Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi këtë të hënë propozimet e qeverisë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke paralajmëruar se ato prekin reformën në drejtësi, kufizojnë hapësirën e SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe cenojnë lirinë e gazetarëve për të bërë gazetari investigative.
Gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, Tabaku tha se propozimet ndryshojnë rreth 20-25% të Kodit dhe, sipas saj, bien ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet e miratuara në kuadër të reformës në drejtësi.
“ Mendoj se Kodi i Procedurës Penale duhet të kishte parasysh një parim: procesin e integrimit dhe përafrimin me kërkesat që lidhen me të. Kapitujt 23 dhe 24 lidhen me reformën në drejtësi, të cilën ju, me këto propozime, po e zhbëni. Unë kam një pyetje: a ka të drejtën morale qeveria të ndërmarrë këto ndryshime, kur është qartësisht në konflikt interesi? Anëtarë dhe ish-anëtarë të kësaj qeverie akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash. Kemi një historik ku shumica socialiste ka propozuar, me firmën e kryeministrit, ligjin për rastin e pezullimit. Së dyti, keni folur për një sërë elementesh që lidhen me të drejtat e njeriut dhe që janë të rëndësishme. Ne, si komision, kemi nisur një tur vëzhgimesh në burgjet e vendit dhe pjesë e punës sonë është edhe paraburgimi. Padyshim, detyra jonë është të ruajmë të drejtat e kujtdo, qoftë i hetuar, i pandehur apo i burgosur, sepse këto janë të drejta të njeriut. Kjo vlen edhe për të arrestuarit për korrupsion dhe pastrim parash. Po të drejtat e atyre që u arrestuan për mospagimin e faturave të energjisë elektrike, për një shtesë çatie apo gjatë COVID-it? Ka një problem në këtë mes.,” u shpreh ajo.
Deputetja e PD-së akuzoi qeverinë se me këto ndryshime po kufizon punën e Prokurorisë së Posaçme.
“Ju praktikisht po i prisni krahët SPAK-ut dhe po u mbyllni derën hetimeve të ardhshme. Nuk ka vlerë asnjë konventë e Këshillit të Europës nëse nesër SPAK-u nuk ka mundësi të hetojë korrupsionin, nëse nesër fjala e lirë është e cenuar, nëse nesër gazetari nuk ka mundësi të hetojë dhe të përgatisë një lajm investigativ për korrupsionin dhe krimin e organizuar. E kuptoj këtë tendencë të qeverisë, sepse është vazhdim i sjelljes së saj: “Më pengon ligji i zonave të mbrojtura? E ndryshojmë ligjin që të mos më pengojë. Më pengon Kodi i Procedurës Penale? E ndërrojmë. Bëhet problem SPAK-u në luftën kundër korrupsionit? Hajde t’ia heqim fuqitë që ka. Hajde ta penalizojmë SPAK-un. T’ua kufizojmë gazetarëve hapësirën për të investiguar dhe për të dhënë lajmin”. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i prioriteteve në çështjen e integrimit europian. Prandaj, ju po cenoni hapësirën e SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe po i jepni vetes imunitet të padrejtë ndaj hetimit” deklaroi Tabaku.
Deputetja ngriti shqetësim edhe për ndikimin që, sipas saj, ndryshimet do të kenë te liria e medias dhe gazetaria investigative.
“Ju po propozoni ligje që kufizojnë edhe punën e avokatit, edhe punën e gjyqtarit, edhe punën e SPAK-ut, edhe punën e gazetarit. Të vetmit të kënaqur nga propozimet për Kodin e Procedurës Penale janë të korruptuarit dhe qeveria. Lidhur me informacionet që kam marrë për ekspertët, ajo që mësojmë është se janë disa ekspertë të angazhuar dhe të punësuar nga qeveria për t’i shkruar këto propozime. Ata nuk përfaqësojnë shtetet apo vendet që janë cituar. Janë disa profesorë të nderuar, të cilët nuk përfaqësojnë as qëndrimet, as interesat e këtyre vendeve dhe që kanë pasqyruar në ligje dhe në draftkod dëshirat e qeverisë.” theksoi ajo.
Deputetja e PD-së kërkoi që propozimet të shqyrtohen edhe nga Komisioni Europian dhe i cilësoi ndryshimet si “një hap pas”, duke argumentuar se ato nuk i shërbejnë drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por interesave të të korruptuarve.










Komente
Komento