës është se me mbushjen e formularëve deputetët mund të shpallen të ndershëm ose jo. Ne mendojmë se reforma e drejtësisë është mungesa më e madhe. Në këtë situatë ku të pa prekshmit janë të pa prekshëm po kërkojmë të bëjmë një reformë në drejtësi që do t'i hapë rrugën Shqipërisë në BE. E gjithë kjo që po bën opozita është: reforma e drejtësisë të mos votohet në këtë kuvend. në këtë vend reforma në drejtësi do të votohet se nuk është një histori matematikë, por ka të bëjë me drejtësinë në Shqipëri. Lëngëta në shoqërinë shqiptare është dhënia e drejtësisë. asnjë vështirësi nuk pati për të bërë ato lloj formularësh të cilët prezumojnë se140 deputetët janë të pandershëm nëse nuk plotësojnë atë formular. ne jemi mësuar që me lloj-lloj formularësh shpallim spiunët të përndjekur, mashtruesit të ndershëm...kështu që përralla të mos na tregojnë", tha Majko. 



Ora 14:57 Miratohen aktet n/ligjore te dekriminalizimit
Me 114 vota pro, asnje abstenim dhe asnje kunder, kuvendi miratoi aktet nenligjore te dekriminalizimit.



Ora 14:50 Ruçi: Berish, shyqyr që e lëshove tymin
Në emër të mazhorancës, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ju drejtua me ironi ish-kryeministrit Sali Berisha për arritjen më në fund të konsensusit për dekriminalizimin, ku në mënyrë indirekte e quajti atë përgjegjës të zvarritjes të procesit të negociatave.
 
"Mesa duket doli tymi zoti Berisha, shyqyr që e lëshove më së fundi, se e mbajte ngrehur dy ditë. Ne jemi treguar serioz, u bë një marrëveshje politike para shumë kohës. që u arrit me dakordësi politike për ndërhyrje deri në kushtetutën e vendit, që u konkretizua me ndryshime ligjore në një ligj organik, në integritetin e të zgjedhurve dhe emëruarve në administratën publike. Unë nuk e di se çfarë keni tjerrë në këtë projektvendim, unë jam këtu për të shprehur vullnetin e mazhorancës. por uroj që në këtë tjerrje të madhe që keni bërë të mos na e hedhë gjykata kushtetuese", - tha Ruçi. 

Ora 14:50  Bylykbashi: Miratojmë aktet nënligjore të ligjit të Dekirminalizimit
Deputeti i Partisë demokratike, oerd Bylykbashi ka deklaruar se partia demokratike do të votojë aktet nënligjore të ligjit të Dekriminalizimit, por se ajo nuk do të lejojë që këto akte të këtij ligji të kthehen në një gërmë të vdekur, deri në daljen e të gjtihë deputetëve me rekorde kriminale nga Parlamenti apo përfaqësuesve të administratës.
 
"Sot paraqitet projektvendimi për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. Akt që përmbyll betejën më shumë se 2 vjeçare për Dekriminalizimin e politikës e administratës. S’na mjaftoi germa e fryma e Kushtetutës, pasi mungoi vullneti politik. Krimienelët u morën për dore dhe u futën në politikë e administratë. Për ta bërë këtë duhet kurajo, vullnet e burrëri.Ndodhi kriminalizimi i kësaj salle, parlamentit.Po mbyllet faza ligjore. Ky është një nga vendimet më të rëndësishme. Na u desh një vit për konensusin e dhjetorit. U deshën 3 muaj që ky konsensus të kthehet në këtë akt që do e miratojmë sot dhe të hyjë në fuqi, që kriminelët të largohen nga parlamenti e institucionet. Pakti kur bëhet respektohet e nuk tërhiqet zvarrë. Kjo që ka ndodhur tregoi të kundërtën. Pati presion nga ndërkombëtarët për ta miratuar. Këshilli për rregulloren e mandatet e miratoi dhe është projektvendim i detajuar që nuk lë shteg që kriminelët ti shpëtojnë kandidimeve apo emërimeve.U ra dakort për formularin e vetdeklarimit. Sot fillon beteja e madhe e shqiptarëve që këta kriminelë të largohen, nuk do tolerojmë që ky ligj të kthehet në një gërmë të vdekur. Parlamenti ta miratojë dhe cojë deri në fund këtë ligj” ka thënë Bylykbashi.
 

Ora 14:25 Balla: Arrihet konsensusi
"Këshilli i mandateve sapo ka miratuar me konsensusi të gjitha aktet nënligjore. Materiali i kalon seancës plenare. Ky projektvendim është në rend të ditës, sipas procedurës do të njoftohet një orar votimi që të jenë të gjithë deputetët. ka qenë një proces sa i lehtë aq edhe i vështirë, nga ana jonë ka qenë gatishmëria për ta kryer sa më shpejt këtë proces. I kam kërkuar firmën zotit Bylykbashi se mund të na qëllonte pasi të shkonte Luli te Saliu të na ndryshonte prapë drafti. Se po të shikonit deklaratën e Berishës sot ai sulmonte qëndrimin e PD. 

Gazetari: Jeni tërhequr?
Ka një material të përbashkët kjo është e rëndësishme"



Ora 14:22 Apelon Doda: Jo proces të gënjeshtërt
Deputetja e PDIU-së Mesila Doda la sallën e Kuvendit për të dalë në ambientet e jashtme në një komunikim me gazetarët. Sipas saj, deputetët janë duke pritur në sallën e seancës plenare që të vijë dokumenti final i Këshillit të mandateve për të nisur diskutimet mbi aktet nënligjore të dekriminalizimit. Ajo bëri apel që të ndalen cdo përpjekje për ta zvarritur këtë proces.
 
