Shumë sëmundje nuk fillojnë në gjenet tona apo në gjak, por nisin në zorrën tonë. Natyropati Altin Joka ka shpjeguar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, rolin e shtresës së mucinës në shëndetin e zorrës, si dhe rolin e disa baktereve të cilat i ka cilësuar të arta, pasi tregojnë shumë për shëndetin e zorrës tonë.
“Mucina e zorrës është një shtresë xhelatinoze, një lubrifikant natyral, barrierë inteligjente biologjike për të na ruajtur shëndetin tonë. Që kjo shtresë të mirëmbahet ne duhet të kemi nivele të mira të vitaminave A, D, zinkut etj. Ky është një proces që rinovohet çdo ditë”, u shpreh Joka.
Nutricionisti shpjegoi rëndësinë e shtresave nga të cilat përbëhet mucina, shtresa të cilat ndihmojnë duke ndaluar toksinat që të hyjnë në gjak, si dhe të rriten bakteret e mira në zorrë.
“Dëmtimi i zorrës nuk ndodh menjëherë, ka disa shenja: kur fillojmë që ushqimet të mos tolerohen si më parë, kur keni dhimbje barku, probleme me gazrat, histaminë të lartë, ankth, lodhje, jemi në një fazë që kjo shtresë po dëmtohet në zorrën tonë. Në një fazë të avancuar rriten bakteret që na sjellin probleme me sëmundjet autoimune. Kur mucina bie, rritet inflamacioni, keni probleme me kolitin, probleme autoimune, metabolike dhe deri tek problemet me kancerin”, shpjegoi Joka.
Ja si duhet të kujdeseni për mucinën
Ushqehuni me polifenole që kanë rezveratrol, hani shegë, fruta pylli, rrush të zi, boronica, lakër të kuqe, kakao, çokollatë, vaj ulliri, banane jeshile, aloe vera, çaj xhinxheri, kamomil, kurkumë, zink dhe L-glutaminë.
“Ushqimet me aditivë e shkatërrojnë mucinën: vajrat vegjetalë, alkooli, niseshteja, brumërat, sheqernat, pagjumësia, stresi — të gjitha këto e ndalojnë përthithjen e vitaminave që formojnë mucinën. Ne sëmuremi kur kjo shtresë reduktohet pak nga pak”.
Ja disa analiza që ndihmojnë për të kuptuar nivelin e mucinës në zorrë
Analiza e mikrobiomës intestinale, e cila është ADN e zorrës, por mund të bëni edhe zonulinën, IgA fekale dhe pH fekal.
Bakteret në zorrën tonë
Bakteri i artë, Akermansia, është i paçmueshëm për vlerën që ka. Jeton në shtresën xhelatinoze të mucinës, ushqehet me këtë shtresë të cilën e rindërton. Krijon një xhel që ruan zorrën, e “blindon” duke bërë të mundur që të mos hyjnë bakteret e këqija.
Kur trupi ka inflamacion, ka një bakter që prodhon butirat, i cili është “uji biologjik” që fik zjarrin në trupin tuaj, pra ul inflamacionin. Natyropati Joka këshillon ngrënien e patateve të kuqe, bananeve jeshile, orizit integral të gatuar dhe të ftohur pas dy-tre orësh.
Bifidobakterium është bakteri i parë në zorrën tonë. Nëse fëmija juaj sëmuret shpesh, ka alergji, imunitet të dobët, do të thotë se nuk është në nivelet e duhura ky bakter, i cili është baza e përthithjes së vitaminave.
Lactobacillus - ky bakter është rregullatori i fermentimit, që trupi të mos prodhojë gazra. Kini kujdes me marrjen e probiotikëve pa kriter, pasi ndikojnë në prodhimin më të lartë të acidit laktik dhe fryrjeve.
Bacteroidetes janë baktere balancuese, tresin yndyrnat dhe proteinat.
Escherichia Coli duhet në sasi normale, sepse është i shëndetshëm në trupin tonë, por në sasi të lartë prodhon toksina, çon në probleme me artritin, aneminë dhe inflamacionin.
Ruminococcus - ky bakter ndikon tek fibrat; nëse e keni në mungesë, toksinat kalojnë në gjak.
Prevotella - bakteri që trupi ynë e aktivizon kur konsumojmë bimë.
Oxalobacter - ky bakter përthith nivelin e oksalateve, duke mos lejuar krijimin e gurëve në veshka.
Si ta kthejmë zorrën në balancë
Ne në radhë të parë nuk duhet ta dëmtojmë. Nëse hamë sheqer, karbohidrate të përpunuara, antibiotikë, do të sjellim mungesë fibrash, duke e dëmtuar zorrën.
“Ushqimi është i pari që ndikon. Duhen konsumuar perime të freskëta, të lehta, fruta me antioksidantë: mollë, mango, ananas, papaja, shegë, kakao, patate e kuqe, vaj ulliri etj. Si dhe çaj koperi dhe menteje, shafran indie, aloe vera, L-glutaminë dhe zink”, rekomandon Joka.
Ndiqni protokollin “qetëso dhe pastro” për të ndihmuar zorrën tuaj
Faza e parë: hani vezë, mish 1-2 herë në javë, kungull, karrotë, spinaq të gjitha të ziera, vaj ulliri, sasi të vogla me fruta dhe perime që të eliminoni fermentimin.
Faza e dytë: rrisni nivelin e mucinës. Konsumoni supë kockash, perime jeshile dhe nivel antioksidantësh më të lartë nga frutat, vajra esencialë dhe acide yndyrore nga peshku, shtoni edhe aloe vera.
Faza e tretë: rrisni bakteret e mira. Këtu futen probiotikët, tërshëra, fara chia, fara liri, enzima tretëse që duhet t’i shtoni.
Faza e katërt: parandalimi i rikthimit në gjendjen e mëparshme. Kompensoni yndyrnat, shtoni fibrat, rregulloni gjumin, menaxhoni stresin etj.
Që të pastroni zorrën tuaj, filloni agjërimin deri në 10 ditë për ta qetësuar zorrën. Më pas bëni pastrimin treditor me lëngje, me konsultë natyropati. Shtoni ujë, kefir dhe kos natyral. Më pas fuqizoni zorrën, rikuperoni bakteret e mira, duke rritur nivelin e mucinës.
Komente











