Prof. Dr. Petraq Ilollari Sotiri një prej figurave më të mëdha të agronomisë shqiptare, një emër që prej më shumë se gjysmë shekulli ka qenë gur themeli në zhvillimin e pemtarisë, ullishtarisë dhe bujqësisë shqiptare ka rrëfyer në lidhje me jetën e tij profesionale, por edhe për ullirin shqiptar të lashtë që në periudhat e Ilirisë. Sot, në moshën 90-vjeçare, profesor Sotiri mbetet një mendje e kthjellët, një burim dijesh të çmuara dhe pjesë aktive e Këshillit të të Urtëve pranë Ministrisë së Bujqësisë. Plot 70 vite në agronominë shqiptare, profesori kujton me nostalgji përvojën në vreshtarinë e vendit tonë.
“Me motorin tim ‘Java’ kam qenë kudo në vreshtarinë e vendit. Kam mbjellë gati 500 mijë rrënjë ullinjsh në territoret kodrinore të bregdetit. Mbjellja niste nga lumi Shkumbin deri në Sarandë. U ndesha me ullirin kur vajta specialist vreshtash, territoret ishin bosh, vreshtaria ishte pak e vështirë dhe qeveria në vitet 50-60 punonte në dobi të ullirit dhe në atë periudhë janë mbjellur rreth 20 milion rrënjë ulliri në të gjithë vendin”, tregoi Prof. Dr. Petraq Sotiri.
Shqipëria ka një histori të lashtë me ullirin, që nis që nga periudha para Ilire.
“Agronomia është themeli i progresit të një vendi. Shumica e studimeve të ullishtarisë që në kohët e lashta dhe të dhënat nga antikiteti flasin për një zhvillim të paparë në pellgun e mesdheut, që është dhe vatra e zhvillimit. Herodoti thoshte “Popujt dolën nga barbaria kur mësuan të bëjnë verë dhe vaj”, pra ishte vera dhe vaji një binom që nuk ju shkëput njerëzimit. Vera pushtoi botën në atë periudhë ishte burim gëzimi, sidomos ilirët ishin qeflinj, shquheshin për pijetarë, kurse përsa i përket vajit ne kemi histori, në Gjorm ose në Petrelë si dhe në Shkallën e Tujanit ka gjurmë para ilire dhe para romake. Ullishtaria e bëri Ilirinë të jetonte në situatat më ekstreme. Në Tujan ka ullinj të vjetër 2500 vjeçar”, u shpreh Sotiri.
Por duket se nëse shumë vende të zhvilluara si Italia, Spanja etj, e kanë ruajtur këtë traditë, vendi ynë është shumë mbrapa.
“Nga fillimi i shekullit të ri në vend të shkonim përpara ne mbetëm mbrapa. Kanë ekzistuar shumë institucione, por ato u shkrinë për fat të keq. Tek vaji dhe vera, vendet e civilizuara si italianët, spanjollët e mbrojtën këtë pasuri, pra e ushqyen, ndërsa ne e lamë në mëshirë të fatit, sidomos këto 10-15 vitet e fundit”, u shpreh Prof. Dr. Petraq Sotiri.
Profesori shpjegoi se pikat e dobëta të ullishtarisë tonë janë të hidhura nga pasojat, të cilat u lidhën me pronësinë mbi tokën. Para Luftës së Dytë Botërore ullishtaria ishte e zhvilluar në vatrat e lashta, sot janë monumente natyre, por fatkeqësisht ato po i shkulin pa të keq.
“Ullinjtë po braktisen, shteti duhet të japë kontribut për t’i rehabilituar, ka mungesë interesi”, u shpeh ai.
Vajrat më të mira sipas Prof. Dr. Petraq Sotirit krijohen aty ku ulliri ka vlerat e veta të rezistencës ndaj thatësirës, ku siguron lagështinë e nevojshme, të mjaftueshme në atë shtresë që i nevojitet për ta marrë me lehtësi. Një tjetër proces që ndikon në cilesinë e ullirit është bashkëjetesa që bën ulliri me një kërpudhë, e cila jeton në rrënjët e tij duke e ushqyer me lëndë minerale. Faktori i dytë që ndikon në cilësinë e ullirit është toka, ajo sipas specialistit duhet të jetë e thatë, kodrinore me diell, me aciditet të moderuar 7-7.5 %. Faktori i tretë që ndikon tek ulliri janë kodrat me humus natyral që mbajnë lagështinë.
“Sot nuk ka më humus natyral dhe një nga armiqtë që ndikon është erozioni që do i kthejë kodrat tona në shkretëtira. Shqipëria ka patur bollëk të madh, tani tokat janë bërë geto moderne ose nuk ekzistojnë më”, u shpreh Sotiri.
Një apel nga eksperti është se e ardhmja e agronomisë shqiptare është e vështirë.
“Eksperienca është zhdukur, nuk ka më institute, nuk ka më kërkime. Sot përshembull nga vrojtimet që i është bërë ullirit kalinjot, janë 12 popullata të cilat duhet të kishin koleksione krahasuese. Harrojmë që ullishtaria është një muze i gjallë dhe duhet ruajtur”, tha ai.
Si duhet ta dallojmë një vaj cilësor
Ngjyra e vajit nuk tregon cilësinë e tij. Ngjyra varet nga baza gjenetike, që do të thotë varet nga natyra e tokës, sistemi i plerimit. Një vaj që shkëlqen, nuk do të thotë që është më i mirë nga tjetri. Një ngjyrë gjelbëroshe do të thotë që është vaj i ri, ndërsa me nuancë që shpesh herë i merr të arta, gri këto i ka nga trashëgimia. Ngjyrat nuk tregojnë cilësinë e vërtetë të vajit, por janë shprehje e produktit të veprimtarisë jetësore të ullirit me klimën.
Por si duhet bërë degustimi i vajit?
Degustimi i vajit duhet bërë në një enë blu, sepse ajo i fsheh nuancat dhe nuk të lë të tërhiqesh nga bukuria e ngjyrës, është densiteti që tregon pasurinë minerale, vaji është i vetmi produkt ushqimor më i pasur, me një gamë të tërë polifenolesh dhe gliceridesh që e bëjnë të dallohet nga njëri -tjetri. Për fat të keq ne nuk kemi as laboratorë të bëjmë analizat kimike të vajit për të parë cilësinë e tij.
Pse na djeg fyti kur pimë vaj ulliri?
Prof. Dr. Petraq Sotiri tregon se kjo varet nga momenti kur vilet fruti. Nëse përgjithësisht ulliri lihej të nxihej, pra piqej shumë e më pas vilej për t’u shtypur me këmbë, atëherë vaji e humb cilësinë dhe të jep atë djegien në fyt. Ulliri duhet të ruajë natyrën e tij të virgjër, për këtë ai duhet vjelur kur ka filluar zbutja e kokrrës dhe fruti është bërë si i verdhë, ky është momenti që ulliri ruan maksimumin e vlerave.
Komente