"Do i bëja thirrje të mos e trajtojnë këtë proces si një farsë, duhet të gjejmë patjetër mënyrën e konsensusit dhe të lënë historitë me argumente false, dhe të kuptojnë që ky është mometn i ndarjes përfundimtare me krimin. Ajo që po ndodh brenda është asgjë, deputetët që rrinë dhe presin që të votojnë, që të nisë diskutimi i akteve. Mos të shpejtojnë dhe të mbyllin procesin ashtu siç duhet"", tha Doda.




Ora 13:35 Berisha: Negociatat e PS po udhehiqen nga kriminelet
Ish-kryeministri Sali Berisha foli për një skenar bllokimi nga ana e mazhorancës sa i përket procesit të negociatave për dekriminalizimin. Në një prononcim për gazetarët, deputeti demokrat tha se bisedimet e shumicës për arritjen e konsensusit politik po udhëhiqen nga kriminelët, të cilët sipas tij i bëjnë presion kryeministrit Edi Rama, i cili reflektohet në qëndrimet e ndryshme të përfaqësuesve të mazhorancës.

"Negociata për krahun e maxhorancës i drejtoi grupi i gatshëm i kriminelëve që nuk duan të largohen nga parlamenti e funksionet e tjera. Tu tregosh shqiptarëve se çfarë bënë këta për të bllokuar punën është skenar i turpshëm. Në vend po sundon krimi. Negociatat nga PS po drejtohen nga kriminelët. Kriminelët nuk mund ti shpëtojnë dekriminalizimit. Sot pasi kundërshtonin me forcë të madhe të mos përdoret termi indicie, i zakonshëm në jurispudencë...U dorëzuan me këtë kanë gjetur një modalitet tjetër...ka një proces verifikimi të dokumenteve që vijnë nga palët e huaja për në Shqipëri dhe ka një zyrë e cila  bazuar në ligjin e marrëdhënieve juridike me të tjerët kryen procesin, kjo zyrë është në prokurorinë e përgjithshme. Zotëritë kërkojnë që prokurori t'i referohet kodit të procedurë penale. I japin prokurorit atribute të gjyqtarëve. Ne e kundërshtojmë se i njohim të drejtën çdo njeriu, s'mund të mohojmë që me këtë vendim administrativ të shkojë në gjykatë. Gjykatësit nuk kanë të drejtë të shkojnë të ankohen në gjykatë.  Është një proces që nëpërmjet disa klauzolave të kodit të procedurës penale ti nxjerrin të gjithë të larë dhe ushtarë të Edi Ramës. ligji i ka të përcaktuar, këta kanë mbajtur 6 orë komisionin se nuk pranojnë fjalën indicie. Unë ju them se Edi Rama nuk e pranon këtë proces,nuk mund të them larg apo afër, por presioni i kriminelëve ndaj tij është i madh,dhe detyrimet e tij ndaj kriminelëve. Mbrapa tij kërkon sivllau Kokëdhima, se ai thotë po ngeli dekriminalizimi në klasë unë zgjidhem sekretari i përgjithshëm i PS.  Atyre ata i ndërrojnë fjalët në mënyrën më të turpshme cdo gjysmë ore. Po të marrim tabulatet është përqendrimi më i lartë që Rama mund të ketë marrë nga hordhia e tij e që mund ti ketë çuar përfaqësuesve të tij. Opozita e ka thënë, ky është vetëm një hap, opozita ka depozituar nisma të tjera. ndërkohë po bën diskutim të gjerë me elektoratin e vet për vendime përfundimtare. Ky s'është më parlament, është strofull krimi", tha Berisha. 



Ora 13:30 Mblidhet Keshilli i Mandateve
U tha se Këshilli i Mandateve u mblodh rreth gjysmë orë më parë, por në fakt bëhej fjalë vetëm për një takim informal të kryeparlamentarit Ilir Meta dhe disa deputetëve të majtë, teksa ishin në pritje të të djathtëve. Burime për Report TV thanë se më në fund, pas shumë shtyrjesh, mbledhja ka nisur në prani edhe të deputetëve të opozitës.  

Ora 12:45 Palët drejt konsensusit
Negociatat e palëve politike duket se kanë çuar drejt një konsensusi, por finalizimi i projektit të përbashkët për dekriminalizimin pritet të mësohet pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve. Mësohet se në diskutimet e sotme mes palëve ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta. Burime nga Partia Demokratike thanë për Report TV se nuk ka një finalizim të marrëveshjes, pasi kjo pritet të vendoset në këshill, por shtuan se ka një tërheqje në parim nga ana e Partisë Socialiste përballë kërkesave të demokratëve, e ajo më e forta që ndante palët, është për vetëdeklarimin edhe të të gjitha emrave që deputetët kanë pasur në të kaluarën.

Ora 11:15 Noka: Negociatat vijojnë
Në një prononcim për mediat para nisjes së seancës plenare, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka tha se negociatat mes palëve vijojnë.

"Negociatat po vazhdojnë, ne kemi vullnet të plotë që procesin ta çojmë deri në fund që shqiptarëve t'i japim një qeverisje të pastër dhe jo një si kjo të mbushur me kriminelë", tha ai.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 'Bad Spin 3', kontrolle në disa subjekte, arrestohen 4 persona pasi luanin baste sportive online

Tiranë/ 'Bad Spin 3', kontrolle në disa subjekte, arrestohen 4 persona pasi luanin baste sportive online