Që nga ora 9.40 e mëngjezit të 30 qershorit, kur sapo kishte filluar dita e votimeve, Partia Demokratike, përmes Edi Palokës, nisi të denoncojë manipulime, duke treguar një video, në të cilën dukej një vajzë që bënte muhabet në një tavolinë kafeneje dhe merrte një fletë të bardhë. Ajo fletë e bardhë, e theksuar me një rreth të kuq në video, sipas PD-së ishte prova “me zë e me figurë” se PS kishte filluar të blinte vota. Beteja kundër ligjshmërisë së votës vazhdoi deri në darkë, si dhe në ditët e mëpasme, me dy argumenta kryesorë: 1)sipas monitorimit të opozitës, pjesëmarrja reale ishte 15% dhe jo 23%, siç deklaroi më vonë KQZ; 2)Komisionerët e PS-së i mbushën kutitë me vota për të rritur pjesëmarrjen dhe numrin e votave për PS-në.

Pyetja e parë që të del para syve është e thjeshtë: nëse me të vërtetë socialistët e kishin mundësinë për të mbushur kutitë pa asnjë kontroll, përse duhej paguar vota? Por kjo nuk është hera e parë që akuzat e opozitës nuk bazohen tek logjika.

Sidoqoftë, përtej kësaj kontradikte, opozita garantoi se “këtë herë” kishte “mijëra video dhe prova dokumentare” për të treguar manipulimin e rezultateve. Kanë kaluar nëntë ditë nga zgjedhjet dhe tani lind një pyetje e dytë: po ku janë këto video e këto prova? Deri tani nuk është parë asnjë e vetme. Që nga 30 qershori e deri më sot opozita ka bërë dhjetëra konferenca shtypi, madje edhe një manifestim kombëtar, duke akuzuar Partinë Socialiste se ka kryer më 30 qershor “një krim zgjedhor edhe më të shëmtuar se ai i vitit 2017 në Dibër”, por nuk ka sjellë asnjë provë. Ndoshta nuk e ndihmon fakti se tani nuk ka në dispozicion Prokurorinë që të organizojë përgjime me porosi, siç ndodhte në kohën e Adriatik Llallës, Besim Hajdarmatajt apo Gentian Trenovës.

Por, në rast se opozita pretendon se ka prova, që mbështetin akuzat e saj, ajo ka detyrën (dhe interesin) t’i tregojë ato. Përndryshe do të bënte më mirë të heshte, pasi, çdo gënjeshtër që nxjerr nga goja, kthehet në mijëra vota të humbura.